Komuna e Tetovës deklarohet për protestën e bujqve

“Si pasojë e aksionit te Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë për mënjanimin e shitësve ambulant me shumicë të produkteve sezonale nga rrugët e qytetit të Tetovës, sot një grup i shitësve protestuan përpara objektit të Komunë së Tetovës për të shprehur pakënaqësinë e tyre nga ky aksion”, thonë nga Komuna e Tetovës, pasi sot me protestë njëorëshe dhe bllokim me traktorë të rrugës para ndërtesës së komunës në Tetovë shumica e bujqve nga ky rajon e shprehën revoltën e tyre për mungesën e lokacionit përkatës për shitjen e prodhimeve të tyre bujqësore

“Përfaqësuesit e shitësve u pritën në takim nga ana e autoriteteve komunale, me ç’rast u dëgjuan kërkesat e tyre dhe u diskutuan mundësitë për një zgjidhje afatshkurtër të problemit të tyre rreth gjetjes të një lokacioni adekuat ku ata do të munden të ushtrojnë aktivitetin e tyre ekonomik, në mënyrën e cila nuk do të pengonte komunikacionin dhe qarkullimin e lirshëm të këmbësorëve në trotuaret dhe rrugët qendrore të qytetit”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Ata shtojnë se NPK Tetova 3 vite më parë bëri promovimin e tregut të hapur me shumicë, në hapësirën përballë stacionit të autobusëve në Tetovë, mirëpo ky lokacion nuk u mirëprit nga shitësit ambulant të cilët me çdo kusht kërkonin të shisnin produktet e tyre në bulevardet dhe rrugët më të frekuentuara në qytet, dukuri kjo e cila, sipas Komunës, nga ana tjetër vështirësonte qarkullimin dhe rrjedhën normale të komunikacionit dhe qytetarëve.

“Komuna e Tetovës gjithnjë ka pasur qasje inkluzive dhe pozitive ndaj kërkesave të të gjithë qytetarëve e veçanërisht ndaj shitësve sezonal të produkteve bujqësore, duke pasur parasysh edhe respektuar elementin social dhe ekonomik të kësaj veprimtarie. Andaj besojmë që në ditët në vijim me angazhimin e të gjitha palëve do të gjendet një zgjidhje optimale rreth këtij problemi thuajse 20 vjeçarë në Komunën e Tetovës!”, shprehen nga Komuna e Tetovës

LEXO: Bujqit në Tetovë në protestë për lokacion përkatës për shitjen e prodhimeve të tyre bujqësore

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button