Shkrirje apo shpërbërje e Aleancës për Shqiptarët? flet Sela

Ditët e fundit opinioni është dëshmitar i deklaratave kontradiktore të liderëve të partive në koalicionin Aleanca për Shqiptarët. Derisa Ziadin Sela i LR-PDSH-së, thotë se ka pasur marrëveshje për shkrirje, kreu i RDK-së, Vesel Memedi dhe ai i Unitetit, Gëzim Ostreni, mohojnë një gjë të tillë, shkruan Portalb.mk.

Sela, thotë se Memedi dhe Ostreni, si para zgjedhjeve të dhjetorit, po ashtu edhe pas zgjedhjeve, i kanë premtuar se do të shkrihen partitë e tyre në një parti të vetme e cila do të quhet “Aleanca për Shqiptarët”.

“Aleanca për Shqiptarët është krijuar si koalicion për të bashkuar sa më tepër njerëz rreth një ideje, programi dhe platforme politike. Ajo që po ndodh me Aleancën për Shqiptarët është zotimi që kemi bërë ndaj njëri tjetrit, në kohën kur është krijuar ky koalicion parazgjedhor shumë përpara me RDK-në dhe pastaj edhe me Unitetin. Ne jemi zotuar që ky koalicion parazgjedhor, pas zgjedhjeve do të shndërrohet në një subjekt politik. Për këtë kemi marrëveshje edhe me Vesel Memedin, por edhe me Gëzim Ostrenin, si para zgjedhjeve po ashtu edhe pas zgjedhjeve”, tha Sela mbrëmë në emisionin “Click plus”.

Edhe pse Sela insiston se ka pasur marrëveshje për shkrirje të tre partive në një parti të vetme, Memedi dhe Ostreni e thonë të kundërtën.

Vesel Memedi Kryetar i Rilindjes Demokratike KombëtarePër Memedin, propozimi për shkrirje është grackë e opozitës e gatuar para zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Ai tha se RDK-ja mbetet në Aleancën për Shqiptarët, ndërsa largimin eventual të LR-PDSH-së e quan si jo të sinqertë dhe jo-korrekt.

“Ne u dëshirojmë sukses, secilit subjekt politik duke përfshi edhe LR-PDSH, për shtrirjen dhe zgjerimin e tyre ,por nuk është e sinqertë dhe korrekte, dhe as partneritet i mirë nëse tenton të shkrish miqtë dhe bashkëmendimtarët  e këtij rrugëtimi 2 vjeçar” (Ideja për shkrirjen është e Fadil Zendelit…)”, tha kryetari i RDK-së, Vesel Memedi.

Memedi tha se acarimi i raproteve me LR-PDSH-në vjen si pasojë e parimeve për atë se si duhet të funksionojë “Aleanca për Shqiptarët”.

Ostreni - AdiliNga ana tjetër partia “Uniteti” prej dje është ndarë në dy pjesë – atë të Ostrenit që nuk dëshirojnë shkrirjen e partisë, dhe atë të Zylfi Adilit që i kanë dhënë dritë jeshile që të formohet një parti e re.

Derisa Ostreni thirret në Kongresin e Partisë, Adili thirret në vullnetin Kuvendin Qendror të partisë si organ më i lartë që e zgjedh Kongresi i Partisë.

Sidoqoftë për Ostrenin pa shkrirje të programit s’mund të ketë shkrirje të partisë.

“Bashkimi i partive nënkupton shkrirjen e programit, ne nuk jemi ulur ta shkrijmë programin, ndërkaq po i shkrijmë partitë. Këto probleme janë të zgjidhura, pasi që bashkimi i partive bëhet kur tre partitë janë të dakorduara, por RDK nuk dakordohet, ndërkaq “Uniteti” s’ka qëndrim për shkrirje. Për vendimin e shkrirjes së partisë kompetent është vetëm kongresi i partisë ”, tha Ostreni.

Për Adilin mbi të gjitha është vendimi i Kuvendit Qendror në të cilin 12 nga 15 degët votuan “për” formimin e subjektit të ri politik “Aleanca për Shqiptarët”.

“12 nga 15 degët e partisë, kanë votuar që Uniteti të shkrihet në një subjekt politik “Aleanca për Shqiptarët”. Në bazë të vendimeve të degëve të partisë Uniteti, duke u mbështetur në ligjin për partitë politike dhe në Statutin e partisë, Kuvendi Qendror solli vendim për krijimin e subjektit të ri politik Aleanca për Shqiptarët”, tha Adili.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button