DY FJALË PËR FJALËT

Te ne nuk çan kokë kush për fjalët e huaja që po e vërshojnë gjuhën njësoj sikur vërshima që vjen nga mali me balt e gurë e derdhet nëpër fusha e kopshte në rrafsh. Kuptohet se nuk ka gjuhë në botë e cila është tërësisht e pastër sepse asnjë popull nuk ka jetuar i izoluar, por kontaktet midis popujve kanë qenë të vazhdueshme, në mënyra të ndryshme. Janë disa fjalë të huaja të cilat janë bërë pronë e gjuhës sonë, siç janë fjalët: hoxhë, bozë, bakllava, kafe, raki, çorape, çardak, budalla, nevojë, poezi, roman, metrikë, metër, ese, rimë, figurë, trop, sintaksë, morfologji, fizikë, pantallona, këmishë, sport, futboll, volejboll, tenis, fabrikë, kombinat, kooperativë, ministër, sekretar, shofer, automobil, veturë, makinë,  e shumë të tjera. Pastaj fjalët të cilat kanë hyrë përmes zhvillimit të teknologjisë dhe globalizimit, si: televizion, kompjuter dhe një varg fjalësh që lidhen me procesin e punës në kompjuter., si ataçment, onlajn, aut, uorkshop, uord etj.  Të kërkosh dytëshorin e këtyre fjale shqip nuk bën, nuk shkon, sepse ato kanë lëshuar rrënjë më në gjuhën shqipe dhe janë bërë pjesë e kopshtit tonë leksikor. Ato duhet të bëhen pjesë e fjalorit tonë, sepse është vështirë të gjendet fjalë përkatëse për këto kuptime.

Mungesa e shtetit shqiptar me shekuj, ndalimi i gjuhës shqipe gjatë pushtimeve romake, bizantine, sllave, turke dhe sërish sllave e greke, pastaj praktikimi i krishterimit dhe islamit në gjuhët latine, greke, sllave e turke i kanë bërë dëme të mëdha leksikut dhe sintaksës sonë. Fatkeqësisht edhe institucionet tona të cilat merren me gjuhë, pastaj shkrimtarët, gazetarët e mësuesit.

Shpeshherë kur një fjalë e huaj futet në gjuhën tonë, ajo nëse nuk emërton ndonjë kuptim krejtësisht të ri për ne, ajo me siguri sjellë ndonjë nuancë të cilën nuk e ka fjala e përafërt shqipe. Mirë. Mirëpo ndodh që shpeshherë vijnë e futen fjalë krejtësisht të panevojshme, si për shembull impakt e influencë, dy fjalë të cilat  zëvendësohen me fjalën tonë ndikim. Fjala oficial është krejtësisht e panevojshme dhe atë duhet ta përzëmë nga gjuha jonë sepse e kemi fjalën shqipe zyrtar.

Në gjuhën tonë, përveç kësaj, paraqiten edhe disa anomali të tjera. Bie fjala përjashtohen fjalët të cilat janë në përdorim të gjerë në hapësirën e madhe etnike shqiptare. Fjala krye përdoret shumë rrallë e thuajse nuk përdoret. Në vend të saj përdoret sinonimi kokë. Kjo nuk paraqet gabim, por është një shembull, se si ne përmes të mënjanimit të sinonimeve e varfërojmë gjuhën. Gabim. Sepse fjala krye na ka ndihmuar për formimin e një varg fjalësh tjera: kryetar, kryefjalë, kryeplak, kryesor, kryezi (Kryeziu), kryekuq (Fshati Kryekuq në Çamëri) etj. Sinonimi kokë nuk ta jep këtë mundësi.

Tash vjen çështja më e ndërlikuar. Në gjuhën tonë me të madhe përdoret fjala lavatriçe – makinë për të larë tesha. Fatbardhësisht në gjuhën shqipe është me shekuj fjala lasë, e cila është një makinë e thjeshtë që ka shërbyer gjithmonë për punën që e bën makina për larjen e teshave. Lasa,  është një copë dërrasë speciale, me bisht, me të cilën gratë tona gjithmonë i kanë larë teshat rreth përroit, në krua ose në vijë. Pse s’e përdorim fjalën lasë po e përdorim lavatriçen e vrazhdë italiane.

Nuk është edhe kjo. Në fjalorin tonë mungon folja vej (unë vej, ti ven, ai ven, ne vejmë, ju veni, ata vejnë). Ne vend të saj përdoret gabimisht folja end. Folja ende tregon një proces krejtëlësisht të ndryshëm nga vej, sepse vehet në vek. Pra veku që është ndërtuar nga folja vej, me një prapashtesë k është makina ku zhvillohet procesi i të vejturit. End ësht një proces ku gratë duke u endur nga një pikë në tjetrën e bëjnë gati fijen me të cilën vehet.

Po ku janë kompozitat si: sosapunë, prishapunë, derdhaplang, prishaplang, prishasillë, djegashpi etj. Ku janë fjalët e formuar me prapashtesën sh, si voksh, gungsh, djegsh, pantullepajksh, përqyrrsh etj.? Fjalori nuk i ka.

A do t’i lëmë të vdesin? Dhe, a do ta lëmë gjuhën shqipe në duart e kazanit mediatik, siç do të kishte thënë kryeministri Edi Rama, në duart e kallaballëkut politik i cili ende, me decenie nuk e mësoi vetën e tretë njëjës të foljes, apo do t’i vendosim në fjalor, ku e kanë vendin dhe ku do ta shtojnë pasurinë e gjuhës sonë, gjuhës sonë të bukur.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button