ANALIZË: Verë e nxehtë – reforma të vështira, çfarë do të jetë prioritet?

Me vullnet të vërtetë politik, vendosmëri, por edhe obligim për qëndrueshmëri, Qeveria do të mund t’i zbatojë reformat, të paketuara në Planin aksionar 3-6-9, komentojnë ekspertët për Portalb.mk. Diplomatët e huaj porosisin se nga fjalët duhet të kalohet në vepra. Në listën e prioriteteve janë mediat, gjyqësori, pavarësia e institucioneve dhe administrata. A mundet që ajo që nuk u bë me vite, të përfundojë në periudhën e ardhshme?

Numërimi ka filluar- çfarë do të bëhet…

Plan ambicioz, detyra të vështira shtëpiake. Kështu një pjesë e ekspertëve e vlerësojnë Planin aksionar për reforma të cilin e miratoi Qeveria, duke vendosur termine për realizimin e obligimeve të marra. Listës i prin gjyqësori që konsiderohet si segmenti më i rëndësishëm dhe më i ndjeshëm ku duhet zbatuar reformat.

“Në labirintet e rregullave, ligjeve, dispozitave e kështu me radhë, mbrojtësit e krimit kanë bërë fortesën e tyre në gjyqësor. Nuk është lehtë të ndryshohet përnjëherë dhe për kohë kaq të shkurtër. Duhet filluar nga ajo që mund të bëhet, gjegjësisht të vetëdijesohen gjykatësit dhe prokurorët se kthetrat e tyre e mbajnë peng të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe gjeneratave të ardhshme”, thotë për Portalb.mk analisti Albert Hani.

Ideja për riemërim të përgjithshëm të gjykatësve u hodh poshtë nga ekspertët. Ata janë të mendimit se ky segment apo gjyqësori është vështirë për t’u reformuar dhe për këtë fillimisht duhet bërë analizë të thellë.

“Mendoj se rekomandohet në këtë fushë të bëhet vlerësim i rrënjësishëm i asaj se ku jemi dhe ku kishim qëllim të jemi me reformat si dhe të vërtetohen propozime, së bashku me komunitetin e gjyqësorit me konsensus më të lartë (të mundshëm) për rrjedhën e mëtutjeshme. Qeveria në planin paralajmëroi shfuqizimin e Këshillit për vërtetimin e fakteve dhe mendoj se përmes këtij hapi po tenton të nxit komunitetin e gjyqësorit që të veprojë në mënyrë më pro-aktive si aktor në reforma”, vlerëson Simonida Kacarski nga Instituti për politika evropiane.

Në planin qeveritar, në pjesën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, mes tjerash përmendet edhe miratimi i Propozim- ligjit për përdorimin e gjuhëve nga ana e Qeverisë, që më pas do të dorëzohet për konsultim në Komisionin e Venedikut.

“Qeveria do ta përgatisë Ligjin për përdorimin e gjuhëve që më pas do të dorëzohet në Kuvend, por edhe në Komisionin e Venedikut për konsultime. Një pjesë e aktiviteteve parashohin vendim për ndalimin e reklamave qeveritare pranë përçuesve komercial radio- difuziv, publikimin e të gjitha shpenzimeve për reklamim të Qeverisë dhe shpjegimin e kritereve për përzgjedhjen e mediave në formatin e dorëzuar nga Komisionit Evropian”, është shprehur zëvendës- kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.

Si pjesë e prioriteteve reformuese janë pikërisht mediat.

“Sektori i biznesit duhet të merr përgjegjësi më të madhe edhe nga ajo që e ka pushteti. Në këtë drejtim, vlerësoj se gjithashtu duhet të mendohet një sistem për dënimin e partive politike që drejtpërdrejtë apo indirekt japin ryshfet apo u bëjnë presion mediave. Nga ana tjetër, nuk duhet dhe nuk guxon të ketë ndalim të ri-edukimit dhe profesionalizimit të gazetarëve”, thotë analisti Hani.

Qeveria në kulmin e verës së nxehtë vendosi një sërë prioritete të vështira reformuese. Atë që e ka vendosur në letër, pritet ta realizojë, porositi euro-ambasadori, Samuel Zhbogar.

“E mira është që Qeveria arriti të përgatit plan. U kalua nga fjalët në reforma konkrete në letër. Mendoj se në tre muajt e ardhshëm duhet bërë hapa konkret në këtë drejtim. Kuptohet se si BE do t’i mbështesim, por të presim hap pas hapi të realizohen këto punë”, vlerëson përfaqësuesi evropian në Maqedoni.

Në obligimet e planifikuar me Planin aksionar 3-6-9, VMRO DPMNE-ja opozitare nuk sheh diç të re.

“Plani i ashtuquajtur në pjesën më të madhe është përshkrim i planeve aksionare të miratuara në seancat e Qeverisë para më shumë se një viti. Një pjesë e madhe e planit të ashtuquajtur është realizuar”, njoftuan nga VMRO DPMNE. Si të realizuar e përmendin njësitin e veçantë për luftë kundër tregtisë klandestine.

Në tre muajt e parë të planit të përgatitur, priten rreth 70 ndryshime në sektorë të ndryshëm, përmes intervenimeve ligjore, deklaratave, harmonizimeve në gjyqësor, mediave, hapjen e debateve dhe sistemin e ndjekjes.

Plani reformues u prezantua nga kryeministri Zoran Zaev, i cili paralajmëroi se për zbatimin e obligimeve të planifikuara reformuese do të sigurohet demokratizimi dhe departizimi i institucioneve, si kusht i brendshëm që në vjeshtë BE të heq kushtin për fillimin e negociatave të Maqedonisë për anëtarësim në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button