АNALIZË: Humnera e borxheve prej 363 milionë eurosh!

Është mirë që Ministria për Financa vendosi të bëjë evidencë të borxheve të fshehura që i kanë institucionet, komunat, ndërmarrjet publike, ministritë, mirëpo duhet të bëhet edhe përshkrim i detajuar i borxheve, ndarje e borxheve të maturuara dhe atyre jo të maturuara, komenton një pjesë e ekonomistëve për analizën javore ekonomike të Portalb.mk. Për herë të parë, ministria përkatëse e publikoi shumën e obligimeve të papaguara – e cila deri tani nuk ishte e njohur për publikun.

Regjistrim dhe përshkrim i borxheve të shtetit – si do të kthehen?

Mirë është që Ministria për Financa vendosi ta rrisë transparencën e financave publike, kjo është e mirëseardhur, mirëpo nevojitet analizë e detajuar e strukturës së borxhit nga disa aspekte, e cila nevojitet për t’u përgatitur strategji se si të kthehet ky borxh – komentojnë një pjesë e ekonomistëve.

“Borxhi i evidentuar është vetëm shumë e mbledhur dhe nuk ka kualitet analitik që mund të fitohet nga struktura e tij. Këtu, para së gjithash bëhet fjalë për atë se a bëhet fjalë për borxh i cili nuk është i maturuar (nuk ka kaluar afati valutor për pagesë), sa i përket borxheve për të cilat ka kaluar afati valutor i pagesës, pastaj a është borxh i vjetër, shumëvjeçar ose afatshkurtër, gjegjësisht a është ai i vjetruar, a janë duke u zhvilluar procese gjyqësore për borxhet” – komenton për Portalb.mk ekonomisti Pavle Gacov, i cili konsideron se për fillim shteti duhet ta analizojë strukturën juridike të çdo obligimi veç e veç.

Duhet të bëhet dallim ndërmjet borxheve të maturuara dhe atyre jo të maturuara, thonë ekonomistët nga “Finance Think”.

“Transparenca fiskale është proces që duhet të avancohet vazhdimisht. Në këtë drejtim, Ministria për Financa duhet të vazhdojë me publikimin e shumës së obligimeve të maturuara, e të cilat nuk janë paguar, si informatë e rregullt që mund të publikohet si gjendje në fund të çdo muaji. Për qartësim të gjendjes me financat publike, ministri në fillim të mandatit të tij, duhet të japë përgjigje në disa pyetje kyçe për financat publike dhe ekonominë, në përgjithësi: shuma e obligimeve të maturuara që nuk janë paguar nga shteti ndaj kreditorëve të tij mbetet e panjohur. Në qoftë se ekzistojnë obligime të këtilla, e veçanërisht në qoftë se ato janë të mëdha, atëherë ministri duhet menjëherë të propozojë plan për pagesën e tyre, mirëpo ashtu që efekti i tyre mbi arkën buxhetore të mos jetë shumë i fortë” – thonë për Portalb.mk nga Instituti për hulumtime dhe politika ekonomike.

Pas shumë vitesh të kaluara në spekulime dhe licitime për atë se sa është borxhi shtetëror ndaj sektorit privat, kjo është hera e parë që ministria përkatëse të publikojë informata fillestare. Prej atje thonë se në këtë fazë, qëllimi është të informohet publiku se ka obligime të cilat në njëfarë mënyre janë të fshehura, dhe tani shihet se ato ekzistojnë.

“Kjo është hera e parë që kjo temë të jetë plotësisht transparente ndaj publikut. Në konferencën për shtyp u prezantuan të dhëna të cilat Ministria për Financa i mori nga shfrytëzuesit buxhetorë, fondet, ndërmarrjet publike dhe komunat. Këto nuk janë të dhëna burimore të Ministrisë për Financa dhe ato u fituan në formë të përmbledhur, prandaj më e mira është që për të gjitha detajet t’i drejtoheni çdo institucioni veç e veç. Me qëllim që të gjitha këto informata t’i kemi në kohë reale, Ministria për Financa filloi të përgatitet për avancimin e softuerit” – thonë për Portalb.mk nga Ministria për Financa.

Me cilat para do të kthehen borxhet?

Faza e përmbledhjes dhe e vlerësimit të borxheve do të përfundojë – ajo që do të jetë me rëndësi në periudhën e ardhshme është se me cilat para do të paguhen obligimet, komentojnë ekonomistët. Ministria për Financa paralajmëroi se mendon për marrëveshje të re me Bankën Botërore.

“Në këtë moment është duke u negociuar me Bankën Botërore për një projekt për t’u ballafaquar me këto obligime dhe për zhvillimin e mekanizmave për pengimin e tyre në të ardhmen” – thonë nga Ministria përkatëse.

Një pjesë e ekspertëve që i konsultuam thonë se përveç me kredi të volitshme, “pastrimi” mund të realizohet edhe me mekanizma të tjerë – siç është shlyerja e borxheve, mirëpo ky operacion është i ndërlikuar dhe do të varet nga disa faktorë, ku bën pjesë edhe vjetërsia e borxheve dhe pajtimi i kreditorëve.

Sipas llogaritjeve të “Finance Think” në lidhje me të dhënat e publikuara të ministrisë përkatëse, borxhi prej 363,2 milionë eurosh është 3,5% e PBB-së dhe 7,7% e borxhit publik. Pjesa më e madhe e obligimeve të papaguara i takon buxhetit qendror dhe ndërmarrjeve publike, njofton Portalb.mk

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria për Financa, fondet, ndërmarrjet publike, komunat, ministritë kanë borxh të përgjithshëm prej 363 milionë eurosh për arsye të ndryshme, mirëpo në këtë shumë hyjnë edhe borxhet rrjedhëse të disa firmave të cilat akoma nuk janë maturuar për pagesë. Mu për këtë reagoi edhe ndërmarrja shtetërore ELEM, e cila tha se ata si kompani nuk kanë borxhe të mbetura, por bëhet fjalë për obligime të cilat duhet të paguhen në periudhën e ardhshme. Sipas të dhënave nga ministria përkatëse, pjesa më e madhe nga këto qindra miliona euro janë rezultat i obligimeve të maturuara, mirëpo të papaguara. Nga komunat, borxhli më i madh është komuna e Ohrit me 11,5 milionë euro, pastaj vjen komuna e Tetovës me borxh prej 8 milionë eurosh, ndërsa komuna e Karposhit, me të cilën udhëheq Stevço Jakimovski, për arsye të ndryshme, ka borxh prej 7,7 milionë eurosh. Sipas veprimtarive, si borxhli më i madh janë institucionet e kulturës me obligime prej 40 milionë eurosh. /Portalb.mk

6 thoughts on “АNALIZË: Humnera e borxheve prej 363 milionë eurosh!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

rolex replica paypal patek philippe
VERZIONI DESKTOP