Bobi, milioneri im

Në tekstin e fundit fjala ishte që kësaj rradhe do të shkruaj për mikun e vetëm milioner “atipik, prandaj shoqërohemi me sukses”. Kur një ditë u tregoja miqëve në “Zanzibar” se presim rezultatet e konkursit të Ministrisë së kulturës për qëndrim dymujor në Cite Internationale des artes në Paris, Bobi u ofrua që nëse në atë periudhë gjendet atje të na shetisë nëpër vendet e veta të preferuara. Ia përcolla ofertën piktores Kiki, ajo kuptohet më pyeti se ku e gjeta pasanikun, u përgjigja se në fakt ai më gjeti, në kafeterinë Zanzibar ku tash jemi në të njëjtin Rreth. Rrëfimi me të dhe tjerët në vendtubimin tonë ndanë parkut të qytetit nisi me fotografistin Qamilov, më saktë me Shkollën verore të fotografisë në Mavrovë, vera 2008, për çka do flas tjetër herë. 

Miku im i ri Adnani thotë se këtu te ne shkuhet shuumë gjatë ndërkohë që njerëzit, si e para janë të ngarkuar, kush me punë kush vetëm me probleme, dhe e dyta kultura e të lexuarit shkon duke u zbehur, dhe përgjithësisht sipas tij tekstet e shkurtëra dalin më të bukura, më referenciale, më ujgun për memorim dhe citim. I them se kjo është edhe më praktike për ata që shkruajnë “por edhe për ne që lexojmë” shton ai me të qeshur. Nuk e di vetëm si do të mund ta paketoj në të ardhmen hoxhë Adnanin në tekst të shkurtër se thuaja gjithçka që ai thotë ka vlerë dhe ka humor, ndërsa poezia që e shkruan për qejf të vet është me thellësira sufiste, ashtu siq duket edhe ai vetë. 

T’i kthehemtash  milionerit. 

Ai nuk duket si milionerët e këtushëm (pra duket dhe rrezaton mirë), nuk krekoset duke shpenzuar pa karar (telefonin, për shembull, e ka “me mbushje”, i them me tallje se pasanike sa ai as jam as do jem ndonjëherë, ama të paktën impulse kam pakufi), nuk e bën muhabetin e pareve (pasi nuk i ka fituar brenda Natës, gradualisht është ngjitur majave ashtu si pararendësit e vet, prandaj nuk shashërdiset nga shifrat e larta), nuk i duket interesant të harxhojë vetëm për vete (që më së shumti më bën përshtypje tek ai). Lexoja këto ditë se për shembull, se regjisori George Lucas (American Graffiti, Star Wars, Indiana Jones, ju kujtohet) tërhiqet nga biznesi për të jetuar në shtëpinë e madhe me të gjitha komoditetet dhe me kushtet që të funkcionojë edhe si studio filmike për krijuesit që kanë nevojë dhe nuk kanë mundësi të pagojnë. Gjysmën e fitimeve të veta i dhuron për qëllime humanitare dhe kjo nuk është e tëra: formon Këshillin e miliarderëve, tash numëron rreth 120 anëtarë të cilët gjysmën e pasurisë do ua dedikojnë nevojave të ndryshme të komunitetit,  ndërsa vetë Lucas shkollës së vet të dikurshme i dhuron 175 milionë dollarë, donacioni deri tash më i madh individual për një institucion arsimor. 

E, këta janë pasanikë, e jo shumica e këtyre qelepurave te ne, instant pasuri – instant vetëdije, kurgjë interesante.

Miku im Bobi, derisa ka jetuar në Francë blen, mes tjerash, edhe një apartament në pjesën moderne të Parisit dhe ua dedikon miqëve. Secili prej nesh kur t’na kujtohet mund të shkojmë dhe rrijmë në apartamentin e tij aq gjatë sa kemi qejf, respektivisht derisa të vijë mysafiri tjetër i rradhës. 

Bobi ka një tabijat tipik për pasanikët: gruaja e tij e tretë është dyfish më e re se ai. 
Dasmën do ta bëjnë pasi të rritet pak foshnja që e presin këto ditë.

Lokacioni është caktuar që moti: njëra nga kështjellat e Loarës.

Nuk e aprovuam idenë kur na e tregoi pasi francezët me gjithë maniret dhe kulturën e vet nuk janë për të krijuar atmosferë, s’janë të hareshëm, nuk dijnë as valle të luajnë, çfarë dasme do jetë kjo!?

Bobi tha se do jetë e hareshme pasi pa ne nuk e bën: do na mbledhë të gjithëve që i konsideron të afërt dhe me avion na merr me vete. 

E kjo veçmë tingëllonte në stilin e tij. U lumturuam para vaktit, siq bëjmë sa herë. 
I thamë që detyrimet profesionale prej tash do i ndajmë: Qamilov i bën fotot, Borojeviq dizajnin e sallës, Popovski do të këndojë evergrinet si dikur në rini kur ka ecur festivaleve nëpër Evropë dhe botë, ndërsa mua më mbeti në hise kolumna.

Kjo do të jetë, me kismet, një nga tekstet e vjeshtës se dasma e madhe atëherë fillon….

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button