Thaçi arrin të mbledhë vetëm disa nga subjektet politike në konsultime

Ftesës së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për takim konsultativ me subjektet politike që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës, i janë përgjigjur koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, si dhe disa subjekte të komuniteteve joserbe, njofton REL.

Ndërkaq, pjesëmarrjen në këtë takim e kanë refuzuar subjektet politike të radhitura pas koalicionit PAN, Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativës, por edhe Lista Serbe. Përfaqësuesit e këtyre subjekteve nuk kanë pranuar që të marrin pjesë në këtë takim.

Ditën e premte, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e kanë quajtur të panevojshëm takimin e ftuar nga presidenti Thaçi.

Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt politik i dytë më i madh për kah numri i votave në Kuvendin e Kosovës, përmes rrjetit social Feacebook ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në takimin e presidentit Thaçi.

Thaçi nuk ka asnjë kompetencë ligjore që t’i ftojë subjektet politike për t’u konsultuar lidhur me ditën dhe datën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit dhe ne nuk kemi asnjë obligim ligjor që të shkojmë në këtë takim”, thuhet në deklaratën e Lëvizje Vetëvendosje.

Ngjashëm, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka paralajmëruar edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Si lider i LDK-së nuk do të marr pjesë as në takimin e ftuar nga Presidenti, sepse konsideroj që takimet e tilla janë të panevojshme dhe se ato po krijojnë hapësirë për huti dhe konfuzion dhe për të blerë kohë për manipulime të ulëta me deputet nga njerëz të caktuar të PAN-it dhe shërbëtorë të tyre”, ka thënë Mustafa.

Ditën e diel edhe Lista Serbe ka paralajmëruar se nuk do të jetë pjesë e takimit konsultativ të ftuar nga presidenti Thaçi.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se do t’i përgjigjet vetëm ftesës për verifikimin e mandateve, në përputhje me ligjin, por “nuk dëshiron që populli serb të gjendet ndërmjet dy përplasjeve.

Rakiq ka thënë se pasi që të dihet emri i mandatarit për formimin e qeverisë “do të bëj konsultime me Beogradin dhe do të sjell vendimin për ndonjë koalicion eventual”.

Sidoqoftë, konstituimi i Kuvendit të Kosovës, hapë rrugën që Presidenti i vendit t’i jap mandatin njërit prej kandidatëve të propozuar për kryeministër që ta krijojë Qeverinë e re dhe në këtë rast, në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit, kandidatit të koalicionit PAN-it, Ramush Haradinaj. Për formimin e Qeverisë së re, nevojiten së paku 61 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, i cili i ka 120 ulëse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button