Deti si shteg e metaforë

Përveç pushtetit që gjithmonë na ka shtypur, dikur ka qenë ndryshe. Kemi pasur njëfarë tradite të mirë.

Fshatarët ishin solidarë. Saherë që dikush niste të ndërtojë shtëpi, krejt fshati çohej në këmbë. Dikush sillte gurët, dikush drurët, tjetri ndihmonte me punë krahu. Dhe, për një muaj pronari hynte në shtëpi të re. Sot një tullë ta ngrejë dikush, ta kërkon një euro, madje edhe të lë borxhli përjetë.

Ju do të thoni se solidariteti i atëhershëm ka qenë rezultat i varfërisë dhe se varfëria i afron njerëzit. Po. Ama është edhe vlerë. Dhe, në këto çaste kemi nevojë të madhe t’ia shtrijmë dorën njëri-tjetrit. Zgjidhje tjetër ne nuk kemi.

Hoxha para disa deceniesh shikonte punën e tij dhe përpiqej të ecë udhës së perëndisë. Për ndryshim nga shumica që fenë e ngatërrojnë me politikën dhe me marifetet e tyre të allëshverësheve të dyshimta, hoxha i atëhershëm i traditës i mbante duart larg nga politika dhe i përkushtohej xhamisë, ndërkaq xhamia ishte xhami, ku mblidheshin fshatarët t’i luten zotit, të dëgjojnë fjalën e hoxhës për paqe, për dashurinë që perëndia u fal njerëzve, jo si sot që xhamia ndërtohet për të bërë garë me fshatin fqinj se cili do të ngrejë më shumë minare, jo si sot që ndërtimi i xhamisë hyn në fushën e allëshverësheve dhe jo si sot që klerikët nis e sos me perëndinë i frikësojnë njerëzit, që çdo gjë e shpallin haram, që me botën e përtejme kërcënohen, duke u munduar të t’i mbajnë në Mesjetë dhe duke mos u lënë hapësirë lirie dhe, madje as hapësirë të veprimit kulturor kombëtar dhe të mbrojtjes së vlerave kombëtare. Nuk çan krye kush për gjuhën shqipe, për traditën shqiptare, për historinë dhe për kulturën shqiptare.

Ju do të thoni se klerikët e interpretojnë librin e shenjtë dhe se këtu s’ka asgjë të keqe. Po. Mirëpo klerikët nuk e lexojnë kontekstin e kohës dhe, madje edhe më keq – nuk e shohin kontekstin gjeografik e historik. Ata nuk e kanë parasysh se ne jemi shqiptarë, se gjithmonë kemi qenë, jemi dhe do të jemi pjesë e vlerave evropiane dhe e realitetit evropian, i cili s’e lejon kohën të shkojë prapa, por asaj i jep udhë vetëm përpara.

Mësuesi ishte model dikur, model për brezin e ri. Rinia ëndrronte të bëhet mësues ose si mësuesi. Si mësuesi të bëhej i ditur, si mësuesi të vishej, si mësuesi të sillej. Mësuesi ishte zotëri, e jo si sot kur shpeshherë vendin e mësuesit e  uzurpojnë aktivistët e partisë dhe bëhen ushtarë të zellshëm të ndonjë ideologjie politike a religjioze që nuk lidhet me idealet e dikurshme fisnike. Asokohe mësuesit ishin roje të faqes së bardhë dhe të krenarisë kombëtare. Asokohe. Anise atëherë kanë qenë të ndjekur, nuk kanë pasur kushte  për punë dhe nuk kanë qenë të paguar mirë për punën e ndershme që kanë bërë.

Ju do të thoni se sot jetojmë në kohë të internetit. Se jetojmë në kohë të tjera. Se çdo gjë ndryshon. Po. Pikërisht këtu është fjala: te ndryshimet, te koha ecën pandalshëm dhe se mund të na shkelë, nëse nuk jemi të kujdesshëm. Dhe, kjo kohë që ecën kërkojnë që asnjë çast mos ta humbim, por vetëm të mësojmë dhe t’i mbrojmë vlerat tona. Prandaj duhet të kujdesemi për mësuesit tonë, për personalitetin e tyre, për pozitën e tyre në shoqëri. Se, vetëm shtresa e mësuesve të aftë e të përgatitur do t’i pengonte kthimet kah Mesjeta e format tjera të arsimit alternativ me përmbajtje të kohës së babës sulltan dhe do të formonte breza të përgatitur për të ardhmen e popullit tonë dhe gjuhës sonë shqipe, të rrethuar në tri anë me shtete që nuk na e duan të mirën dhe në perëndim e kemi detin si metaforë.

Anomalitë e përmendura më lart na lënë tri shtigje: arsimin e shëndetshëm, egërsinë dhe agresivitetin ballkanik që e kanë përjetuar në lëkurë të vet gjyshërit e stërgjyshërit tonë ose detin si metaforë. Tjetër shteg nuk ka.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button