NË QYTETIN E VDEKUR 3

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve….

NË QYTETIN E VDEKUR 3
Vazhdimi III (nga java e kaluar

7.
Më kujtohet gruaja e tij e parë nga ndejat e mbrëmjes dimrit. Kishte një fytyrë simpatike, të bardhë, flokët ngjyrë gështenje, sytë po ashtu. Buzët të holla, me një buzëqeshje të lehtë. Me tesha popullore të ngarkuara me lara dhe me ngjyra të forta, me shaminë që lëvaret prej kupës së kresë e bie përmbi shpinë poshtë, ajo duket e gjatë. Dhe, është shtathollë dhe e lezetshme me një qëndrim të natyrshëm, me një të folur pa lazdrim artificial, me të cilin ajo asnjëherë nuk përpiqet të tregohet më e lartë se ç’është. Midis grave të tjera të bukura të veshura njësoj dhe të renditura në minder ajo nuk dallohet me asgjë përveç se me sytë e saj, të cilët gjithmonë i qeshen. Se derisa ato tjerat edhe në lojë edhe në këngë e ruajnë atë frikën artificiale prej asaj se kush çka do të thotë, ajo kishte një guxim fëmije që t’i kapërcejë të gjitha me bindjen se çdo gjë do t’i falin. E kur nisin qemanet në fillim atë vallen e ngadalshme, e pastaj me rrëmbim, me gëzim e shpejt, shpejt, sa të zihet fryma, ajo çohet ta heqë vallen. Ai që heq vallen këtu është gjithçka, të tjerët shkojnë pas tij ta imitojnë në të përdredhur të shtatit dhe të mrekullohen me dridhjet e me lëvizjet që nxjerrin prej vetes orientalisht.

– Hajde Vankë, moj, hajde! S’ka gjë pa ty! harliset gazda Sotiri, dyqanxhi, që rri ulur lart këmbëkryq. Shkoi jona… E pat… E, heeej… Po shpirti i shkretë ka mbetur…
Kurse Vanka e çon pakëz jelekun të përthekuar në pullën më të ulët në mënyrë që ijet t’i ketë më lirshëm dhe ia zgjat dorën zakonisht burrit. Në atë dorën e majtë bie pesha e krejt shtatit si në balet që mbështetet në gishta. Dhe pastaj kur curleja ia jep fishkëllimës, ajo kërcen në gjunjë, kërcen nga njëra këmbë në tjetrën, i shtrëngon të gjithë muskujt, e ngre kokën mbi kraharorin e derdhur përpara, e afron dorën e djathtë të mbledhur në bërryl dhe me shaminë mbi kokë, kthehet në rreth, ndizet flakë në fytyrë, i shkreptijnë sytë, i dridhet shtati, i valëzojnë vithet, e gërsheton për një çast njërën këmbë mbi tjetrën, tretet e tëra në tingujt muzikorë, në ritëm dhe në frymën e lojës. Ndërsa ne duke shkuar pas saj ia shohim vetëm fytyrën dhe këmbën herë-herë deri te pulpa, por e ndjejmë ajo e thyen shtatin, shtrëngesën e muskujve, flakën që i kanë kapluar nervat. Dhe kur ndodh ndonjëherë të klithë: Oh!” ne e dimë se edhe dalldia jonë edhe e saja janë në kulm.

Vanka nuk kishte fëmijë. Asaj i dhembte kraharori. Vdiq pranverën e kaluar.
E po krejt ky qytet është i vdekur!

8.
Puna për kthimin e Tosun Beut në krye  të udhëheqjes shtetërore përparonte në mënyrë të volitshme matanë kufirit. Njerëzit nisën të lidhen gradualisht. Shpeshherë armiqtë e shihnin të udhës se duhet t’i kapërcejnë fyerjet e ndërsjella dhe me kujdes afroheshin duke ia ofruar besimin njëri-tjetrit. Disa, ndërkaq, mbeteshin në marrëdhënie të njëjta dhe e venin në dyshim njëri-tjetrin deri në fillimin e aksionit. Irredenta në anën tonë në krye me myftiun u trullua. Nuk mundte ta vërtetojë kush ishte matanë saktësisht me Tosun Beun, e kush nuk ishte. (Tosunin e llogariste për tradhtar të kombit, për shkak se ishte me neve). Kjo ia tërhiqte vëmendjen pushtetit të atjeshëm të kenë kujdes herë te njëri, herë te tjetri. Komandanti në atë anë Ali Rizahu i vërtetonte sa mundej të gjitha raportet të cilat ia dërgonin. Disa njerëz i burgoste, disa i lëshonte. Më në fund edhe vetë filloi të dyshojë: kujt t’i besojë. Sepse derisa i besuari i komandantit të brigadës sonë përpiqej ta bindë se me Tosun Beun janë vetëm Tafa me treqind vetë (për të tjerët nuk dinte), nga ana tjetër myftiu tregonte me gisht kah shumë të tjerë si të dyshimtë. Dhe Ali Riza nisi t’i kritikojë haptazi, të çojë ushtarë nëpër fshatrat e tyre, t’i spiunojë. Duke u gjetur në hall dhe në mundësi që të digjen dhe të dëbohen e pastaj të ndiqen nëpër male e gjithë paria, e cila e kishte dhënë besën për Tosun Beun, zbritën nga malet një ditë duke u prirë përcjelljeve të tyre prej nja njëzet njerëzish të armatosur. Dina, Murati, Haqifi dhe Dervishi pinë kafe në han të qytezës së qarkut dhe u nisën në komandë.

– O, tunijatijeta! (O tungjatjeta! Shën. i përkth.), u ngrit në këmbë Ali Rizahu. Sije? (Si je?). 
Ata s’u përgjigjën fare, po u ulën heshtazi.
– Çka keni? ia nisi komandanti duke e shikuar në fytyrë herë njërin, herë tjetrin.
– Nuk na duhet përshëndetja e tradhtarit.
– Kush është tradhtar? Unë?
– Ti! Ti.
– Aman! u ndërrua në fytyrë Ali Rizahu. Pse?
– Ti ke dhënë besë për Tosun Beun, kurse neve na vë në dyshim që t’i mbulosh gjurmët…
– Per zotit, per din, per iman (Pasha Zotin, pasha din e iman, shën. i përkth.), nisi të bëjë be Ali Rizahu, nuk është e vërtetë se kam dhënë besë!
– Po a mund të betohesh na flamur? (në flamur)
– Mundem. Po a mundeni edhe ju?
– Mundemi.
– Silleni flamurin këtu!
Dhe ordinanca e solli flamurin shtetëror brenda.
Atëherë të gjithë e vunë dorën e djathtë në flamur dhe u betuan se asnjëri nuk ka dhënë besë për Tosun Beun.
Kështu ranë në ujë raportet e myftiut. Ali Rizahu mbet i bindur se vetëm  Tafa me treqind vetat e vetë është kundërshtar dhe në luftë më vonë ra.
E vizitova para do kohësh në burg në kryeqytetin e tij. I dërmuar, i pajtuar me gjendjen që mbretëron sot dhe shikon disi të shpëtojë. Mirëpo diçka s’e kupton dot:
U betuam mbi flamur. Dhe, unë i vetmi me të drejtë. Tash ata janë majorë, kurse unë në burg!

9.
Ka disa ditë që ka rrokur acari, fryma e akullt kalëron rrugëve dhe dimri i mbulon me shtresën e tij të bardhë lagjet e mjera. Era depërtonte nëpër ndërthurmat e drunjta në dritaret pa qelqe dhe varfëria ngrihej në lecka të cilat i shet ditën e pazarit. Një fëmijë me buzë të mavijosura dhe duar në xhepa hyri në banesën e komandantit të vendit. I kishte nja dhjetë vjet, po dukej më i moçëm nga fytyra e shterur.
– I kam gjashtë kokrra vezë, zonjë. Po të holla nuk dua, dua dru. I varfër… Dru për ilaç… Vëllain rrogëtar… unë rrogëtar… Nëna e mardhur… e sëmurë…
Zonja urdhëroi t’i japin dy copa dru, kurse vezët, natyrisht, nuk i mori.

10.
Ishte një ndeje tjetër argëtimi e mësuesve të komunës. Zgjidheshin edhe mbretëreshat. Zeshkania e fitoi bionden. Po të dyjat janë të lezetshme dhe të reja e duke u kthyer nga argëtimi dhe duke bartur gëzimin e dhembjen në zemër ishin të pavetëdijshme për kandidimin e tyre. Në mënyrë të drejtpërdrejtë ishin të zënë ai nëntogeri biond dhe Zijahu (6), mësues. Ne të tjerët, që të gjithë jemi të pasinqertë. Secili e dëshironte rininë që kishin ato. Ne e zgjidhnim vetveten nga ajo kohë kur i rregullonim flokët me kaçurrela, kur shkruanim ndonjë varg dhe mblidhnim vjollca. Sikur të ketë mbetur edhe tash fryma e tyre pranverore ta nxisë “pikëllimin për rininë” dhe mallëngjimin e ditëve të vjeshtës.
Kështu e freskët ishte ajo si fytyrat e këtyre dy vajzave. Gjithçka rreth saj lulëzonte: edhe trëndafilat nëpër kopshte, edhe dëshirat në zemër. Kurse shpresat shkonin dredha-dredha si erëza të lehta nëpër malet me pisha. Tash, ja, po përvidhet vjeshta e vonë dhe gjethet e vyshkura dhe me brymë janë.
– Na këndo ndonjë këngë, moj Bosë. Çka po do… Të dy vashat shkuan… Nga “Koshtana (7)” më së miri. “Po ta dije ti moj vashë…”

(Fund i këtij reportazhi)

_______________________________________________________________________________
[6] Me qëllim përmendet emri mysliman i mësuesit që të krijohet përshtypja se në arsimin e atëhershëm janë përfshirë edhe shqiptarët[7]Dramë e Bora Stankoviçit

LEXO PJESËN PARAPRAKE: NË QYTETIN E VDEKUR 2

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button