Shkup, Pribe teston gjendjen e gjyqësorit

Eksperti për çështje juridike nga Gjermania Rajnhard Pribe, përmes takimeve zyrtare me përfaqësues të të gjitha trupave të sistemit gjyqësor të Maqedonisë, është duke e hartuar skicën e parë për gjendjen e sistemit gjyqësor vend, njofton TV21. Ai dhe ekipi i tij u takuan me njeriun e parë të Këshillit të Prokurorëve Publikë, Petar Anevskin. Më pas ai u takua edhe me disa përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë. Në lidhje me sistemin gjyqësor të Maqedonisë, Pribe dhe ekipi i tij do të dalin me vlerësim vetëm pas përfundimit të analizave, përcjell Portalb.mk.

Pribe: Jam në proces të realizimit të takimeve. Ju lutem kuptoni që nuk kam komente.

Gazetari: Kur të përfundoni me takimet, a do të dilni me qëndrim?

Pribe: Me siguri se po, u shpreh Rajnhard Pribe, ekspert nga BE.

Se Pribe do t’i sugjerojë institucionet e vendit për t’i zbatuar rekomandimet e tij të dhëna qysh në vitin 2015, këtë sot e konfirmoi nga Brukseli edhe eurokomesari për zgjerim dhe politikë fqinjësore Johanes Han.

“Për momentin, në Maqedoni ndodhet një ekip i përbërë prej ekspertëve të sundimit të së drejtës i udhëhequr nga Rajnhard Pribe. Ata janë duke realizuar takime me përfaqësues të institucioneve të ndryshme të cilëve do t’u sugjerohen vërejtjet nga viti 2015  me qëllim që ta këshillojnë qeverinë për atë se si t’i zgjidhin problemet sistemore me sundimin e së drejtës”, u shpreh Johanes Han, uurokomesar për zgjerim.

Për zbatimin e rekomandimeve të Pribes dhe për reformimin e gjyqësorit do të punojë një këshill dhe një grup pune pranë Ministrisë së Drejtësisë. Zëvendësministri Oliver Ristovski për TV21 thotë se Grupi punues brenda dy muajve do të duhet të përgatisë një strategji. Ai është optimist se vendi mund ta përmirësojë gjendjen e gjyqësorit. Në raportin e Pribes, përpos gjyqësorit dhe prokurorisë, mangësi të mëdha u identifikuan edhe në sferën e ndjekjes së komunikimeve, mbikëqyrjes së jashtme të trupave të pavarur, mënyrës së organizimit të zgjedhjeve dhe lirisë së mediave. Konsiderohet se ngecja në këto fusha rezultoi me krizën e thellë politike në të cilën u zhyt Maqedonia, deri në ndërrimin e pushtetit.

“Nëse ka vullnet politik dhe nëse e kemi mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara, konsideroj se do të mundemi. Grupi punues menjëherë do të fillojë të përpilojë një projekt-strategji. Ne si ministri e drejtësisë, këtë do ta përfundojmë deri në mes të shtatorit dhe diku nga tetori, ajo do të duhet të gjendet në seancë të qeverisë”, tha Oliver Ristovski, zëvendësministër i Drejtsisë.

Mbrëmë, eksperti gjerman me ekipin e tij u takua edhe me gjykatësit e Gjykatës Penale në Shkup. Pribe u takua edhe me kryetarin e Gjykatës Supreme Jovo Vangellovski. Deri në fund të javës, ai duhet t’i përfundojë takimet në Shkup, pas çka pritet t’i ofrojë rekomandimet e ardhshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button