Mbijetesë apo sakrificë (II)

(Vijon nga shkrimi i para disa muajve “Krizë identiteti i 2016-s, trup i pajetë i 2017-s)

Dobësimi i fuqisë së identitetit nënkupton krizë të identiteti. Nuk është si me trupin, i cili në gjendje dobësie pranon vaksina për t’u mbrojtur nga mikroorganizmi patogjen. “Vaksinë” e identiteti është UNË-i. Me një UNË, (i fuqishëm) i dalë nga 2016-a, për një TJETËR (të mbijetuar) të 2017-s.

Që nga dita e parë e Fitër Bajramit u bënë dhjetëra raste të vrasjeve e vetëvrasjeve dhe po që nga ajo ditë dhe më herët, veshët tanë nuk dëgjuan as edhe një moment ndërgjegjësimi dhe vetëdijësimi për të tjerët pas tyre.

Fatkeqësisht, kjo edhe nuk do të ndodh për një kohë të gjatë! As nga ata qe i shkaktuan ato raste, tërthorazi apo drejtpërdrejtë, psiqikisht apo fizikisht, predispozuan të njëjtët, morën pjesëlejuan që të eskalojnë por as nga ata që i dëgjuan të njëjtat. A e dini pse? Sepse askush nga ne nuk e mori guximin edhe njëherë të pasqyrojë në vete, jo vetëm për të parë se a na tangoi ai problem por për t’i thënë vetes se sa unë jam pjesëmarrës në këto vepra?!

Me ose pa qëllim, vetëdijshëm ose jo, instinktivisht apo racionalisht, pasi veshët tanë dëgjuan rastet, fjalët e para që përshkuan mendjen tonë ishin kategorizimi i personave, kryerësve të vrasjeve a vetëvrasjeve si të sëmurë psiqikisht. Për familjen e të njëjtëve dolën fjalë se për një kohë të gjatë kishin pasur mosmarrëveshje në ndarjen e hises (pasurisë kolektive), vagabondë, i ka mundur harami (vepra të ndaluara në bazë fetare), kështu kur qëndron pas mesnate dhe me absurdi ishte vlerësimi i një psikologu, se akti barbar paska ardhur si pasojë e atakut emocional  i kryerësit të vetëvrasjes.

Çmenduri në vete dhe nxitës të këtyre fenomeneve janë kategoria e këtyre psikologëve.

Ataku është periudhë e shkurtër e ndryshimit emocional, zgjasë me sekonda dhe disa minuta, i ndryshueshëm periodikisht dhe nuk zhvillohet me ditë të tëra, javë, muaj apo vite.

Është për t’u habitur se që të gjitha rastet kanë filluar vite me parë, kanë pasur momente kur edhe kanë eskaluar dhe epilogu i njëjtë mund të ndodhte shumë shpesh edhe më herët, asnjëra nga ato nuk ka kaluar pa shenja kronologjike, që të gjitha i patën të njëjtat mjete dhe mënyra të zgjidhjes së tyre.

Dhuna, çfarë do qoftë forme të jetë, verbale apo fizike, me armë të ftohta ose zjarri, duhet të sanksionohet, jo për t’i dhënë dënimin individit, por për të reflektuar në shoqërinë me mungesë të racionalitetit.

Psikologu, psikiatri, mjekët (edhe pse këtyre të fundit nuk ju takon) do ta bënin krimin më të madh ndaj shoqërisë dhe profesionit të tyre nëse këta persona do t’i cilësonin si të sëmurë psiqik, moralisht apo edhe ligjërisht.

Në mungesë të arsyes dhe logjikës, vjen në shprehje agresiviteti.

Kthehem tek ataku emocional. A nuk mendoni se në Gllumovë, ku humben jetë katër persona, rasti ka ndodhur edhe më herët. Anashkalojmë ditën e Bajramit, paska pasur edhe me herët zënka. Atëherë pse nuk u ndërmor asgjë që të parandalohen këto lloj konfliktesh me armë?

Ngjashëm ishte në Butel e Kumanovë, fatkeqësisht ngjashëm ishte edhe me Tetovën.

Gjithmonë kemi shenja se diçka nuk është normale, këto nuk mund t’i parandalojmë, por mund t’i trajtojmë.

Trajtimi mund të jetë në forma të ndryshme, por duhet të jetë në mënyrën e duhur.

Që të jetë në mënyrën e duhur duhet të dihen shkaktarët e atij problemi.

Fatkeqësisht që të gjitha rastet u zgjidhën me armë dhe për t’i ikur llogaridhënies apo si pasojë e saj armët mbaheshin në mënyrë jolegale.
Si ranë ato armë në duart e atyre personave?

Por këto probleme sa individuale janë edhe kolektive.

Të gjitha janë probleme komplekse për shkak se përfshijnë aspekte emocionale dhe papjekurinë emocionale të personave për t’u ballafaquar me vështirësitë jetësore. Sado individual dhe kompleks të jetë problemi, të ketë përkapur një person apo me dhjetëra, të ketë lenë apo jo shkaqe dhe arsye për të njëjtën, serish është një emërues i përbashkët, mungesa e kulturës dhe edukatës për të qenë të gatshëm për t’u ballafaquar individualisht dhe kolektivisht dhe në mënyrë racionale me vështirësitë dhe konfliktet jetësore.

Rasti i Gllumovës, ndarja e hises, pasurisë kolektive fillimisht duhet të jetë e regjistruar si pronë legale, angazhimi dhe kontributi brenda një familjeje duhet të bëhet varësisht të hyrave dhe të dalurave të personave me çfarë do të përcaktoheshin edhe përfitimet e humbjet nga të njëjtët pjesëtarë të familjes. Meqë dimë se familjet shqiptare apo ballkanike pasurinë kolektive gjithmonë e kanë bërë në mënyrë “të barabartë”, prandaj shume “rrallë” ka ndodhur që të kemi vrasje për këtë gjë.

Në mungesë të kulturës apo moralit vijnë në skenë ligjet.

Por ju thoni se ato ndodhin edhe në shtetet evropiane, ku pasuria caktohet që nga lindja e personave të caktuara apo para vdekjes së të merituarit të asaj prone, i cili subjektivisht apo objektivisht, me testament ose jo, caktoi se kujt, çfarë do t’i takojë.

Sado që të jetë përcaktimi disproporcional ose jo, ajo është në kuadër të ligjit dhe këtë askush s’ka të drejtë ta mohojë.

Nëse gjithsecili prej nesh është i kulturuar dhe i edukuar ai paraprihet të udhëhiqet nga parime të caktuara. Por kultura padyshim përcakton moralin, apo anasjelltas, dhe që të dyja se bashku janë të dala nga njeriu.

Nëse ne si individ kemi një kulturë të mirëfilltë që paraprihet nga morali, pa dyshim se do të dimë se si të udhëhiqemi në jetë.

Por për dallim nga ligji, shkelja e normave morale nuk rezulton me sanksione por vetëm me epitete dhe cilësime të ndryshme, siç ndodhi me ata që “zgjidhën” këto probleme me armë.

“Kur vret dikë, diçka nga ai person kalon brenda teje, një psherëtimë, një aromë apo një gjest. Këtë unë e quaj ‘mallkim i viktimës’. Të ngjitet pas trupit, të lëpihet pas lëkure, e gjen vetë rrugën për në zemër dhe vazhdon të jetojë bashkë me ty”.

Dhe meqë amoraliteti nuk pasohet me sanksione, nënkupton se bëhen dallime në mënyrën e trajtimit apo përkufizimit të veprave që dalin nga ajo e cila lejon që për një dukuri të caktuar të sillet në mënyra të ndryshme ose anasjelltas, varësisht individëve.

Shoqëria përcakton se cili person është i moralshëm ose jo, pavarësisht asaj se sa është hetuar për mënyrën e sjelljes së atij personi.

E lëmë moralin. Si mundet që ligji, që doli nga veprimi i dyfishtë i moralit,të mos veprojë me dënime?!

Ligji përcakton qartë dhe saktë, në mungesë të respektimit të rregullave ligjore, pasojnë sanksionet.

Ku ishte ligji kur armët u morën me leje nga personat e caktuar që sot të njëjtët të privojnë jetën e dikujt tjetër? Ku qe ligji kur armët e paligjshme u futen në Maqedoni për të cilat askush nuk jep llogari?

Edhe policët të cilët kanë për detyrë të mbrojnë shtetin nuk mund të gjuajnë kur t’ju teket, edhe pse në raste kërcënimi pozita ia lejon të njëjtën.

Jashtë kategorizimeve dhe epiteteve, moralshmërisë dhe amoralitetit, hisendarjes dhe hedhje fajit, neglizhences dhe përçmimit, ligjshmërisë dhe paligjshmërisë, legalitetit dhe ilegalitetit, të përqendrohemi individualisht por edhe kolektivisht që ti hetojmë shenjat e këtyre rasteve dhe t’i parandalojmë shkaqet e njëjta.

Agresiviteti nuk duhet të nxitet që nga fëmijëria (pavarësisht asaj se individi a është mashkull apo vajzë), racionaliteti duhet të jetë pikësynimi dhe udhëzimi ynë në zgjidhjen e konflikteve personale por edhe ndërpersonale, stabiliteti emocionaliteti në situata sociale duhet të na paraprijë të gjithëve (pavarësisht se a provokohem qëllimshëm ose jo), armëmbajtja me leje duhet të kufizohet (por pa përjashtime ligjore dhe farefisnore siç di të ndodh në Maqedoni, Ballkan), armëmbajtja pa leje duhet të sanksionohet (edhe në momentin e të vetëvrarit duhet të zbulohet se kush dhe kur e vendosi problemin dhe armën në dorën e kryerësit të veprës penale) dhe kontrabandimi assesi të rritet apo të bëhet punë e jona. Paraqite atë!

Kontrolli ndaj mendjes dhe trupit duhet të jetë oksigjeni i gjithsecili prej nesh.

“Në çdo vrasës merr frymë edhe i vrari, kaq di të them”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button