Të hënën përfaqësuesit e partive politike takohen me Thaçin

Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, ka vendosur që javën e ardhshme të mirëpresë të gjitha partitë politike parlamentare, për të diskutuar për situatën e pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit.

Për takimin konsultativ me forcat politike në vend, ftesat tashmë janë bërë gati kurse si e takimit me partitë, Presidenti ka vendosur të caktojë të hënën e 24 korrikut.

Para thirrjes së seancës konstituive të Kuvendit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur të ftojë për ditën e hënë, të gjithë spektrin politik në vend. Ai do t`i presë në takim konsultativ. Kjo konfirmohet për RTK-në, nga Ardian Arifaj, këshilltari i Presidentit të Republikës.

“Presidenti në përputhje me mandatin e tij ka vendosur t’i ftojë përfaqësuesit e partive që kanë fituar ulëse në një takim konsultativ të hënën në orën 10 që të merren vesh për datën se kur preferojnë të mbahet mbledhja konstituive e Kuvendit”, deklaroi Arifaj.

I pyetur se kur pritet që presidenti të thërrasë seancën për konstituim të Kuvendit dhe të emërojë mandatarin për formimin e Qeverisë, Arifaj tha se gjithçka pritet të ndodhë në kuadër të afateve kushtetuese dhe pas konsultave me partitë politike.

“Nuk janë ende as 10 dytë prej kur janë certifikuar rezultatet. Jemi brenda afateve ligjore kohore për thirrjen e seancës. Sepse së pari thirret seanca e pastaj, pasi verifikohen mandatet e deputetëve, do të pasojnë hapat tjerë për dhënien e mandatit për formimin e Qeverisë”, deklaroi ai. Sipas Arifaj, ftesat për takim konsultativ me partitë politike, tashmë janë gati dhe ato pritet t`u dërgohen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button