PORTRET KRIJUESI

Ndër pionierët dhe mësuesit e mirëfilltë të letërsisë shqipe në Maqedoni është pa dyshim edhe akademik Ali Aliu. Ai lindi më 1934 në Kranjë të Prespës, ku kreu klasat e para të shkollës fillore, për t’vazhduar më pas në Manastirin e ABC-së, që asokohe frymonte shqip. Normalen e filloi në Tetovë dhe e përfundoi në Shkup, kurse studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në Beograd. Më 1974 doktoroi në Prishtinë me temën: “Vepra dhe jeta e Petro Markos”. Një kohë bukur të gjatë qe profesor në Universitetin e Prishtinës, kurse nga viti 1996 është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Emri i tij u bë i njohur gjatë viteve të terrorit rankoviqian 1959-’69, kur punoi në gazetën “Flaka” dhe qe vazhdimisht nën survejimin e agjentëve të UDB-së. Kjo situatë kulminoi në vitin 1967, pas botimit të serisë së shkrimeve me titull “Tetova shikuar nga afër”, me të cilat Ali Aliu theu një tabu – guxoi të shkruajë për padrejtësitë e shumta që u bëheshin shqiptarëve. Këto shkrime u konsideruan inspiruese të demonstratave të njohura të Tetovës që shpërthyen në vitin 1968 dhe u bënë objekt analizash nëpër komitete qendrore dhe nëpër strofulla spiunësh, të cilët në eliminimin e Aliut nga skena e jetës publike kulturore shihnin rastin e avansimit në karierë.

Kur ndjekjet u bënë të padurueshme, profesor Aliut nuk i mbeti tjetër përpost të shpërngulet në Kosovë, që, pas plenumit të mirënjohur të Brioneve (1965), frymonte pak më lirshëm se poligoni i vjetër i disiplinimit të shqiptarëve – Maqedonia.

Në sajë të punës sistematike në fushën e letërsisë, Ali Aliu ia doli të shkruajë një mori veprash të vlefshme të sferës së kritikës letrare, të teorisë së letërsisë dhe të studimeve të botuara në faqet e revistave të njohura shqiptare dhe jo vetëm. Ai është dhe autor i disa antologjive të poezisë dhe letërsisë sonë bashkëkohore, i teksteve të shumta shkollore dhe i teorive të letërsisë.

Vokacioni i tij, pra, është ai i kritikut të letërsisë, i studiuesit të devotshëm, i vrojtuesit e analistit të kujdesshëm që ka ndikuar shumë në gjetjen e vendit të veprave letrare në shkallët e kierarkisë së vlerave. Në qendër të interesimeve e vuri letërsinë bashkëkohore, kurse specialiteti i tij qe poezia lirike, përkatësisht lirika refleksive, që, siç shprehet vetë: është përplot shqetësim për fatet e qenies kolektive, për rrjedhat politike dhe moralin e kohës sonë…, poezia që s’është krejktësisht e hapur e që kërkon një mbathje teorike për të vënë kontakt normal me të…

Së këndejmi, kritikat mbi poezinë janë më kreativet dhe më të arrirat. Vështrimet e tij nuk u qasen anëve të përgjithshme të veprës, po kapin aspekte të veçanta të poezive, detaje të fuqishme që hedhin dritë mbi tërësinë e një vepre dhe nxjerrin në pah atë që është esenciale në planin social, jetësor, njerëzor e veçmas në planin artistik. Si njohës i mirë i kodeve të komunikimit letrar, ai e ka autoritetin e ofrimit të një mundësie komunikimi, pa ua marrë të drejtën artdashësve për lexime tjetërfare, sepse një vepër e vërtetë arti komunikon me lexuesit në versione të pafundme.

Me një fjalë, Ali Aliu është krijuesi letrar, kritiku, esteti dhe studiuesi që ka bërë shumë për kulturën shqiptare. Ai është ndër studiuesit e rrallë që nuk ka baltosur krijuesit e ekskomunikuar shqiptarë. Ai ka përkrahur në vazhdimësi talentët e mirëfilltë të letërsisë, ua ka zgjatur dorën, i ka lavdëruar për krijimet e realizuara, por edhe ua ka tërhjekur vërejtjen për mangësitë e veprave. Për shkak të këtij përcaktimi, profesionalizmit dhe parimeve të kritikut të ndershëm letrar, ai është ballafaquar shumë herë me zemratën e mediokriteteve të cilët nuk i përmendi kurrë në veprën e tij, duke paguar kësisoj tagrin e të qenit kritik letrar në një mes të vogël si ky yni, ku secili njeh secilin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button