Papesha Zhanë

Zërat për “papeshën” Zhanë nisën që të qarkullojnë në shekullin XI, por ata i bënin jehonë një episodi që kishte ndodhur 200 vjet më herët: një farë Zhana e Mainzit, thuhej se ishte zgjedhur në fronin papnor me emrin Gjoni VIII. Gruaja, që ishte veshur si gjoja murg për t’u futur në mjediset e Vatikanit, u cmaskua kur lindi fëmijë në rrugët e Romës gjatë një procesioni.

Historia duket se gjen konfirmim tek ekzistenca e një karrikeje në përdorim për transportin e papës, e quajtur “gestatoria”, tek një fron i mermertë me një vrimë në qendër që do të përdorej që atëherë për t’i mundësuar një kardinali që të verifikonte tek prania e të sapozgjedhurit e atributeve mashkullorë, dhe tek ekzistenca, në Romën e asaj kohe, e një vicus Papissa, që, nga Palazzo Laterano ngjitej në San Pietro. Skandali pati një farë besueshmërie edhe në mjediset e Vatikanit, aq sa u diskutua gjatë Këshillit të Costanza në 1414-18.

Sa të vërtetë ka në këtë rrëfim? Sot historianët bien dakord kur e konsiderojnë një legjendë. Disa mendojnë për një satirë kundrejt Papës – i cili ka ekzistuar vërtetë – Gjoni VIII, i cili qe bërë i njohur për një dobësi në marrëdhëniet me patriarkun armik të Bizantit, Fozio. Për të tjerët, modeli historik i papeshës ka qenë gruaja fisnike dhe e pushtetshme Marozia, e cila në vitin 931 thuri një intrigë me qëllimin për të hipur në fronin e Pjetrit një birin e saj. Të tjerë akoma ia atribuojnë zellit të romakëve për të sajuar histori plot fantazi duke filluar edhe nga dyshimi më i vogël. Rruga Papissa, për shembull, e ka marrë emrin e saj nga familja e pasur Papa, që aty kishte shtëpinë. Kur pasardhësi i fundit, Gjoni, ndërroi jetë në vitin 973, ai la vejushë… Papeshën. Pra, nuk ka aspak të bëjë me një papë grua./Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button