Nisin bisedimet për Brexit

Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian u zotuan për fillimin e punës me seriozitet, pas takimit të sotëm që nisi zyrtarisht bisedimet për largimin e Britanisë nga BE-ja, transmeton REL. 

Takimet do të mbahen për katër ditë në mes të Sekretarit britanik për Brexit, David Davis dhe përfaqësuesit nga BE-ja, Michel Barnier.

“Tani është koha t’i qasemi seriozisht punës për të arritur negociata të suksesshme”, u ka thënë Davis gazetarëve.

“Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme të arrijmë përparim, të identifikojmë dallimet tona dhe të punojmë se si të përballemi me to”, ka shtuar ai.

Barnier në anën tjetër, ka thënë se dy palët duhet “të shohin fillimisht pozicionet e tyre aktuale dhe më pas të punojnë drejt zhvillimit të mëtutjeshëm”.

Njëra nga çështjet më me rëndësi që do të diskutohet këto ditë, është edhe çmimi që do të paguajë Britania e Madhe për dalje nga BE-ja.

Sipas raportimeve të mëhershme BE-ja dëshiron që Britania të paguajë 70 deri në 110 milionë dollarë, shumë e cila është refuzuar nga Britania.

Shefi i Financave, Philip Hammond, ka thënë se Britania do të marrë përgjegjësi ndaj pagesës duke shtuar se “ Britania nuk është shtet që u ik borxheve”.

Palët kanë më pak se dy vjet kohë për të vendosur kushtet, përpara se Britania të largohet – me ose pa marrëveshje – më 30 mars të vitit 2019.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP