Maqedonia në NATO – mision i dështuar

Nuk është risi nëse thuhet që Maqedonia nuk do të bëhet anëtare e NATO-së në ardhmërinë e afërt, që përfundohet nga kushdo me logjikë politike dhe që lexon ndonjë gazetë serioze. Pakkush do të befasohej edhe nëse thuhet se udhëheqësit maqedonas nuk janë të bindur se shteti e ka vendin në Aleancë. Befasia më e madhe – ndonëse jo për të gjithë – është se as politikanët shqiptarë nuk kanë vullnet të sinqertë për anëtarësim, dëshmuar me shndërrimin e këtij prioriteti të deklaruar në artikull të imët për fushatë zgjedhore dhe pazar politik. 

Me eskalimin e krizës ukrainase, kalkulohet se Maqedonia mund të përfitojë duke u futur në Aleancë, pavarësisht çështjes së emrit. Kjo nuk do të ndodhë për disa arsye.

Së pari, me një Ballkan të rrethuar nga Aleanca, Maqedonia nuk ofron asnjë avantazh krahasues. Së dyti, tashmë janë humbur rastet kur Shkupi zyrtar ka pasur vërtetë argumente të pakontestueshme, si kontributi ushtarak në Afganistan, duke tejkaluar sipas proporcionit edhe shumë vende-anëtare të Aleancës. Së treti, nuk ka dëshmi serioze që elita politike në dy kampet etnike është vërtetë e përkushtuar për aleancë veri-atlantike, falë flerteve të shumta me lindjen, deri tani të pasuksesshme.

Përfundimisht, nëse është e vërtetë që kontesti i emrit nuk mund të zgjidhet pa presion nga jashtë, ai nuk do të ushtrohet mbi Greqinë, për shkak të rolit të saj në krahun lindor të NATO-së gjatë luftës në Siri, por gjithashtu edhe në aspekt të çështjes së Qipros, që e tejkalon Maqedoninë sipas rëndësisë gjeostrategjike dhe interesimit global për zgjidhje të shpejtë. Është plotësisht e vërtetë nëse thuhet s? NATO dhe vendet e saj kyçe kanë çështje shumë më kritike, brenda dhe jashtë kufijve.

Por, të mos harrojmë, është Maqedonia ajo e cila kërkon anëtarësim në ombrellën e grupit më të fuqishëm politik?-ushtarak, jo e kundërta. Ne duhet ta pyesim veten se si ndodhi që brenda dhjetë viteve, Maqedonia u shndërrua nga kandidati më i preferuar, në një rast të dështuar.

Për përkujtim, në vitin 2004 nuk ekzistonte shteti i Malit të Zi, që sot me ngulm kërkon anëtarësim me potencialin e saj detar.

Pa gatishmëri për përballje të këtillë me realitetin, krijohet klimë ku fajësohen gjithë tjerët. Duke mos e nënvlerësuar peshën e problemit me emrin, politika zyrtare e Maqedonisë jep pak argumente për ta dëshmuar konkretisht përkushtimin verbal. 

Në rastin e krizës në Ukrainë mungon madje edhe mbëshetja verbale. Nuk ka asnjë rresht deklaratë zyrtare ku harmonizohen qëndrimet ndaj Rusisë me ato te vendeve të NATO-së, kryesisht Shteteve të Bashkuara si mbështetësi kryesor i Maqedonisë. 

Në sferën publike, nuk mund të injorohet koordinimi i qartë i mediave pro-qeveritare, ku ngjarjet në Ukrainë raportohen si përkthim i lajmeve të Russia Today, veglës zyrtare ruse për propagandë. 

Edhe nëse krejt kjo mund të shpjegohet disi, nuk ka si të arsyetohet roli i politikanëve shqiptarë në pushtet, të cilët pos vizitave pa esencë dhe foto-sesioneve në nivele të larta, nuk kanë asnjë dëshmi reale për ta mbështetur orientimin e deklaruar euro-atlantik. Askush nuk pret që ata ta zgjidhin çështjen e koklavitur të emrit (edhe pse para gjashtë muajsh, kjo premtohej pikërisht nga pjesëmarrësit shqiptarë në Qeveri), por e pakta që mund të bëhet është të mos manipulohet orientimi kryesor gjeostrategjik për një kolltuk ose profit çasti. 

Pas njëzetë viteve, kur të shihen gjërat në retrospektivë, do të jetë e pamundur të fshihet kontributi shqiptar në këtë dështim epokal. Anash folklor-historisë dhe glorifikimeve rreth oxhakut, do të ndeshemi me të vërtetën, njashtu si që sot turpërohemi nga veprimet e gabuara të udhëheqësve tanë pararendës gjatë momenteve thyese historike. Në ndërkohë, do ta mësojmë funksionimin e politikës në mënyrën më të vështirë. Humbja e kohës me krahasime se edhe Zvicra mbijeton pa qenë në NATO ose gajretit me poezi se dielli i shqiptarëve lind në perëndim, do te përballen me leksionin se jashtë integrimeve, kemi mbetur si Moldavia.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button