Diktatura e idesë dhe e ardhmja e Maqedonisë

Si një kolumnist i ri, me pak përvojë, shpeshherë kam frikën se mos përsëritem në mendime dhe në idetë të cilat mundohem t’i shpalos në shkrimet e mia. Më duket sikur po përsëritem shumë megjithëse duke lexuar ato shkrime që janë botuar deri tani, vërtetohem që kam akoma shumë për të shkruar dhe se gjithmonë e më shumë zbuloj inspirime të reja. Edhepse shkrimet e mia kanë vokacion ekonomik, nuk mundem të evitoj shkrimet politike. I tillë do të jetë edhe ky shkrim, sepse atë që dua të shpreh këtu është pakënaqësia ime me të bëmurit politikë në këtë vend. Fundja, shkrimet e mia janë mënyra ime për të shprehur revoltën e brendshme që kam për zhvillimet ekonomike, sociale dhe politike në vendin tim.

Përfunduan zgjedhjet! Jemi spektatorë të betejave politike dhe të matematikave të liderëve për të fituar pozicione të reja fuqie në qeverinë e ardhshme. Një qeveri e cila sipas asaj që dëgjojmë dhe lexojmë do të duhet të zgjidhë çështjet madhore. Koalicioni i ardhshëm sikur duket po formohet rreth dy ideve kryesore të dy partive fituese të zgjedhjeve. Ide këto që janë të shpalosura në programet e tyre partiake: ideja e konsistencës të identitetit nacional dhe kulturor të një pjese të popullsisë dhe idesë së integrimeve në NATO dhe BE. Dy ide këto që megjithëse në parim duhet të zhvillohën krahas njëra-tjetrës, me pompozitetin e fituar gjatë këtyre ditëve duket sikur po i largojnë partitë fituese nga pozicionet e tyre sepse loja e tyre politike është e formuar në mënyrë të tillë. Interesat e tyre ndeshen në idenë e euro-integrimeve të Maqedonisë.

Ajo që mua më frikëson në këtë skenar, është se Maqedonia gjithnjë e më shumë po merr trajtën e një diktature autoritare. Diktaturë kjo e cila për dallim nga diktaturat që i njeh historia, po ndërtohet rreth dy figurave të liderëve autoritarë që fituan zgjedhjet në mënyrë plebiscitare. Duke analizuar diktaturat përgjatë historisë, të gjitha kanë një emërues të përbashkët. E ky emërues është IDEJA. Secila diktaturë është e ndërtuar rreth një ideje madhore e cila përdoret mëtutje për të ndjellur frikë dhe pasiguri në popull, me një qëllim të thjeshtë: që diktatori të shihet si një formë humane e idealizuar e cila e vetme ka fuqinë dhe resurset për t’i bërë ballë rrezikut që vjen qoftë nga jashtë, apo nga brenda sistemit dhe shtetit. Frika që ndjellte fashizmi italian dhe nacionalsocializmi gjerman ishte që rreziku për interesat nacionale gjermane dhe italiane që vinte nga komunizmi sovietik dhe nga miti i konspiracionit të përgjithshëm hebrej për dominim botëror. Ose për t’u afruar më pranë realitetit tonë, ajo që mbante gjallë komunizmin në Shqipëri ishte frika nga imperializmit perëndimor që i kanosej vendit.

Po me frikë kanë fituar zgjedhjet edhe partitë tona. Partia dominante maqedonase duke ndjellur frikën e humbjes së identitetit kulturor dhe shpirtëror të një populli, ndërsa ajo shqiptare duke plasuar idenë se i vetmi shpëtim për Maqedoninë është integrimi i vendit në NATO dhe BE. Mesazhet politike janë vërtetim I kësaj: derisa VMRO bën kampanjë për “rruajtjen e dinjitetit” nacional dhe vënies së Maqedonisë dhe maqedonasve në rend të parë, parulla kryesore e BDI-së në këto zgjedhje ishte që më të fortë dhe më të mirë do të ishim si anëtarë të një Evrope të bashkuar.

Ndërkaq përshtjellimet politike gjatë këtyre viteve të fundit të kësaj garniture politike, japin një pasqyrë të rrejshme që këto synime nuk mund të koekzistojnë në të njejtën kohë. Atëherë si mendojnë partnerët e ardhshëm qeveritarë të zgjidhin këto dallime në 6 muajt e ardhshëm, hapësirë kohore të cilën i kanë dhënë vetes për të integruar Maqedoninë në NATO.
Nëse pengesa e vetme e Maqedonisë për integrim është – çështja e emrit, gjë që e vë në dyshim të madh sepse ka pengesa akoma më të mëdha në rrugën tonë drejt Evropës, atëherë si mendon BDI ta zgjidh këtë problem nëse ana maqedonase është kategorike dhe ç’është më shumë ka bërë betime të vazhdueshme në elektoratin e vet që për emrin nuk do të pranojnë konsenzus?! Çështja e ndryshimit të emrit është plagë e cila nuk mund të zgjidhet vetëm nga një parti, aq më pak nga një parti nacionale shqiptare. Ajo duhet të zgjidhet me vullnet të gjërë politik dhe ndërnacional. Besueshmëria që gëzon BDI në pjesën maqenase të popullatës së vendit është shumë e vogël, për të mos thënë zero. Ndërkaq konceptimi që ka popullata maqedonase është se problemi i emrit nuk është problem i shtetit, por është problem vetëm i maqedonasve dhe se ne shqiptarët jemi të çliruar nga kjo brengë.

Mos vallë strategjia e BDI në semestrin e ardhshëm është që të krijojë befas këtë kohezion politik? Unë sinqerisht dyshoj në mundësinë zgjidhëse të një strategjie të tillë në një afat aq të shkurtër kohor. Dyshoj gjithsesi në këtë strategji, sepse ajo anashkalon problemet reale të vendit, tensionet e vazhdueshme ndëretnike, mangësitë ligjore, korrupsionin e përgjithshëm dhe problemet madhore ekonomike.

E vetmja gjë për të cilën jam i sigurtë, është që në rast të zgjedhjeve të parakohshme që domosdoshmërisht do të pasojnë këtë iniciativë boshe të BDI-së, sistemi i frikës do të jetë akoma më prezent dhe instalimi i diktaturës di-kratike në Maqedoni do të jetë akoma më i theksuar. Opcionet e këtij vendi për të mbijetuar si rrjedhojë e kësaj do të zvogëlohen me eliminimin e ideve të reja.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button