Idealizmi dhe materializmi i kohës moderne

Dilema filozofike dhe jetësore e një individi gjatë rritjes dhe zhvillimit psikologjik dhe formësimit të karakterit të tij shpirtëror individual është i përshkuar pa mëdyshje nga debati i përhershëm filozofik i përcaktimit individual në dhënien përparësi idealizmit apo materializmit apo në transformimin gradual nga njëri në tjetrin. Krahasuar me analogji, cili organ i trupit të njeriut është epiqendra nervore prej ku vijnë urdhrat për veprimet e organeve të tjera, pra cila gjendje është më e rëndësishme: barku plot apo mendja plot, gjegjësisht barku i zbrazët a mund të bashkëjetojë me mendjen plot, apo anasjelltas, barku plot me mendjen e zbrazët?
Ne kohen e adoleshencës, njeriu shpesh frymëzohet nga ëndrrat e tij për të lënë gjurmë dhe për t’u bërë dikushi në jetë, të cilin do ta mbajnë mend për të mirë ata që e kanë njohur apo dëgjuar për të, synimi për të qenë i dobishëm për shoqërinë me anë të veprave të mira humanitare apo shpirtërore për të tjerët. Kjo ideologji është një udhërrëfyes dhe katalizator lëvizës për kapërcimin me sukses të të githa pengesave dhe vështirësive që na dalin përpara.
Ambicja për të qenë i rëndësishëm në mjedisin ku jetojmë është adrenalina që na frymëzon t’i bëjmë sakrificat e duhura që nga harxhimet e nevojshme financiare të prindërve deri të privimi personal nga kënaqësitë dhe aventurat rinore momentale, duke i perkushtuar më shumë kohë librit dhe duke e bindur veten se ia vlen të sakrifikojmë diçka sot, që të kemi më shumë nesër!
Ky percaktim në më të shumtën e rasteve del më fitimprurës, sepse hyjmë në një botë tjetër ku largohemi nga puna e vështirë fizike afatgjate, vetëm sepse kemi përzgjedhur punën e vështirë mendore por më afatshkurtër, dhe më pak të mundimshme fizikisht.

Dhe kur vijmë në një situatë që ta shpërblejmë veten për mundin e dhënë dhe të lumturohemi për arritjen e merituar të idealeve tona rinore, befas ballafaqohemi me një mur tjetër të dilemës jetësore: Kush është më e rëndësishme idealja dhe shpirtërorja (dituria) apo materialja (pasuria)? Vallë ajo që vjen pas materialja, a na ngushullon sadopak për investimet tona shpirtërore ndaj ideales apo idealizmit? Thjesht a ia vlejti barra qirranë?

Fill pas përfundimit të studimeve të larta, çdo i ri patjetër të ballafaqohet me këtë dilemë, atëherë kur duhet të shkel në botën e përgjëgjësisë jo vetëm ndaj vetes por edhe ndaj familjes së vet, si edhe ndaj shoqërisë. Ku ta materilizojë ai/ajo tani diturinë e vet të akumuluar me vite, kur e sheh se ka shumë shokë të tjerë si ai, që bredhin rrugëve, por edhe të tjerë më pak të merituar se ai, që kanë zënë ndonje vend pune sa për të siguruar një kafshatë buke për vete dhe familjen. Ka te tillë qe nëpërmjet të miqve dhe farefisit me ndikim modest në politike. kanë depërtuar disi për të siguruar një punësim modest në administratë, apo edhe të tjerë që kanë qenë të ‘aftë’ të rreshtohen me kohë në subjektin politik në pushtet, dhe nëpërmjet të meritës së ‘mbushjes së kutive, transportit urban të votuesve apo të shkruajtjes së lajkave dhe elegjive për udhëheqësit vendorë dhe nacionalë duke i ngritur ata në piedestalin e shpëtimtarëve të kombit’, kanë arritur madje të fitojnë ndonjë post drejtori, deputeti apo edhe ministri.

Kur e kthejnë kokën pas, dhe kur e shohin atë që e kanë përpara, dalëngadalë venitet idealizmi i tyre i sakrificës psiqike, si katalizator i shpresës së investimit sot për një jetë më të mirë nesër, dhe njëkohësisht përballen me sulmet psikologjike të botës materialiste-nga pikturat tronditëse të jetës së begatshme dhe ‘luksoze’ të atyrë që kanë zgjedhur me kohë të migrojnë jashtë vendit dhe kanë gjetur një punë modeste me të cilën e fitojnë bukën e gojës për vete dhe familjen, madje edhe pak më shumë!

Dalëngadalë në shpirtin e tyre shuhet qiriri i shpresës për shpërblimin e sakrificës kur bredhin rrugëve dhe institucioneve, ku përkundër diplomave të tyre universitare, atyre u mungon edhe një dokument shumë i rëndësishëm, të cilin, të zhytur në botën e librit dhe informatave, patën ‘harruar’ ta nxjerrin: librezën e anëtarësisë partiake!? Mu atëherë kur ballafaqohen me mungesën e rekuperimit të këtij “dokumenti” shumë të rëndësishem politik, vjen edhe një sulm tjëtër tronditës nga bota e materializmit, atëherë kur duhet ta zgjedhin dilemën e partnerit të jetës: a të jetë me diplomë universitare apo me ‘letra” të shteteve të jashtme, pasi ata tashmë kanë fituar të njëjtën vlerë financiare!

Mund vetëm ta imagjinojme tronditjen shpirtërorë që përjetojnë këta të rinj, të cilët pa fajin e tyre, u detyruan që me çdo kusht të mbaronin një fakultet sepse thuhej se diploma e shkolles së mesme më nuk hanë bukë, disa dhe me fajin edhe të prindërve të tyre, që nuk deshtën ta pranonin faktin se ‘fëmiu i tyre nuk është për fakultet’ por më mirë t’i çonin të mësonin ndonjë zanat, dhe madje për inat te dushmanit dhe ngase ua mbante xhepi, ia siguruan fëmijës një ‘diplomë (pikture muri!)’ dhe pse jo edhe një punë ne sportelet e administratës.

Konkluzivisht, karakterin e një individi e definon qasja dhe prirja e tij për t’u udhëhequr nga njëra prej këtyre dy filozofive jetësore. Të jesh Idealist dmth. të jesh i përcaktuar që të japësh maksimumin e sakrificës shpirtërore drejt realizimit të objektivave dhe ambicieve personale dhe të përgjithshme, duke sakrifikuar kënaqësitë momentale te jetës për hir të një ideali më të lartë i cili do t’ia shpërblente më vonë sakrificën e mëhershme, me çka edhe do të arrihej detyrimisht edhe në materializimin e këtij ideali, ndërsa të jesh Materialist dmth që ideal të vetëm të kesh kënaqësitë materiale momentale të jetës, pa çarë kokën për mjetet dhë mënyren si të vish te pasuria materiale, qoftë edhe me anë të mashtrimeve apo me anë të vardisjes ndaj pushtetarit dhe punëdhënësit, duke shpresuar se pasuria materiale ta jep edhe ‘diturinë’ dhe t’i kompenzon kënaqësitë shpirtërore dhe respektin e të tjerëve.

Normalisht qe keto dy filozofi gërshetohen, por diferencën e bën përparësia që një individ i jep njërës apo tjetrës. Të gjesh mesin e artë ndërmjet këtyre dy filozofive është madhështore, por megjithatë idealizmi duhet patjetër të mbisundojë dhe në asnjë mënyrë nuk guxon të zbehet nga materializmi me çdo kusht. Kush arrin ta bëjë këtë ështe i bekuar dhe e ka përmbushur qëllimin jëtësor, të tjerët janë vetëm udhëtarë të rastësishëm në trenin e jetës!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button