Para Sabatos kam fjetë e jam zgju me Danten, Shekspirin, Hygonë…

Flasim përhanshëm me Manjola Brahaj-n.

– Si fle Tirana?

– Tirana është si nji vajzë e trazume dhe që nuk di me e zanë gjumi. Është e zhurmshme shumë, e potershme, deri edhe në rruginat e vogla dhe të humbura të lagjeve ka zhurmë deri vonë. E them këtë pasi ka vite që po jetoj, po flej dhe po zgjohem edhe unë me Tiranën. Kisha dashtë shumë që ajo me qenë më e qetë, më e lehtë për t’u jetu në të dhe për t’u përballu, por jo. Është e vështirë, e lodhshme, por deri diku edhe e bukur.

Shpesh, pasi ajo vendosë me fjetë, në orët e vona edhe i kam “ruajtë gjumin” siç ia ruajmë njerëzve të dashtun fort për ne. Ajo e heshtur dhe e shtrirë në zinë e saj të pamatshme që ia jep nata dhe unë, pikërisht atëherë, iu kam rrëfy, kam folë dhe kam shkru, duke i qëndru mbi kry.

– Për çka ëndërron më shumë?

– Më së shumti dhe para gjithçkaje ëndërroj të udhëtoj. Të udhëtoj pafund. Udhëtimet janë ëndrra dhe përmbushja ime e vetme, pas leximit. Kur udhëtoj, ndryshoj, mësoj, marr jetë nga secili vend ku shkoj, çfarëdolloj vendi qoftë ky. Marr prapë një përvojë të re edhe nëse kam shkuar aty me mijëra herë. Prapë më gjallëron udhëtimi, më duket sikur jam mbi kohën dhe e zotëroj atë. Në udhëtime edhe shkruaj shumë, aq sa po t’i mbledh poezitë e shkruara përgjatë udhëtimeve, do mund të bëhej pa ekzagjerim një vëllim poetik. Arsyeja thelbësore, besoj, se pse ëndërroj më së shumti udhëtimin, udhën në vetvete, procesin si të tillë, është pasi besoj se edhe ne, në fund të fundit, jemi veçse udhë.

– “Ç’flisni” me Sabaton në kafene në mëngjes?

– Me Sabaton? Eh… atë ditë kur mora Sabaton me vete për të pirë kafenë e mëngjesit, në fakt, po bisedoja me të për mungesën e pastërtisë te çdo gjë njerëzore. Në ç’kuptim? Sabato hidhte idenë se secila kulturë ka marrë që në gjenezë prej kulturave të tjera dhe është paradoksale të kërkosh pastërti dhe mungesë ndikimi. Ide në fakt që dihet tashmë dhe ka plot diskutime dhe mendime rreth intertekstualitetit, komunikimit ndërkulturor, si dukuri të mundësimit të kësaj mospastërtie, gjë të cilën asnjëri prej nesh nuk e mohon dot.  Sabato bënte një gjë shumë interesante, pasi hidhte dritë shumë të qartë mbi ndërtimin dhe formimin e kulturës dhe letërsisë ameriko-latine dhe të gjithë ndikimeve që ajo ka patur nga kultura evropiane. Qasjet e tij në atë lloj “bisede” që kisha atë ditë me të më bënë veçse ta dua akoma më shumë kulturën dhe letërsinë ameriko-latine dhe në mënyrë të veçantë, Sabaton, si një bashkëbisedues tejet interesant dhe tërheqës.

– Si duket një mik më i mirë se Belfjore?

– E vështirë me gjetë miq të mirë në jetë dhe akoma më e vështirë të gjesh mik të mirë sa Belfjore, që është mikja ime e pandashme, se për më të mirë se ajo nuk besoj se mund të ketë, të paktën për mua jo. Nëse do duhej ta përshkruaja këtë mikun më të mirë duke patur si krahasim apo model miken time, do duhej që ky miku në fjalë të kishte ca tipare të ngjashme me të saj ose të bënte ç’ka bërë ajo për mua; Të më gjendet pranë sa herë do kisha nevojë. Të dijë të flasë dhe të bisedojë për ide, për çështje e dukuri, jo për persona të veçantë. Të mos bëjë thashetheme, të mos shajë apo përgojojë të tjerët pas kurrizi, të jetë i sinqertë dhe të hapë shpirtin si shtrojë drejt meje. Të ketë lexuar shumë libra dhe të mund të diskutojë për ta. Të adhurojë kinematografinë dhe të më rrëfejë filmat që nuk i kam parë, e të më sugjerojë se çfarë duhet të shoh. Të më lexojë në anglisht Eliotin, duke ma nisë me audio edhe kur s’më ka afër, të më lexojë me zë Kazanzaqin, ndërkohë që udhëtojmë për të vajtur atje ku na çon shpirti. Të më flasë për orë të tëra për pikturat e Gojas. Të më përsërisë me qindra herë sa e adhuron Dostojevskin. Të më bëjë dhuratë për ditëlindje Niçen. Të më rrëfejë me qindra herë çdo skenë ku ka qarë duke parë “Pacientin anglez”. Të më këndojë këngët e preferuara vetëm mua. Të më mësojë të adhuroj detin, duke më shpjeguar se mbi të gjitha është dashuri. Të m’i lexojë i pari poezitë që shkruaj, duke më dhënë mendimin e çdo gjëje që shkruaj. Të më kritikojë dhe të ma thotë në sy kur jam gabim. Të më ftojë të shohim filma bashkë. Të gatuajë për mua. Të udhëtojë vetëm, për dhe me mua. Të më bëjë kurora me lule. Të eci përkrah meje në natyrë. Të dojë shumë gjëra që dua dhe unë. Të më fotografojë për të mbajtur kujtim lumturinë e ndarë dhe të jetuar me mua. Të jetë vetvetja dhe të ruajë fëmijën e parritur brenda vetes, pasi vetëm ashtu do të mund të më kuptojë.

– Cila stinë ngre krye më shumë nën lëkurën e Manjolës?

– Dikush që donte të më bënte për vete me ca fraza poetike më tha dikur: “Krejt stinët parajsore flejnë në lëkurën tënde”. Unë natyrisht që nuk e besova, pasi nuk vuaj nga ndonjë delir madhështie e as nuk besoj se jam hyjnore, por thellë-thellë, duhet me e pranu që m’u ba qejfi. Jam njeri. Femër – lule, e lindur në maj dhe në shpirt më rrinë e më flen më së miri pranvera, konkretisht maji. Ndoshta e shprehur poetikisht do të mund të thoja që ngre krye në lëkurën time, pikërisht kjo stinë lulnore.

– Ç’heroizëm mund të bëjmë që të mos vdesim si minjtë?

– Kur e kundroj realitetin në të cilin frymojmë dhe harxhojmë minutë pas minute jetën tonë dhe arrij të kuptoj se si është i ndërtuar dhe se si ka degraduar, pa ekzagjerim gjithçka, e shoh të pamundur. Pra, nuk na ka mbetë asnjë heroizëm për t’u bërë që me shpëtu. Jam shumë skeptike në këtë pikë. Fjala thuhet dhe nuk ka më peshë, bie në vesh shurdh. Ne jemi shndërruar në “skllevër” vetëm se kanë ndryshuar format e skllavërimit. Nuk ka më rrugë heroike si në luftëra për të shpëtu, por edhe përballja me këtë realitetin e përditshëm është një lloj lufte. Ndoshta do duhet të bëjmë secili aq pak sa kemi në dorë me çfarëdo lloj mjeti që kemi, që të mund të ndryshojmë sadopak fytyrën e këtij realiteti, sidomos ne që kemi vendosur të mos ikim nga vendi ynë, por të përballemi më atë që na ofron. Unë kam në dorë të mësoj dhe të përgatis nxënës me profesionin tim, do bëj aq sa të mundem dhe sidomos me dashuri. Dashuria është e vetmja shpresë dhe zgjidhje, pasi nëse gjërat do bëheshin me dashuri, çdo gjë do ishte krejt ndryshe. Ndaj duhet të bëjë secili prej nesh, punë të vogla në dukje, por që në fakt kanë vlerën e veprimeve heroike.

– Çka është më seksi se leximi?

– Më seksi se leximi, mendoj se është një femër që lexon.

– Çka s’do Zoti?

– Jam e bindur që Zoti nuk i don hiç krejt budalliqet dhe marrëzitë tona të pakufi. Marrëzi të tipit, vrasje e fëmijës nga prindi, apo e kundërta. Luftërat e panevojshme dhe vrasjet e të pafajshmëve, ndonëse shpesh paradoksalisht po bëhen dhe janë bërë në emër të tij, nuk besoj dhe jam e sigurt, që nuk i don. Të gjitha marrëzitë që vijnë nga mendjet e çekuilibruara dhe të etura për shfarosje, gjak dhe makabritete, nuk besoj se e kanë pranimin apo aprovimin e tij. Ndonëse shpesh dyshoj dhe i drejtohem brendësisë sime në kërkim të tij dhe dua shumë t’i kërkoj llogari për të gjithë këto gjëra, në fakt përgjigjja që marr është se ne jemi ata që e kemi në dorë. Ne njerëzit, nuk është Ai që po na urdhëron, as të vrasim, as të dhunojmë e as të tradhtojmë njëri – tjetrin.

– Përveç Bibliotekës Kombëtare ç’gjë tjetër do t’i dhuroje vendit tënd po ta qeverisje?

– Hipotetikisht po përpiqem ta imagjinoj sikur unë jam në një pozitë të atillë dhe i kam mundësitë për të bërë çfarë unë e mendoj si të drejtë dhe të nevojshme, po them kështu pasi në realitet edhe po të më jepet mundësia nuk do e pranoja dhe edhe nëse do ta pranoja e di që do të dështoj, pasi politika dhe pushteti nuk janë të përshtatshme për idealistët si puna ime. Gjithsesi do t’i dhuroja vendit tim një shtet social. Me ç’kuptim? Do të bëj të pamundurën për t’u ofruar asistencë dhe mbështetje nga shteti deri sa të shkollohen: fëmijëve jetimë, fëmijëve me një prind dhe sidomos familjeve ku është nëna kryefamiljare. Asistenca të arritshme, jo të fshehura pas njëmijë burokracive siç janë sot dhe kushte me mjete lëvizëse për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe për fëmijët që lindin me probleme. Mbështetje më të madhe për të moshuarit, pasi sot nuk u dalin lekët as për ilaçet. Arsim dinjitoz dhe vlerësim të figurës së mësuesit, duke reduktuar sa më shumë burokracitë që po i zënë frymën sistemit dhe po i kthejnë fëmijët dhe mësuesit në makina. I shoh çdo ditë këto mungesa dhe do doja të kishim një njeri para së gjithash human, që i sjell këto ndryshime. Shqipëria ime, vendi ku unë jetoj, DUHET të jetë një shtet më social.

– Përse nuk je “e ktuhit”?

– Kur kam shkruar poezitë e librit tim të dytë që mban këtë titull, por edhe më përpara dhe natyrisht edhe më pas, kam pasë dhe e kam shpesh ndjesinë se nuk i përkas këtij vendi ku jetoj, as kësaj kohe. Është ndjenja e tëhuajësimit që më ka shoqëruar gjatë në jetë që ka bërë që të lindë një libër si “Na nuk jena t’ktuhit”. Dhe e tërë kjo ndjesi shpesh më ka shtyrë të mendoj se prej kah vijmë dhe ku shkojmë? Prej çfarë bote jemi dhe te cila botë do mbërrijnë shpirtrat tanë dhe nëpërmjet vargjeve, natyrisht, kam dhanë me kuptu që e cilësdo bote qofshim, në këtë ku jemi jemi kalimtarë dhe nuk jemi asnjëri prej nesh t’ktuhit. Pra, as unë.

– A ke provu lumturi më të madhe sesa kur të vjen motra e madhe?

– Po kam provu plot lumturi të mëdha në jetën time të vogël e të trishtë. Lumturi ma të madhe se ardhja e motrës dhe takimi me të, ka qenë për mua lindja e nipit, momenti kur ai më thërret dhe më kërkon, nuk ka lumturi ma të madhe për mua. Por, kam edhe lumturi të tjera, si përqafimi i mamit, prania e motrës së parafundit dhe diplomimi i saj, martesa e vëllait, përfundimi i Doktoraturës etj., etj., etj.

– Ku keni “me dashtë me u kthy”?

– Ashtu siç e kam thënë edhe tek poezia që mban këtë titull, në fëmijëri dhe askund tjetër. Vetëm për atë kohë kam nostalgji dhe dëshirë tmerrësisht të madhe për t’u rikthyer edhe njëherë në kohë dhe me i rijetu gjërat që kam jetu. Me i pasë edhe njëherë njerëzit që nuk i kam ma. Me e ndie dashninë e tyre edhe njëherë si dikur.

– Pse mendon që Kosova të do më shumë se Shqipëria?

– Mendoj kështu sepse kam një lidhje të pashpjegueshme dashnie e shoqëruar me nostalgji që prej ushqimit që më ka bërë im atë që kur Kosova ka qenë në luftë. Dhe pasi mbaroi lufta dhe m’u dha mundësia ta vizitoj atë tokë, atje gjeta dhe vazhdoj të kem miq të mirë shumë, njerëz fantastikë, mikpritës dhe me kulturë të jashtëzakonshme. Janë këta njerëz që më kanë pritur mirë gjithmonë, kanë promovuar veprat e mia atje, duke shkruar për to, dhe besa Kosova më ka dhënë edhe çmime dy a tre herë. Janë bërë shkas që edhe libri im i dytë të botohet pikërisht nga një shtëpi botuese e Kosovës dhe për më tepër pa asnjë shpenzim timin personal. A kam faj tani unë që mendoj se Kosova më don më shumë se Shqipëria?

– Nëse fshati është parajsa jote e humbur, ku e gjen parajsën artificiale?

– Parajsën artificiale e gjej vetëm kur lexoj ose shkruaj. Janë këto dy momente që pashkëputshëm janë të lidhura me dhe pa vetëdije prapë me fshatin dhe rikthimin në fëmijëri. Sidomos kur shkruaj, reminishencat, lidhjet, shtresëzimet e përjetuara dhe të mbjellura me fshatin që në lindje dalin në detaje dhe fjalë të çdo poezie timen. Dhe vetëm në këtë formë arrij të krijoj një “Parajsë artificiale” e cila më përket mua e që vetëm unë shpëtohem në të.

– Përse luten njerëzit?

– Secili mund të ketë dhe ka arsyet e tij për t’u lutë. Se përse luten të gjithë nuk mund ta them, por jam e bindur se secili prej nesh lutet për diçka që i mungon, për diçka që nuk e ka, për diçka që i shkon keq dhe dëshiron t’i rregullohet. Sa për veten di të them se shpesh lutem me gjetë qetësi shpirti im dhe me mujtë me e përballu jetën. Lutem për mamin, që ajo të gjejë qetësi dhe të kthehet me aq sa është e mundur në harmoninë e dikurshme. Lutem që ajo fuqi e mbinatyrshme që e besojmë që ekziston të më ndihmojë me qenë deri në fund vetvetja.

– Në “shtetin ideal” të Platonit do i thoje atij “s’jam e ktuhit”, apo “e ndiej se kam qenë ktu”?

– Do i thoja “Nuk jena t’ktuhit” as unë, as ti që po përpiqesh të japësh modelin e shtetit ideal.

– Kush nuk beson ende që ti je një poete shumë e mirë?

– Unë.

– A ke ndonjë mënyrë për të harruar?

– Po kam. Kur dua të harrohem, dal me njerëz që i dua dhe ndaj kohën duke biseduar. Hutohem. Flas shumë. Eci. Ose kam edhe një rrugë të dytë, përkthej. Kur dua të harroj dhe të mos kujtoj nëpërmjet krijimit personal, ulem dhe përkthej ndonjë autor që dua. Dhe pasi përkthej ndihem sikur jam ringjallë dhe kam harru, të paktën për momentin, ato që doja me harru.

– Ku shkruhet më shumë poezi?

– Përveç facebook-ut nuk po di se ku po shkruhet më shumë poezia. Unë nuk shkruaj shumë poezi dhe nuk e konsideroj veten poete që mund të konsiderohet deri nesër voluminoze, jo. Unë jam e duruar dhe rri e pres poezinë derisa të vijë. Ajo vjen vet tek unë, rrallë, por vjen më së miri.

– I pari që të vodhi zemrën ishte Sabato, apo ka të tjerë?

– Po ka të tjerë. Ka plot të tjerë. Sabato ka ardhur tek unë më vonë. Para tij kam fjetë e jam zgjuar, i kam pasë dhe i kam në mendje e zemër emra si: Dante, Shekspir, Hygo, Dostojevski, Brodskij, Cvetajeva, Bodler, Rembo, Migjeni, Camaj, Rilke, Lorka, Paz, etj., etj. dhe diku afër Lorkës dhe Pazit ka filluar dhe shoqëria me Sabaton, me të cilin jam njohur nëpërmjet Tunelit.

– Ku e ka fundin tmerri?

– Nuk ka fund.

– Shpresa kur jep shpirt?

– Kur nuk ka dashuri. Kur nuk mund të jepet dhe të ushqehet më dashuri. Aty merr fund gjithçka, me to dhe shpresa.

– Cili poet s’të le të qetë?

– Ka gati një vit që e njoh dhe nuk kam në mendje askënd tjetër. Është e frikshme, mizore, mistike, e çmendur, e trishtë, e adhurueshme, e jashtëzakonshme me vargun, poezinë dhe mendimin e saj. Ajo është Alejandra Pizarnik. Shpirti im binjak në vargje ose unë e gjej veten tek ajo më shumë se tek askush tjetër. Dhe kjo gjë sa më lumturon, po aq edhe më tremb, se në fakt nuk dua të më ngjajë dikush, e as t’i ngjaj dikujt në vargje.

– Cilat vargje të sillen?

– Vargjet që të enden nëpër mend shpesh ndryshojnë nga koha në kohë. Për shembull, kam pasur një kohë, kur isha në gjimnaz, që më kujtoheshin dhe rikujtoheshin vargjet e këngës së parë të Ferrit të Dantes. Ka pasë ca kohë, kur isha në fakultet, që më kujtohej dhe rikujtohej një fragment nga Lokja e Mjedës. Pastaj, ndoshta ngaqë edhe e përktheva, vargjet e Poemës XX të Nerudës. Kurse tani kam pak kohë që më enden në mendja vargjet e Pizarnik: “Zotëri, kafazi është bërë burg”…

– Ndez e kuqja e flokëve tua më shumë apo poezia?

– Ata që kanë lexuar poezitë e mia e dinë fort mirë që e kuqja e poezive është ajo që ndez dhe i lë në hije të gjitha të kuqet e tjera bashkë me nuancat e tyre.

– Çka i bën të shkuarës?

– E përdor dhe e shoh si përvojë për t’u rritë dhe për të mësuar nga ajo. Ashtu siç herë të tjera jetoj me të dhe mbahem prej saj, pasi sado që mundohem nuk i iki dot, është pjesë e imja. Nëse unë eci bashkë me çdo gjë që kam jetu, nëse ndalem po ashtu.

– T’ishe boshti i botës, do ishte e sigurtë bota?

– Jo, nuk besoj se do të ishte e sigurtë bota edhe po të isha boshti, pasi nuk besoj tek ekzistenca e përsosmërisë njerëzore. Rrjedhimisht as unë nuk jam e tillë, e duke mos qenë e tillë, nuk do mund ta mundësoja sigurinë e botës.

– Si duket jeta me një valixhe?

– Jeta me një valixhe? Varet gjithmonë se çka ka ajo valixhe. Pasi ajo mundet me qenë gjithçka për ne. Gjithçka kemi kalu dhe gjithçka që do të kalojmë në të ardhmen. Ajo valixhe mundet me qenë nji gur i vogël mbi të cilin dhe me të cilin ne do mund të ndërtojmë jetën dhe veten. Prandaj, jeta me një valixhe më duket sa poetike, po aq edhe e trishtë, sa e vogël po aq dhe e pamatë.

– Çka s’është poetike në Manjolën?

– Shumë gjëra nuk janë poetike në Manjolën dhe këtu mund të përfshihet çdo gjë që ka të bëjë me punën, me sakrificat dhe përballjet e vazhdueshme që bën qenia ime në përditshmëri për të mbijetuar, për të plotësuar nevojat jetike. Pastaj në përballje të tilla has: drama personale, situata dhe dukuri tragjike, po ashtu ngjarje dhe ndodhi mediokre, ndoshta dhe më pak se mediokre. Dhe je e detyruar t’i përballosh, t’i kalosh, të jetosh me to sepse janë aty rreth teje, mbi ty dhe fatkeqësisht hyjnë dhe në ty, duke zbehur, mënjanuar dhe larguar poetiken brenda teje. Ndaj këto gjëra jo poetike që godasin nga jashtë Manjolën, e bëjnë shpesh jo poetike atë. Ashtu, siç shpesh këto lloj situatash dhe goditjesh është Manjola ajo që i shfrytëzon e i përdor si brumë dhe material për t’i bërë ato poetike dhe pjesë të vargut.

– Nëse s’ishe e ktuhit, më fal, prej nga ishe?

-Në fakt vazhdoj të mos jem e ktuhit dhe folja nuk duhet të jetë në të shkuarën. Siç e shpjegova pak edhe më sipër në një pyetje që më bëtë, nuk bëhet fjalë për një vend konkret, siç shpesh e ka kuptuar apo interpretuar lexuesi naiv, duke më thënë që ne e dimë që nuk je nga Tirana, je e ardhur dhe ndaj shprehesh kështu. Biles edhe duke më dhënë mend “s’ke nevojë të shprehesh ashtu, ne të gjithë jemi nga vende të ndryshme”, pa mundur të shkojnë më tutje se sipërfaqja e tekstit. Kur në fakt teksti flet për një botë, për një botë që vazhdon, rrjedh, që nuk është as këtu e as atje. Unë besoj në këtë lloj udhëtimi të shpirtit dhe e di që kam ardhë nga diku dhe që do iki prapë, për të shkuar s’di se ku… Ndaj dhe them se nuk jam e ktuhit.

– Kush je ti?

– Nuk e di. Jam në kërkim të këtij zbulimi të bukur. Di të them që po më befason, për veten nuk di të them tjetër gjë. Të tjerët ndoshta do mund të thonë më shumë për mua, pasi për secilin jam një Manjolë e veçantë, varësisht nga përvoja dhe këndi i vështrimit, nga koha që ka frymuar me mua dhe nga mënyra se si më është afruar, me shpirt, me imagjinatë, me arsye apo pa arsye…

Autore – Xhemazije Rizvani

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button