Kryeministri Zaev në takim me delegacionin e BFI: Qeveria do të krijojë shoqëri në të cilën do të respektohen diversitetet

Kryetari i Qeverisë të Republikës të Maqedonisë, Zoran Zaev, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, ministri i Drejtësisë Bylen Sali, ministresha e Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskoska, minsitri i Kulturës Robert Allagjozovski dhe Viktor Mitevski, shef i kabinetit të ministrit të Financave, sot realizuan një takim me delegacionin e Bashkësisë Fetare Islame, të udhëhequr nga prijësi i sajë, reis ul ulema, haxhi Sulejman efendi Rexhepi.

Përfaqësuesit e Bashkësisë Fetare Islame e përshëndetën punën e qeverisë së re dhe deklaruan se e përkrahin realizimin e proceseve reformuese për të cilat thanë se do i sjellin të mira të gjithë qytetarëve nga të gjitha bashkësitë fetare në Republikën e Maqedonisë.

“Në këtë takim u bisedua për më shumë problem me të cilat po ballafaqohet Bashkësia Islame dhe për mundësitë që ato të zgjidhen në suaza të regullave ligjore. Kryeministri Zaev tha se Bashkësia Fetare Islame e gëzon përkrahjen e Qeverisë të Republikës të Maqedonisë për të mbyllur të gjitha çështjet e hapura përmes dialogut dhe konsultimeve të ndërsjella. Përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Maqedonisë i theksuan problemet lidhur me moskujdesin për trashëgiminë kulturore, si edhe probleme të caktuara arsimore dhe finansiare, me shpresë se përmes sistemit dhe shtetit të të drejtës, ato probleme do të zgjidhen”, kumtojnë nga BFI.

Në këtë takim, sipas BFI-së, u bisedua edhe për nevojën e emërimit të kuadrove kompetente udhëheqëse në Komisionin për bashkësitë fetare të cilat në të ardhmen do i përfaqësojnë interesat e të gjitha bashkësive fetare në vend.

“Bashkërisht u vlerësua se përmes bashkëpunimit të ndërsjellë, respektimit të diversiteteve dhe me përkushtim ndaj principeve demokratike e me punë të përbashkët do të krijojmë shoqëri e cila do të ofrojë mundësi të njejta për të gjithë qytetarët”, thonë nga BFI.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button