Të paktën 24 të vrarë në sulmin me auto-bombë në Kabul

Të paktën 24 persona janë vrarë dhe 42 të tjerë janë plagosur, në atë që është përshkruar si sulm vetëvrasës me auto-bombë në Kabul, ka bërë të ditur një zyrtar i ministrisë së Punëve të Brendshme.

Zëdhënësi i ministrisë së Brendshme, Naxhib Danish, deklaroi se shpërthimi ka ndodhur në mëngjesin e sotëm në pjesën perëndimore të Kabulit dhe “ka goditur një autobus, i cili po bartte punëtorët e ministrisë së Minierave”.

Sipas tij, autobusi është shumë i djegur, mirëpo nuk ka konfirmuar nëse të gjithë të prekurit nga sulmi kanë qenë punëtorë të qeverisë.

Shkaqet e këtij shpërthimi, që ka ndodhur mëngjesin e sotëm nuk janë bërë të ditura.

Në zonën ku ka ndodhur sulmi banojnë hazaratë, pakicë etnike shiite në Afganistan.

Pjestarët e këtij grupi kanë qenë cak i sulmeve nga talibanët dhe grupe tjera ekstremiste sunite në Afganistan dhe Pakistan.

Askush deri më tash nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button