Filani dhe Fisteku në zgjedhjet lokale

Si do të kalonin dy tipa politikanësh në sisteme me lista të hapura dhe të mbyllura

Kush janë Filani dhe Fisteku. Siç tregojnë vetë emrat, Filani dhe Fisteku janë personazhe të sajuara. Të tillë do të jenë edhe në rrëfimin e mëposhtëm. Por Filani e Fisteku nga ky rrëfim ndeshen shpesh në realitetin tonë. Ata i gjejmë në secilën parti, nëpër secilën degë të tyre, në çdo vendbanim; tipe aktivistësh e funksionarësh partiakë që më poshtë do t’i përshkruaj të përballur me dy modele të ndryshme zgjedhore. Pastaj besoj se vetë lexuesi do të pasqyrojë këtë fotografi aktivistësh e zgjedhjesh në kontekstin e vet lokal dhe do të vlerësojë saktë se cili sistem i përgjigjet më mirë kërkesave tona si qytetarë.

Aktivisti partiak Filani. Filani i është bashkangjitur partisë qëmoti dhe ka arritur t’u ngjitet shkallëve të hierarkisë partiake me sukses. Në qarqet ku sillet, madje edhe te vetë baza e partisë së tij, nuk është se e shohin me shumë simpati; disa e xhelozojnë, disa ja kanë frikën, por askush nuk guxon t’i dalë kundër. Kjo për shkak se ai është i afërt me elitat partiake.

Si tip i mprehtë ai qysh herët e ka kuptuar se çelësi i suksesit është vullneti i mirë i lidershipit partiak, kështuqë nuk i bëhet vonë se ç‘mendon baza për të. Më me rëndësi është t’a njohin dhe t’a duan “ata lartë”, vetë krerët e partisë. Mu për këtë Filani ka kujdes që asnjëherë mos bjerë ndesh me ta. Ai do t’a mbrojë me zjarr çdo hap e çdo qëndrim të partisë, sidomos të liderit. Kjo nuk është gjithaq e vështirë, pasi tek ne liderët nuk ndërrohen kurrë. Prandaj besnikëria e parë dhe e vetme e Filanit është lideri, ndërsa sa ju përket anëtarëve të tjerë të elitës, atyre që vijnë e shkojnë, Filani do t’i lavdërojë kur t’i lavdërojë lideri dhe do t’i shajë kur t’i shajë lideri. Në ndërkohë do të ketë kujdes që mos shpalosë shumë ide të tij vetanake, sidomos mos ballafaqohet dhe të ju kundërvihet krerëve të partisë. Ai e din se kështu mund të shihet si konkurrencë dhe rrezikon të eliminohet plotësisht nga hierarkia partiake. Prandaj Filani do të jetë përherë i dëgjueshëm dhe kurrë nuk do të veprojë ndryshe nga ç‘duan elitat e partisë.

Aktivisti partiak Fisteku. Fisteku poashtu është moti në parti. Ai nuk e mban mend nëse i është bashkangjitur partisë për shkak të ideologjisë së saj, apo ka adoptuar ideologjinë pasi është bashkangjitur, por kjo ka pak rëndësi. E rëndësishme është se Fisteku beson që partia e tij mund t’a shpiejë përpara vendin, kombin, qytetin, mëhallën dhe vetë atë, sepse në mendjen e tij këto gjëra shkojnë përherë bashkë. Ai përherë do t’i ngelet besnik partisë dhe ideologjisë dhe nuk do të hezitojë të kritikojë as krerët e saj kur mendon se kanë devijuar nga pritjet e bazës. Ai ja do të mirën partisë dhe do të luftojë këdo që e dëmton atë, qoftë kjo vetë kryesia e partisë.

Me këto tipare dhe principe, si njeri i drejtë që i thotë të bardhës të bardhë dhe të zezës të zezë, Fisteku ka simpatinë e rrethit të vet, mëhallës, fshatit, qytetit, komunës. Por ai nuk shihet me sy të mirë nga krerët e partisë. Ata ja dijnë vlerën, e dijnë se ai tërheq njerëz, sjell vota dhe është i dobishëm në zgjedhje, por njëkohësisht e dijnë se është tejet i papërshtatshëm më pas. Me gojën që bluan si mulli, prej tij nuk mund të presësh të zbatojë urdhërat “nga lartë” pa i vënë njëmijë herë në pikëpyetje. Atij nuk mund t’i besohet se do ndjekë pa hezitim vijën partiake, sepse ai beson se në parti duhet të dëgjohen të gjithë, baza njëlloj sa kryesia. Ai është tipi që “nuk hyn në binarë”, që nuk do të mund të kontrollohet. Për atë duhet patur kujdes që të paktën t’i vihen kufinj. Me mbështetjen që gëzon në bazë, ai mund të bëhet konkurrencë e rrezikshme po u ngjit më lartë.

Listat e mbyllura. Në zgjedhjet lokale, Filani dhe Fisteku si aktivistë partiakë do të angazhohen për fitore të partisë, secili në mënyrën e vet. Por elitat partiake nuk do t’i vlerësojnë të dy njëlloj. Në listat e këshilltarëve për zgjedhje lokale akoma aplikohen listat e mbyllura dhe këtu fjalën kryesore e ka partia. Është partia ajo që zyrtarisht propozon emra për këshilltarë dhe është partia ajo që vendos renditjen, kush do të jetë i pari, kush i dyti, treti e kush i fundit. Dhe kur bën renditjen, partia pikë së pari ka parasysh se si do të sillen kandidatët kur të bëhen këshilltarë. Pasi vetëm partia mund të bëjë dikë këshilltar, duke e renditur sa më lartë në listë, ajo normalisht pret që këshilltari nesër t’ia “kthejë borxhin”, gjegjësisht të sillet e votojë sipas instruksioneve nga “më lartë”. Nga këshilltari i zgjedhur kësisoj nuk pritet ndonjë qëndrim ose mendim i pavarur; ai thjeshtë duhet të jetë makineri votuese. Teoretikisht atë e ka zgjedhur populli, por praktikisht fjalën kryesore e ka patur partia.

Nëse këshillin komunal e përbëjnë për shembull 20 këshilltarë, partia duhet të kandidojë 20 kandidatë, ndërsa pret të fitojë diku rreth 7-8 këshilltarë. Është me rëndësi pra që këta 7-8 të parët në listë të jenë nga brumi i të dëgjueshmëve. Sipas të gjitha gjasave në këtë grup do të jetë Filani. Sa për Fistekun, ai i duhet partisë për të mbledhur vota dhe nuk mund të injorohet, por pasi është lojtar ekipi e dijnë se do të ndihmojë partinë edhe nëse nuk i pëlqen lista. Nëse insiston me çdo kusht, ai fundja mund të jetë pjesë e grupit fitues, por partia preferon që disi të merret vesh që ai të tërhiqet. Në këshill duhen “ushtarë të disciplinuar” si Filani, e jo “idealistë” si Fisteku. Pra Fisteku duhet disi të bindet se do t’a ketë më mirë diku tjetër. Kështu ai do të angazhohet në zgjedhje, pa përbërë problem më pas në qeverisje.

Është e qartë pra se listat e mbyllura do të prodhojnë plot këshilltarë Filana, e tek-tuk ndonjë Fistek.

Listat e hapura. Partia përsëri duhet të kandidojë 20 kandidatë dhe përsëri pret të fitojë 7-8 këshilltarë. Por ajo nuk e ka më nën kontroll renditjen e tyre dhe nuk përcakton që më parë se kush do të jenë ata 7-8 fitues që do të bëhen këshilltarë. Tani në zgjedhje përskaj partisë duhet të votohet kandidat konkret, Filani ose Fisteku. Kontrolli ka kaluar nga duart e partisë në duart e qytetarëve.

Në teori partia mund të kandidojë 20 Filanë, por kështu rrezikon të humbë shumë vota dhe të bëhet irelevante në nivel lokal. Sipas të gjitha gjasave ajo do të bëjë një listë të përzier me Filanë e Fistekë dhe do të shpresojë që të zgjidhen sa më shumë Filanë. Por tani është populli ai që vendos. As Filani, as Fisteku, nuk mund më të llogaritin vetëm te partia, por duhet të dalin e të trokasin derë më derë për të fituar vota për vete. Ndërsa qytetari që e ka pritur kandidatin te dera, e më pas ja ka dhënë votën, nesër do të dijë kujt t’i kërkojë llogari për hallet e komunës. Me lista të mbyllura votohet për parti, por qytetari nuk mund t’a kapë për fyti gjithë partinë kur bëhet e shurdhër ndaj kërkesave të tij. Me lista të hapura, kur ai voton dikë me emër e mbiemër, “kapja për fyti” bëhet mëse e mundshme.

Këshilltari përherë do t’a ketë frikë dhe do t’a dëgjojë atë që e ka zgjedhur, me shpresë që të zgjidhet përsëri. Në lista të mbyllura ai ja ka frikën partisë, sepse ajo mund t’a lërë jashtë pozitave fituese 7-8. Ndërsa me lista të hapura ai do t’i frikësohet popullit, sepse herën tjetër ai mund të shkelmojë Filanin dhe të përcaktohet për Fistekun, pa ndryshuar bindjen partiake. Kontrolli del prej partisë dhe shkon te qytetarët.

Më shumë Filanë apo më shumë Fistekë? Këshillat komunalë, apo dhe postet tjera publike më gjerësisht, përherë do të jenë një përzierje Filanësh e Fistekësh, sepse fundja i tillë është vetë elektorati. Mirëpo është e qartë se sistemi me lista të mbyllura favorizon tipa si Filani ynë, pa qëndrime vetanake dhe që ju përgjigjet veç atyre “më lartë”. Ndërkaq listat e hapura do të favorizojnë tipa si Fisteku, të padëgjueshëm ndaj elitave por të afërt me bazën, me “ata poshtë”. Sistemi i mbyllur lë vendimmarrjen në duart e një grushti njerëzish në krye të partive; ai i hapur e afron drejt qytetarëve. Mu për këtë sistemi i hapur do të luftohet me gjithë forcë nga elitat politike, por për të njëjtin shkak tjerët duhet t’a kërkojnë me ngulm.

Zgjedhja është e qartë. Nëse duam të na udhëheqin Filanët do të vazhdojmë me lista të mbyllura; nëse duam të na përfaqësojnë Fistekët do të kërkojmë lista të hapura!

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button