Gjermania paralajmëron shtetasit e saj: Kujdes në Turqi

Qeveria gjermane ka paralajmëruar qytetarët dhe kompanitë e saj se rrezikojnë arrestim arbitrar në turqi, transmeton Top Channel.

“Njerëzit që udhëtojnë drejt Turqisë për arsye private, apo biznesi duhet të tregojnë kujdes”, tha Ministria e Jashtme gjermane. Kompanitë përballen me rreziqe investimesh në Turqi për shkak të vakuumeve ligjore të vendit, tha ministria.

“Gjërat më absurde mund të ndodhin. Ju mund të keni udhëtuar drejt Turqisë prej vitesh, keni miq e të afërm atje që i keni vizituar, qytetarë turq që më pas janë konsideruar nga shërbimet sekrete turke si të afërt me lëvizjen gyleniste dhe papritur, ju jeni mbështetës të terrorizmit. Ju shkoni në një hotel që i përket një personi të tillë, apo gjendeni në një event kulturor të lidhur me të dhe e pësoni. Pra, qytetarë krejt të pafajshëm gjermanë, mund të kenë pasoja”, deklaroi ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel.

Gjermania protestoi para ambasadorit të Turqisë në Berlin pas arrestimit të gjashtë aktivistëve të të drejtave të njeriut, mes tyre edhe një shtetas gjerman. Ministria e Jashtme turke ka reaguar duke e quajtur ankesën e Gjermanisë të papranueshme dhe ndërhyrje direkte në drejtësinë turke.

Edhe zëdhënësi i Erdogan, Ibrahim Kalin tha se Turqia nuk mund ta pranojë qëndrimin e Gjermanisë.

Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, ka ndërmarrë një spastrim në institucionet shtetërore pasi oficerë të ushtrisë u përpoqën ta rrëzonin atë një vit më parë. Që atëherë, mbi 50 mijë vetë janë arrestuar, mes tyre 170 gazetarë dhe shumë politikanë të opozitës, akademikë dhe aktivistë.

Erdogan akuzon klerikun që jeton në SHBA, Fetullah Gylen si arkitekt të grushtit të dështuar. Turqia i ka dorëzuar qeverisë së Merkelit një listë me 68 kompani gjermane dhe individë, të akuzuar se mbështesin lëvizjen terroriste gyleniste, mes tyre edhe gjigantë industrialë si BASF dhe Daimler.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button