Protesta masive kundër Kupës së Botës

Forcat speciale të policisë në Brazil kanë lëshuar gaz lotsjellës dhe granata tymuese për të shpërndarë mijëra njerëz në qytetin e Sao Paulo, të cilët protestonin për koston e lartë të organizimit të Kampionatit Botëror.

Disa protestues hodhën gurë, ndërsa të tjerë dogjën goma dhe bllokuan rrugët. Ata thonë se janë të zemëruar për shpenzimin e miliarda dollarëve për organizimin e këtij turneu dhe jo për projekte sociale dhe strehim.

Protestat janë duke u mbajtur në disa qytetet të vendit latin, duke përfshirë edhe Rio de Janeiro-n. Pamjet tregojnë mijëra njerëz që marshojnë në orarin e pikut të trafikut në rrugën kryesore të qytetit brazilian, i cili do të presë ndeshjen finale të Kupës së Botës më 13 Korrik.

Gjithashtu edhe policia, mësuesit dhe nëpunës të tjerë civil ishin në grevë në të gjithë Brazilin.

Protestat në Sao Paulo po ndiqen nga afër nga qeveria, e cila po i sheh këto zhvillime si sfida sigurie, të cilat mund të ndodhin edhe gjatë zhvillimit të këtij turneu, i cili do të nis më 12 Qershor.

Protesta e nisur gjatë ditës në Sao Paulo është cilësuar si një nga më të mëdhatë e mbajtura ndonjëherë pranë stadiumit “Arena Corinthians”, i cili do të presë ndeshjen e hapjes së kampionatit.

Protestuesit janë shprehur se kërkojnë strehim dhe jo stadiume në përputhje me standardet e FIFA-s.

“Qëllimi ynë është simbolik. Ne nuk synojmë të shkatërrojmë stadiumin, ajo që ne duam është më shumë të drejta për punëtorët, të cilët janë varfëruar më shumë me Kupën e Botës”, ka thënë Guilherme Boulos, kreu i Lëvizjes së Punëtorëve të Pastrehë.

Qeveria është përpjekur të minimizojë shkallën e trazirave të së enjtes, duke deklaruar se nuk ato nuk kanë lidhje me Kupën e Botës.

“Nga ajo që unë kam parë, këto janë kërkesa konkrete të punëtorëve dhe nuk kanë të bëjnë me Botërorin. Nuk ka asnjë arsye për panik”, deklaroi ministri brazilian i Sporteve Aldo Rebelo. /TCH

Lajme të ngjashme

Back to top button