Zbrazëtira ligjore

Praktika që VMRO-DPMNE krijoi gjatë seancës konstitutive të Parlamentit e cila zgjati më shumë se 50 ditë, ishte që pjesëtarët e kësaj partie të paraqiten për fjalë, dhe pastaj ndaj tyre të jepen replika, kundërreplika dhe vërejtje procedurale nga bashkë-anëtarët e tyre partiakë, në mungesë të vullnetit të shumicës parlamentare për të humbur kohë me diskutime të pakuptimta të cilat e zgjasnin pa nevojë një seancë e cila duhej të kishte karakter ceremonial dhe festiv. Deputetët e VMRO-DPMNE-së arritën kështu ta bllokojnë punën e Parlamentit dhe ta vështirësojnë transferin e qetë të pushtetit. E gjithë kjo mbaroi me ngjarjet e përgjakshme të 27 Prillit. E gjithë kjo kanoset të vazhdojë më tej në seancat e radhës të Parlamentit të Maqedonisë.

Për herë të parë deputetët e koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE nuk krijuan një grup të vetëm parlamentar. Krijuan 10 grupe parlamentare të cilat diskutojnë, i replikojnë dhe kontrareplikojnë njëri-tjetrit. Kështu vazhdon e folura me vetveten e këtyre deputetëve të cilët vetëm sa humbasin kohë të çmuar dhe sabotojnë pa asnjë turp punën e institucionit më të lartë ligjdhënës në këtë shtet. Përveç kësaj, e keqpërdorin edhe të drejtën për të kërkuar pushim, si dhe shumë të drejta tjera.

Përse bëhet kjo? Është shumë e thjeshtë. Pika në rendin e ditës për të cilën diskutohet momentalisht është shkarkimi i Prokurorit Publik të RM, Marko Zvrlevskit. Bëhet fjalë për personin i cili refuzoi të ngrisë aktakuza për rastet më eklatante gjatë viteve të kaluara. Refuzoi të hetojë kriminalitetin e publikuar përmes bisedave të përgjuara në mënyrë jo legale. Refuzoi të ngrisë hetime për keqpërdorimin e pozitës zyrtare të një sërë zyrtarëve të lartë të këtij shteti të cilët haptazi pengonin trasferin e pushtetit pas zgjedhjeve të mbajtura me 11 Dhjetor 2016. Refuzoi të ndjekë penalisht liderin e një partie politike teksa i njëjti thërriste popullin që me dhunë të pengojë tresnferin demokratik të pushtetit. Refuzoi të ngrisë aktakuzat e duhura për terrorizëm, tentim për vrasje dhe një sërë krimesh tjera të cilat ndodhën me 27 Prill 2017. Me një fjalë, refuzoi të bëjë punën e tij si Prokuror Publik i RM, pozitë që nënkupton se ai është përgjegjësi kryesor për ndjekjen e krimit në këtë vend.

Dhe tani, krijohen 10 grupe parlamentare me qëllim që të sabotohet shkarkimi i këtij personi, i cili është i pashmangshëm, por i cili mund të zgjasë, ashtu si që do të zgjasin të gjitha reformat tjera që duhet të ndërmirren. Sepse asnjë reformë nuk mund të bëhet në shtet i cili edhe më tutje funksionon me institucione të robëruara.

Qeveria e re deri tani ka arritur të shkarkojë 12 nga gjithsej 500 drejtorë të ndërmarrjeve publike dhe të institucioneve tjera. Kjo për shkak se pushteti i kaluar është siguruar që ky ndryshim të mos jetë i lehtë, duke bërë ndryshimet e duhura ligjore që e vështirësojnë ndryshimin e bordeve drejtuese të këtyre ndërmarrjeve të cilat faktikisht pastaj e zgjedhin drejtorin e tyre. Është shumë e vështirë që me procedura të rregullta ligjore tu vihet fundi parregullsive ligjore, është shumë e vështirë që drejtësia dhe rregulli ta mbizotërojnë padrejtësinë e betonuar në ligjet e vendit.

Me një fjalë, ligji është dhunuar pamëshirshëm, nga të gjitha anët. Ashtu si që dhunohet momentalisht Rregullorja e Parlamentit të RM. Sepse kjo rregullore nuk parasheh ndalesë që deputetët e një partie politike të krijojnë 10 grupe parlamentare me nga 5 deputetë. Parasheh vetëm që për të formuar një grup parlamentar duhet të ketë të paktën 5 deputetë të atij grupi. Ndërsa Kushtetuta e RM parasheh që gjithçka që nuk është e ndaluar me Kushtetutë dhe me ligjet e këtij vendi, është e lejuar.

Ligjet shkruhen në bazë të arsyes, dhe një shtet serioz duhet të pretendojë që sjellja e përfaqësuesve të vetë të jetë e përgjegjshme. Ligjet nuk shkruhen për persona që me sjelljen e tyre ngjasojnë në fëmijë tekanjozë që gjejnë një mijë arsye të mos e përmbushin obligimin për t’i kryer detyrat e shtëpisë. Duke u nisur nga ky realitet, nëse shpresojmë që ligjet gjithmonë duhet t’i parashohin të gjitha detajet e mundshme dhe të përmbajnë të gjitha ndalesat e duhura, atëherë duhet ta dimë që në fillim se kjo është luftë e humbur. Në raste të tilla ligjet do të duhej të ishin shkruar në mijëra faqe, dhe sërish të njëjtat do të kishin zbrazëtira ligjore, të cilat fëmijët tekanjozë dhe dembelë do i gjuanin për të shpëtuar nga obligimet e tyre.

I rendë është edukimi i fëmijëve dembelë dhe tekanjozë, shumë i rendë dhe frustrues. Kërkon shumë durim, përkushtim dhe vendosmëri. Edhe më i vështirë është menaxhimi i të rriturve maliciozë që e keqpërdorin ligjin për të arritur qëllimet e tyre kriminale. Sepse vështirë është ta bindësh kriminelin se ka gabuar dhe duhet të shkojë në burg, së bashku me ata që e kanë ndihmuar dhe ende vazhdojnë ta ndihmojnë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button