Taçan: Mbështje nga NATO për agjendën e re reformuese

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi sot kishte takim me ndihmë-sekretarin shtetëror të NATO-s për diplomaci publike, Ildem Taçan, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni.

Siç njofton kabineti i kryetarit të Kuvendit, Taçan e ka theksuar mbështetjen e mëtejshme të NATO-s për përmbushje të agjendës ambicioze reformuese të Qeverisë së re të Republikës së Maqedonisë, posaçërisht në planin e qeverisjes së të drejtës, përforcimit të shoqërisë multietnike dhe parimet e Marrëveshjes së Ohrit, por edhe ruajtjes së marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

“NATO e inkurajon Republikën e Maqedonisë në drejtim të implementimit të agjendës reformuese dhe vendosje të relacioneve më të afërta me të gjithë vendet-anëtare të NATO-s në bazë bilaterale, të japë prezantim të mirë të Programit vjetor kombëtar para Këshillit Veri-atlantik dhe posaçërisht Kuvendit të Republikës së Maqedonisë përmes Delegacionit të saj në Asamblenë Parlamentare të NATO-s të tregojë angazhim të rritur dhe ta kthejë rolin kyç të parlamentit si vend i vërtetë për dialog real politik”, thuhet në kumtesë.

Xhaferi, thuhet, në takim ka shprehur falënderim për mbështetjen e dhënë nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg për zgjedhjen e Qeverisë së re dhe shumicës së re parlamentare, si dhe lidhur me proceset reformuese në shoqëri dhe në planin e integrimit të përshpejtuar të shtetit në NATO.

Kryetari i Kuvendit ka theksuar se Maqedonia tanimë 18 vite me sukses po e përgatit Planin vjetor për anëtarësim në NATO dhe ka potencuar se si zëvendësministër i mëparshëm i Mbrojtjes, ndërsa pastaj edhe ministër i Mbrojtjes, ka pasur angazhim dhe pjesë të madhe në përpjekjet për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO. Xhaferi ka shprehur bindje se vetëm me dialog konstruktiv me fqinjët lidhur me çështjet kontestuese, dhe me angazhim aktiv në realizimin e Planit 3-6-9, si dhe me miratim konsensual të Propozim-deklaratës për përshpejtim të proceseve reformuese dhe eurointegruese në BE dhe NATO, do të finalizohet “puna e papërfunduar” nga Samiti i NATO-s në Bukuresht në vitin 2008.

Bashkëbiseduesit kanë ndarë mendime pozitive rreth inkuadrimit të Malit të Zi si anëtare e 29-të e plotfuqishme e NATO-s, me ç’rast kryetari i Kuvendit ka theksuar se vizita e tij e parë zyrtare bilaterale ishte pikërisht në Mal të Zi, kur edhe personalisht ia ka transmetuar urimet e sinqerta për këtë sukses të madh, duke shfaqur shpresë të fuqishme se Republika e Maqedonisë për një kohë shumë të shkurtër do të jetë anëtarja e ardhshme e 30-të e Aleancës së NATO-s.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button