Zheng He Sanbao, kinezi mysliman që lundroi botën

Një mysliman në majat e perandorisë kineze. Në historinë e saj të pandërprerë 3500 vjeçare Kina padyshim ka shënuar arritje të mëdha në një morri lëmish, por lundrimi dhe zbulimi detar i botës sikur nuk i kanë shkuar për dore. E izoluar gjeografikisht, por mjaft e begatë për të mos ja patur nevojën botës, preokupim kryesor historik i Kinës ka qenë ruajtja e stabilitetit të brendshëm, ndërsa politika e jashtme ka mbaruar te menaxhimi i kërcënimit mongol dhe dominimi i fqinjëve në Kore e Indokinë. Për kinezët deti përherë ka qenë luks dhe jo nevojë. E megjithatë lundrimi kinez ka patur një epokë të tij të artë, një periudhë shkëlqimi 30-vjeçare, kur Kina zbuloi, njohu dhe kontaktoi botën përtej detit si askush më parë; periudhë kur e gjithë historia e botës mund të kishte marrur kahje tjetër sikur të zgjaste vetëm pak më gjatë. E në qendër të këtij rrëfimi qëndron një figurë thuajse e pamundshme, një njeri gjysëm-përrallor, kinez dhe njëkohësisht mysliman, admirali Zheng He Sanbao.

Rrëfimi i Zheng He fillon në mes të shekullit të 14-të, me çlirimin e Kinës nga sundimi mongol dhe ngritjen e dinastisë Ming. E lodhur nga shtypja shekullore mongole, një grup rebelësh kinezë të njohur si “Turbanët e Kuq” ngritën krye kundër pushtuesit dhe arritën t’a flakin atë jashtë kufijve të Kinës. Në kaosin e betejave të njëpasnjëshme bien edhe shumë viktima nga komuniteti islam kinez, të cilit i përkiste Zheng He. Në moshën dhjetëvjeçare duket se ai veçmë është jetim dhe zihet rob e bëhet pjesë e enturazhit të princit të ri Zhu Di. Me talentin dhe disciplinën e tij Zheng He shpejtë ngjit shkallët e administratës së princit dhe kur Zhu Di trashëgon fronin si perandori Yong Le, Zheng He është një ndër këshilltarët e tij më të afërt.

Shtatë udhëtimet e Zheng He-së. Sapo vjen në fron si perandor, Yong Le ndryshon rrënjësisht politikën e deriatëhershme kineze dhe vendos të hapet drejt botës. Instrumenti kryesor i kësaj hapje do të ishin eksplorimet në det, për të njohur botën dhe për të tregtuar me popuj tjerë në rrugë detare. Për këtë qëllim perandoria ndërtoi një flotë gjigante, e cila me madhështinë e saj do të shpaloste fuqinë kineze para popujve që do të kontaktonte. Ndërtimi i flotës dhe udhëheqja e saj drejt vendeve të njohura e të panjohura iu besua këshilltarit më të afërt të perandorit, admiralit Zheng He.

Në një periudhë 30-vjeçare, në fillim të shekullit 14-të, flota e Zheng He-së do të bënte shtatë udhëtime të gjata, duke shtyrë gjithnjë e më larg kufijtë e depërtimit kinez. Qysh në udhëtimet e para ajo la pas Indokinën dhe Indonezinë, arriti në Cejlon, kaloi kepin jugor të Indisë dhe arriti në Kalkutë, thuajse njëqind vite para eksploruesve europianë. Në udhëtimet e ardhshme Zheng He do të shkojë gjithnjë e më larg, drejt Gjirit Persik, në Gjirin e Adenit dhe telartë Detit të Kuq deri në Mekë. Në fund kinezët arritën të eksplorojnë bregdetin afrikan, duke arritur në Mogadishu, në Zanzibar, e ndoshta deri në Madagaskar në jug të kontinentit.

100 vite para europianëve. Arritja mahnitëse e Zheng He-së mund të kuptohet vetëm nëse vendoset në kontekstin e duhur kohor dhe shihet paralelisht me eksplorimin europian të asaj kohe. Në vitin 1433, në udhëtimin e shtatë të Zheng He-së kur kinezët kishin arritur Zanzibarin mbi 10 mijë kilometra larg, europianët ende s’po ia dilnin të kalojnë kepin Bajador në Maroko. Do të duhej të kalonin edhe pesëdhjetë vite tjera që Bartolome Diaz të arrinte Kepin e Shpresës së Mirë. Kur Vasko de Gama gjashtëdhjetë vite më vonë më në fund arriti në Kalkutë, gjeti aty plot shenja e rrëfenja të vizitës së mëparshme kineze. Fillimisht vendasit madje menduan se është rikthyer flota kineze.

Flota e Zheng He-së poashtu ishte tejet më e përgatitur se cilado flotë europiane e 100 viteve të ardhshme. De Gama arriti në Indi me pesë anije dhe rreth 150 marinarë, ndërsa flotat e Zheng He-së rregullisht kishin 200-300 anije dhe ekuipazh me mbi 27.000 njerëz. Me çdo parametër dukej se kinezët ishin të destinuar të lundronin gjithë botën dhe të jenë të parët që do të zbulonin të gjitha viset e panjohura, njëqind vite para europianëve.

Stagnimi i pakuptueshëm kinez. Në udhëtimet e fundit Zheng He kishte arritur deri në Zanzibar, e ndoshta deri në jug në Madagaskar. Nuk do mend se në udhëtimet e ardhshme ai lehtë mund të kalonte kepin e Shpresës së Mirë disa qindra kilometra më në jug dhe të lundronte pastaj në veri drejt Europës. Me pak më tepër vullnet kinezët mund të arrinin në Europë pesëdhjetë vite para se europianët të merrnin rrugën e kundërt. Atëherë do të ishin kinezët ata që do të kontrollonin rrugët detare dhe që do të shkruanin historinë që më pas bënë europianët. Historia e gjithë botës pra lehtë mund të kishte marrur kahje krejtësisht tjetër, të dominuar kryesisht nga Kina.

Por eksplorimi kinez përfundoi papritur, ashtu siç kishte filluar. Pas vdekjes së perandorit Yong Le dhe pasardhësit të tij, balanci i forcave politike kineze ndryshoi në favor të birokratëve, kundërshtarë të Zheng He-së dhe hapjes me botën. Udhëtimet në det të hapur përnjëherë u ndaluan, perandorë të njëpasnjëshëm asgjësuan flotën, ndërsa ndërtimi i anijeve iu nënshtrua kufizimeve gjithnjë e më të rrepta. Njëqind vite pas Zheng He-së në Kinë nuk lejoheshin më anije më të mëdha se varkat e peshkatarëve, ndërsa kinezëve iu ndalua të udhëtonin jashtë vendit.

Me këtë morri fund epoka e shkurtër por e artë e eksplorimeve detare kineze. Trashëgimia dhe vepra e Zheng He-së u harrua. Paralelisht me këtë europianët po përsosnin gjithnjë e më tepër teknologjitë e tyre detare dhe po zbulonin shumë e shumë vise të reja. Disa qindra vite më vonë ata do të hynin në mënyrë triumfale në limanet kineze, ndërsa Kina e izoluar, e mbyllur në vetvete dhe e prapambetur nuk kishte më fuqi t’u bënte ballë. Ajo akoma po paguan shtrenjtë flakjen e trashëgimisë së Zheng He-së dhe humbjen e shansit historik për të dominuar botën.

Nga Zheng He te Sinbad Detari. Gradualisht i harruar në Kinë, Zheng He me bëmat e tij ngadalë doli nga historia dhe kaloi në sferën e legjendave e përrallave. Madhësia e flotës së tij dhe lehtësia me të cilën navigoi deri në Afrikë, si dhe harresa në të cilën u la më pas, lënë hapur mundësinë që ai të ketë bërë udhëtime tjera të pashënuara në analet kineze. Spekulohet se ai mund të ketë arritur deri në Europë, ndërsa sipas një teorie ai ka qenë i pari që ka shkelur në Amerikë, shtatëdhjetë vjet para Kolumbos.

Megjithëse këto pretendime mbesin në fushën e spekulimeve të pabaza, figura e Zheng He-së morri dhenë në një kahje krejtësisht tjetër. Sot është mëse e sigurtë se me kohë ai u shndërrua në figurë përrallore – Sinbad Detari i “1001 netëve”, sepse ka plot argumente që na shpien në këtë përfundim. Së pari dihet se përralla e Sinbadit nuk figuron në verzionet e mëhershme të “1001 netëve” dhe i është shtuar atij korpusi diku kah shekulli i 16-të ose 17-të. Poashtu dihet se Zheng Heu historik njihej edhe si Sanbao, emër vetëm një hap larg verzionit përrallor Sinbad. Nuk mund të jetë rastësi as fakti që Sinbadi i përrallave bën saktësisht shtatë udhëtime, njëlloj siç kishte bërë Zheng He. Si i gjallë ai vizitoi disa herë Indinë, Persinë e Arabinë, e fakti që ishte mysliman mund t’a kishte bërë më të afërt dhe më të pranueshëm për kulturën islame të asaj kohe. Me sa duket bëmat e këtij detari kinez por mysliman kanë mbetur gjallë në memorjen kolektive të popujve islamikë të Lindjes së Mesme, janë rrëfyer e stërrëfyer gojarisht shekuj më rradhë, duke marrë trajta gjithnjë e më fantastike, derisa ai është shndërruar në Sinbad Detarin dhe është harruar se ka ekzistuar vërtetë si njeri mishi e gjaku.

Sido që të jetë Zheng He sot është rizbuluar dhe rehabilituar nga bota moderne, sidomos nga vetë kinezët. Ai mbetet një nga figurat më markante të historisë së navigacionit dhe shkencës së gjeografisë, një ndër detarët më të spikatur të të gjitha kohërave; figurë njëkohësisht heroike për arritjet e tij dhe tragjike për rastin e humbur për të zbuluar pjesën tjetër të botës shumë më herët se europianët.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button