Limaj: Hashim Thaçi, Isa e Ramushi po bëjnë gara për rrena e shifra

Fatmir Limaj kryetar i NISMA për Kosovën të shtunën në Gjilan tha se është fatkeqësi që sot qytetarëve të Kosovës u premtohen miliarda, u premtohen zhvillime marramendëse. Mos u besoni më këtyre liderëve sepse edhe Isa edhe Ramushi edhe Hashimi po shtyhen e po bëjnë gara për rrena e shifra pa mbulesë tha Limaj.

NISMA për Kosovën të shtunën ka zyrtarizuar degën e saj edhe në Gjilan, derisa në këtë aktivitet dhe tubim kanë folur Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi raporton rajonipress.

Fatmir Limaj tha se lindja e NISMA ishte e domosdoshme dhe u bë në një moment shumë delikat për Kosovën.”NISMA synon ta ndryshojë këtë gjendje dhe këtë qasje që ishte shumë negative për qytetarin e Kosovës. NISMA do të bëjë ndryshimin e madh dhe kjo do të arrihet së bashku me të gjithë ju” tha Limaj.

Limaj tha se NISMA ka ndryshuar kufijtë partiak dhe ajo tani po bëhet një Lëvizje qytetare e pranueshme nga të gjitha shtresat e shoqërisë dhe nga të gjitha grupet politike që janë fyer e nëpërkëmbur nga partitë tjera pushtetare.

Limaj tha se NISMA ka program e vizon të qartë dhe ka porosi që të ndryshohet qeverisja në vend. “Por ky ndryshim mund të ndodhë më 8 qershor me ndihmën e gjilanasve dhe të gjithë atyre që e duanë ndryshimin. Mos u besoni atyre liderëve që ofrojnë premtime marramendëse dhe nuk kanë bërë asgjë për katër vite. Duhet të jeni të kujdesshëm dhe syqel që me 8 qershor të bëni vendimin e duhur”.

Limaj tha se shumë po flitet për Fondin e Punësimit i cili realisht është i qytatarëve të Kosovës. “Mos u besoni as Isës , as Hashimit e as Ramushit të cilët po bëjnë gara kush po rren më shumë dhe kush po premton më shumë vende pune. Kjo politikë po bëhet teatër. Unë nuk premtojë asgjë këtu para jush sepse ne duam votën e pastër dhe votën e zemrës. Kosova ka nevojë për lider të përgjegjshëm dhe ne do ta stopojmë këtë të keqe që e përcolli Kosovën me vite” tha Limaj.

Edhe Jakup Krasniqi në stilin e “poetit” tha se politika kosovare ka nevojë të shndërrohet në frymën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Krasniqi tha se Kosova ka nevojë për një shtet të drejt e ligjor sepse është e dhimbshme që edhe 15 vite pas luftës kosovari ende mendon të ikë nga vendi i tij.

Në emër të NISMA për Gjilanin ka folur Bajram Hasani i cili tha se NISMA ka gjetur përkrahje në këtë qytet dhe ka aderime të shumta.

Lajme të ngjashme

Back to top button