Niveli i poshtërimit në deklaratën e përbashkët të BDI-VMRO

A e keni vënë re se si fillon deklarata e ‘përbashkët’ e VMRO-së dhe BDI-së për formimin e qeverisë së re, e lëshuar me 10 maj. 
Siç mund ta lexoni edhe vet aty nuk flitet fare për dy partitë fituese në dy komunitetet më të mëdha, as për respektimin e vullnetit të elektoratit të dy komuniteteve, as për legjitimitetin e votës shqiptare, siç manipulon BDI. Aty flitet vetëm për fitoren e besimit të shumicës së qytetarëve në vend dhe jo të dy komuniteteve. 

Dhe sipas logjikës së deklaratës, kushtin e paraparë edhe me Kushtetutë për fitoren e besimit të shumicës së qytetarëve VMRO-DPMNE e plotëson edhe me PDSH-në. Prandaj, formulimi “VMRO-DPMNE dhe BDI si parti që fituan besimin e shumicës së qytetarëve” nënkupton se, nëse do të donte VMRO, ose nëse do të dojë në të ardhmen, ajo mund ta krijojë shumicën parlamentare edhe me PDSH-në apo me parti të tjera, duke e lënë BDI-në të vazhdojë të mashtrojë shqiptarët për gjoja parimin e respektimit të votës së shqiptarëve, gjë që nuk ekziston as në MO e as në Kushtetutë. Çështja është thjesht se kë do ta marrë VMRO-ja në qeveri. Se shprehja ‘besim i shumicës së qytetarëve’ nënkupton qyetetarët në përgjithësi në vend (siç e parashikon Kushtetuta) dhe jo besimin e shumicës së komuniteteve veç e veç (siç manipulon BDI me deklaratën) dëshmon edhe fakti se BDI në zgjedhjet e vitit 2011 hyri në qeveri edhe pa fituar besimin e shumicës së qytetarëve shqiptarë, megjithëse doli partia më e madhe shqiptare në ato zgjedhje. 

Duket qartë se deklarata është shkruar nga VMRO-ja dhe i është dhënë BDI-së vetëm për nënshkrim formal, pa marrë në konsideratë asgjë nga ato me të cilat BDI në vazhdimësi i ka mashtruar shqiptarët. Deklarata e “përbashkët”, e lëshuar të nesërmen e lajmit të ALSAT-it se gjoja Aliu nuk lëshon pe, ndjek logjikën e mospërfilljes së BDI-së, pas mosdhënjes asaj as të postit të Kryetarit të parlamentit. Në deklaratë nuk thuhet asgjë, absolutisht asgjë, për asnjë nga çështjet që i tangon shqiptarët, p.sh. bërja e gjuhës shqipe gjuhë zyrtare në gjithë vendin – me të cilën gjoja Aliu e kërcënonte Gruevskin para 27 prillit, por që e harroi menjëherë sapo erdhi 28 prilli.

Tashmë është e qartë se BDI-ja ka një sjellje mburravece me fjalë të mëdha dhe premtime pompoze kur i drejtohet opinionit shqiptar dhe një zë të mekur e sjellje lypsari kur del përpara VMRO-së. Kjo kthehet në rrëfim tragji-komik kur lexon deklaratën e shkruar ‘të përbashkët’ VMRO-BDI dhe e krahason atë me krekosjen qesharake të zëdhënësit të BDI-së në MTV2 se në deklaratë u konfirmua parimi i legjitimitetit të dyfishtë.

Është ‘mahnitëse’ se si, në mungesë të argumenteve dhe sukseseve të arritura dhe në një situatë dështimesh të gjithanshme, partia shqiptare në pushtet, BDI, arrin një shkallë të tillë demagogjie dhe mashtrimi, duke e kthyer gënjeshtrën në ‘art’ në vetvete dhe në mekanizëm ‘argumentues’, aq sa të kujton deklaratën e famshme të akademikut serb Dobrica Qosiq për gjënjeshtrat që përdorin vet serbët: “… gënjejmë për të mashtruar veten, për ta ngushëlluar tjetrin, gënjejmë nga turpi, gënjejmë për tu trimëruar, për ta fshehur mjerimin tonë. Gënjeshtra është formë e patriotizmit dhe dëshmi e intelegjencës tonë të lindur. Gënjejmë në mënyrë kreative, me mjeshtëri dhe invencion.“

Lajme të ngjashme

Back to top button