NEOSHQIPTARIZMA

Neoshqiptarizma është lëvizje kulturore e kombëtare, e ideuar në vitet e 30-të të shekullit XX nga mendimtari Branko Merxhani.

Nuk është lëvizje ksenofobe, as ksenofile e tepruar.

Është për përthithjen e vlerave më të përkryera, që janë krijuar nga gjeniu krijues, në kohëra dhe hapësira të ndryshme kulturore dhe qytetëruese, sepse një komb që përthith vlerat e përbotshme ai pasurohet dhe zhvillohet.

Është reformë shpirtërore para se të jetë reformë shoqërore.

Kërkon qenie me ndërgjegje shoqërore dhe me ndjenjë vetëmohimi për jetën e përbashkët.

Është punë e palodhshme për shoqëri me ideale.

Është dashuri ndaj vendit, të kufizuar së jashtmi dhe të pakufizuar së brendshmi.

Është ndriçim i shkaqeve të thella të anarkisë shoqërore nëpërmjet fenerit të dijes.

Është njohje e realitetit që të mund të ndryshohet dhe të përsoset.

Është njohje e plagëve të shoqërisë që të shërohen.

Është njohje e rreziqeve që të mposhten.

Nënkupton punë jo vetëm për vete, por edhe për ata që nuk kanë lindur.

Është ideal kombëtar e universal, sepse njeriu pa qëllim është i çorientuar.

Është përpjekje për bërjen e një kombi modern e të qytetëruar dhe jo humbje kohe me andrrallat e së kaluarës.

Është ndjenjë europianizme dhe përkushtim për një shoqëri të lirë, demokratike, për shtet të së drejtës, për sistem vlerash.

Është për mendësi evropiane dhe çlirim nga të metat e trashëguara.

Është përpjekje e vazhdueshme për modernizimin e shoqërisë shqiptare.

Është për kërkim idesh të reja dhe jo për riformulim idesh të vjetra, anakronike dhe jokompatibile për kohën tonë.

Neoshqiptarizma do të thotë që të punosh për një shoqëri të emancipuar.

T’i kërkosh shkaqet e mjerimit brenda vetes e jo jashtë vetes.

Ta dallosh njeriun e madh nga njeriu i fuqishëm.

Ta respektosh njeriun e ndershëm dhe atë ta bësh model orientimi e nderimi.

Ta respektosh njeriun e dijes dhe artistin.

Të tentosh ta njohësh të vërtetën dhe ta respektosh atë.

Ta respektosh madhështinë e veçantisë.

Të punosh që kombi të zë vend nderi në familjen e kombeve të qytetëruar.

Ta organizosh kaosin brenda vetes dhe brenda shoqërisë, sepse vetëm kështu dëshmohet një njeri dhe një komb.

Të bësh përpjekje të vazhdueshme për shërimin moral të shoqërisë.

Ta luftosh lodhjen morale, që çon në dekompozimin e një populli dhe të një shoqërie.

Të punosh me mund, djersë, dashuri, pasion, përkushtim, metodë e disiplinë në punë.

Të kesh ideal për shoqëri me rregulla, sepse në të kundërtën pason kaosi.

Të punosh e ta synosh rilindjen shpirtërore në periudhën e rrënimit moral, kulturor, intelektual, ekonomik, politik etj.

Neoshqiptarizma është projekt idealistësh, kurse shpirti i saj është idealizma shoqërore.

“Kombet ekzistojnë vetëm ahere kur mundin të krijojnë një ndërgjegje shoqërore. Jashtë kësaj vije njeriu është veç se një krijesë dhe Kombet janë vetëm turma barbare”, thotë Merxhani.

Neoshqiptarizma e koncepton të pakufishme lirinë e mendimit individual, por njeriu, si element shoqëror, duhet të orientohet me nevojat e jetës shoqërore, thotë ideatori i saj.

Kjo lëvizje, e cila ka qenë për shqiptarët utopi, mundet dhe duhet të bëhet feneri ndriçues në udhëtimin kombëtar, gjithsesi duke u modifikuar dhe duke u pasuruar për rrethana të reja.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button