Maqedoni, ja pse vërshohen gjimnazet e shkollat profesionale anashkalohen

Nxënësit e shkollave fillore të cilat tani filluan të regjistrohen në shkolla të mesme, sërish anashkalojnë shkollat profesionale, duke preferuar kështu tre drejtimet më të favorizuara deri më tani, atë të gjimnazit, mjekësisë dhe ekonomisë, shkruan Portalb.mk.

Edhe pse shkollat profesionale promovohen në shkollat fillore duke shpalosur programet e tyre nxënësve të klasave të nënta, si duket kjo nuk është e mjaftueshme që të bind nxënësit se edhe nga shkollat profesionale mund të kenë profit dhe mund të gjejnë më lehtë punë.

“Po kanë ardhur dhe kanë prezantuar programin se si punohet në shkollën e tyre. Është mëkat që nxënësit nuk shkojnë në shkollat profesionale, sot ato kanë vlerë shumë më shumë sesa gjimnazi, mjekësi a e ekonomia, ta cilat janë stërmbushur me nxënës”, tha B.B., psikologe.

Ajo shtoi se faji qëndron te prindërit të cilët nuk angazhohen sa duhet për të parë aftësitë e fëmijëve të tyre dhe nuk dëgjojnë këshillat e arsimtarëve dhe prapë prioritet kanë këto tre drejtimet e lartpërmendura.

“Prindërit kanë një pjesë të madhe të fajit, sepse ata i njohin fëmijët e tyre më mirë se çdokush dhe i dinë aftësitë e tyre që kanë. Ka shumë raste nëpër shumë shkolla fillore të Shkupit, por edhe më gjerë, që vetë prindërit kërkojnë që mësimdhënësit tu falin notat sepse ju duhet mesatare më e lartë për ti regjistruar në mjekësi apo gjimnaz si dhe në ekonomi. Kjo është e turpshme që ndodh te neve. Gjithkund në botë vlerësohen aftësitë e fëmijës dhe vendoset ardhmëria e tij, te ne është e kundërta, në disa raste edhe për në universitet fëmijët nuk kanë të drejtë të vendosin, por dëgjojnë prindërit”, shprehet për Portalb.mk, B.B.

Nga ana tjetër nga MASH thonë se nuk kanë ndonjë program për të promovuar këto shkolla profesionale pasi që sipas tyre, vetë shkollat merren me këtë gjë.

“Ne si MASH nuk kemi ndonjë program promovimi për shkollat profesionale, pasi që vetë ato bëjnë këtë gjë nëpër shkollat fillore”, tha zëdhënësi i MASH, Goran Galevski për Portalb.mk.

Ndërkaq disa prindër të anketuar nga Portalb.mk shprehen se me këto drejtimet e lartpërmendura më lehtë gjejnë punë fëmijët e tyre në të ardhmen.

“Në këto kohë krize nuk është puna të zgjedhës, por të shohësh nga cili drejtim ke më shumë leverdi për të gjetur punë. Unë dy vajzat i kam në shkollën e mesme të mjekësisë dhe presoj që sapo ta përfundojnë mund të gjejnë punë më lehtë si motra medicinale dhe më pas të vazhdojnë edhe universitetin. Ato e duan këtë profesion dhe vetë ishin të pajtimit të regjistrohen aty”, tha Izair Ramadani, prind.

“E kotë është shkolla e mesme si dhe universiteti. Është mirë që të edukohen por për punësim nuk të nevojitet asnjëra. Vetëm me librezë partiake mund të përparosh te ne”, tha Fadil Gashi, prind.

“Sot po jetohet nga zanati, tre fëmijët e mi kanë kryer edhe shkollë të mesme dhe fakultet dhe që të tre tani po merren me zanat që s’ka të bëj me atë që kanë kryer shkollë, dhe jam shumë i kënaqur me rezultatet e punës së tyre. Ta kisha ditur që do merren me këto profesione qysh në fillore do i motivoja të zgjedhin këto, por atëherë si fëmijë asnjëri nuk dinte se çfarë donte”, tha Ali Imeri, prind.

Ndryshe, vende të lira në afatin e gushtit ka gjithsej për 22 307 nxënës, në Gjimnaz gjithsej 5 736 vende kurse në arsimin profesional ka gjithsej 16 465 vende të lira./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button