Në Britani diell, në Zelandën e Re stuhi e dëborë

Dielli u rikthye, pas shiut që paralizoi disa pjesë të Britanisë, e do të qëndrojë atje deri në fundjavë.
Por ndërsa vendi i mësuar me motin e paqëndrueshëm shijon prej kohësh një shtim të ditëve të ngrohta, në pjesën tjetër të globit, banorët në Zelandën e Re përballen me erëra të dhunshme, rrebeshe e deri reshje dëbore, që kanë shkaktuar edhe probleme të fluturimeve e ndërprerje të energjisë elektrike, shkruan Top Channel.

Shteti-ishull i Paqësorit Jugor u godit nga erëra që mbërrinin shpejtësinë 160 km në orë. Mbi 10 mijë banesa e biznese mbetën pa energji elektrike, një sërë autostradash u mbyllën e tragetet u pezulluan prej dallgëve të larta.

Zelanda e Re është përballur me një përkeqësim të ndjeshëm të motit këto muajt e fundit. Cikloni i prillit shkaktoi edhe një të vdekur, e i detyroi autoritetet të evakuonin me urgjencë zonat bregdetare e të urdhëronin mbylljen e shkollave.

Fronti i ftohtë i përplasur mbi vendin ka hedhur edhe dëborë në jug të ishullit, e kush ka pasur ndërmend të udhëtojë është këshilluar t’i shtyjë planet deri në fundjavë. /TopChannel/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button