Ahmeti: Çka na duhet kryetari i Parlamentit nëse nuk flet shqip?

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti sonte në emisionin “Rruga drejt…” në TV Alsat M edhe pse i pyetur disa herë, nuk u përgjigj çfarë do të bëjë BDI pas shtatorit nëse vendi nuk bëhet anëtare në NATO, kusht i vetëm që sipas BDI-së, është bërë marrëveshja me VMRO-në për Qeverinë e re të Maqedonisë.

“Do të vazhdojmë të punojmë për ta jetësuar dhe materializuar platformën tonë dhe filozofinë tonë politike që e paraqitëm para qytetarëve gjatë zgjedhjeve.” përsëriste Ahmeti.

Ai madje, ndryshe nga ajo që shkruhej në kumtesën e tyre, tha se nuk ka premtuar kufizime kohore për anëtarësim të Maqedonisë në NATO.

“Do të punojmë pa vënë as datë as ditë si kufizim. Nuk premtoj kufizime kohore dhe nuk i mati gjërat në këtë kontekst. Unë nuk mund t’i ndryshoj afatet e zgjedhjeve në Greqi, në Bashkimin Evropian, Samitin e NATO. Të mos merremi tani me kushtëzime, ne marrim mesazhe nga ndërkombëtarët duke thënë se ka gatishmëri që bashkë ti mbyllim temat që janë plagë për Ballkanin”, tha mes tjerash Ahmeti duke marrë shembullin e 2009-tës për Kërçovën e cila u zgjidh 4 vite më vonë.

Kryetari i Kuvendit dhe postet kyçe
Vendimin për mos i kërkuar postet kyçe të cilat i premtoi gjatë fushatës, e arsyetoi duke thënë se është “marrë vendim i arsyeshëm për qëllime më të mëdha”.

“Platforma jonë ka 6 pika: integrimi euroatlantik, gjuha shqipe, konsensualiteti, parimet e qeverisjes, platformat dhe dikasteret. Gjuha shqipe ka zënë vendin e dytë sepse pak rëndësi ka kryetari i Parlamentit nëse ai nuk mund të flet shqip? “ tha Ahmeti duke potencuar se “Çka se shqiptarët nuk fituan poste, ata të paktën fituan ideja, kjo është e rëndësishme” tha ai.

Këshilla për Thaçin..
Sa i përket përfshirjes së PDSH në qeveri Ahmeti tha se BDI nuk ka qenë fare e kompleksuar sepse ka qenë e bindur se PDSH nuk do të bëjë gabim dhe të anashkalojë e të mos pranojë legjitimitetin e shqiptarëve, sepse sipas tij, u provua njëherë në 2006 dhe u dëshmua se kjo nuk funksionon.

“Thaçi tani duhet ta pranojë rolin e vet tani në opozitë dhe ta organizojë, menaxhojë partinë e vet dhe të jetë opozitë konstruktive. Nuk bëri mirë që PDSH i dha përkrahje Ivanovit. Na përkrahën për NATO-n por duke gërvishtur atë përkrahje” tha Ahmeti.

Ndarja e resorëve me VMRO-në
Ahmeti tha se negociatat nuk kanë filluar ende për ndarjen e resorëve dhe se grupet e punës po punojnë për harmonizimin e platformave. Për BDI-në nuk janë me prioritet dikasteret përpara çështjes së harmonizimit të platformave në të gjitha sferat.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button