Zvërlevski ankohet se “e sulmon Qeveria”, pauzë e re në Kuvend

13:50 – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi dha pauzë të shkurtër për vazhdimin e sotëm të seancës, në të cilën do të debatohet për shkarkimin e prokurorit publik shtetëror, Marko Zvërlevski.

Pas fjalimit të zëvendësministrit të Drejtësisë, Oliver Ristovski u paraqitën më shumë deputetë për replikë. Për të marrë fjalën u paraqit edhe prokurori publik i RM-së, Marko Zvërlevski, të cilit kryetari i Kuvendit ia dha fjalën.

Zvërlevski, nga foltorja e Kuvendit është ankuar se Qeveria po e sulmon.

Ai shkurt tha se do të pret që t’i dëgjojë replikat dhe kundër-replikat nga deputetët pas fjalimit të zëvendësministrit të Drejtësisë, Oliver Ristovski, ndërkaq më pas ai do të paraqitet për të folur.

Koordinatori i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski reagoi për atë që Xhaferi ia jep fjalën Zvërlevskit. Ai vlerëson se pas fjalimit të zëvendësministrit të Drejtësisë, Ristovski duhet të shkojnë replikat e deputetëve, ndërsa pasi do të kalohet lista t’i jepet fjala Zvërlevskit.

Ndaj kësaj kryetari i Kuvendit Xhaferi tha se Rregullorja e rregullon të drejtën e personit të propozuar për shkarkim të ketë të drejtë për deklaratë, me ç’rast dha pauzë, pas së cilës duhet të vazhdojë seanca e gjashtë kuvendore.

11:50 – Pasi që zv/ministri i Drejtësisë, Oliver Ristovsski, e kumtoi arsyetimin e Qeverisë se pse kërkon që ta shkarkojë prokurorin publik shtetëror, Marko Zvërlevski, njëri nga koordinatorët e njërit grup parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Dragan Danev, ka kërkuar një orë pauzë që ta marrë stenogramin e fjalimit të zëvendës-ministrit të Drejtësisë, njofton Portalb.mk.

Seanca duhet të vazhdojë pas orës 12:30.

Ndryshe, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dje e hapi këtë pikë dhe paralajmëroi se për fjalim janë paraqitur numër i madh i deputetëve, pas çka e ndërpreu seancën dhe vazhdimin e saj e caktoi për sot në ora 11.

Propozimi që Zvërlevski të shkarkohet nga funksioni prokuror publik është parashtruar nga Qeveria e RM-së për shkak të kryerjes joligjore, jo me kohë dhe jo mjaftë profesionale të funksionit. Po ashtu, në dokument thuhet edhe se Zvërlevski me sjelljen dhe veprimin e tij ka treguar se nuk është i aftë për kryerjen e funksionit, si dhe për shkak se nuk ka parashtruar kërkesë për ngritjen e procedurës penale për raste të parapara me ligj dhe shkelje të autoritetit të funksionit.

Kërkesën për shkarkim, Qeveria e ka parashtruar edhe deri te Këshilli i prokurorëve publikë, i cili në seancë e pranoi propozimin për shkarkimin e Zvërlevskit.

Në rend të ditës në seancën e gjashtë të Kuvendit janë edhe propozim-ndryshimet e Ligjit për marrëdhënie pune, të parashtruara nga Nola Ismajloska, Magdalena Manaskova dhe Vesna Pemova dhe raportet vjetore për punën e më shumë institucioneve. Deputetët duhet të debatojnë edhe për gjendjen me deponinë e egër në Strugë, propozim i parashtruar nga një grup deputetësh të VMRO-DPMNE-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button