Thaçi: FSK kontribuon në stabilitetin rajonal dhe global

Në kazermën “Skënderbeu” të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) në Ferizaj u organizua ceremonia e diplomimit të 61 rekrutëve nga radhët e komunitetit serb të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) (kursit bazik, gjenerata e parë 2017), raporton Anadolu Agency (AA).

Rekrutët nga komuniteti serb dhe malazez i Kosovës të cilët morën pjesë në ceremoninë e certifikimit për t’iu bashkuar FSK-së mbaruan kursin bazik të gjeneratës së parë 2017, i cili zgjati 9 javë, që filloi më datën 10 maj dhe përfundoi sot më 7 korrik 2017.

Në këtë ceremoni morën pjesë, Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Komandanti Suprem i FSK-së, Hashim Thaçi, ministri në largim i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) Haki Demolli, komandanti i FSK-së, gjeneral lejtnant Rrahman Rama, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ambasadorë, oficerë, nënoficerë dhe familjarë të rekrutëve.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në fjalën e tij ku iu drejtua rekrutëve duke i përgëzuar kadetët e rinj për një hap të tillë “të rëndësishëm dhe të guximshëm” tha se ata i janë bashkuar institucionit më demokratik, shumë-etnik dhe profesional të Republikës së Kosovës.

“Mënyra e vetme dhe më e mira për mbrojtjen dhe avancimin e interesave të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, në këte rast edhe të komunitetit serb, është dhe mbetet vetëm përmes pjesëmarrjes së tyre aktive në institucionet tona shtetërore”, u shpreh Presidenti Thaçi.

Thaçi duke theksuar se pjesëtarët e FSK-së po kontribuojnë në ndërtimin dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe atij global tha se “Në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjik po punojmë për ta përfunduar transformimin e FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës, që nënkupton ndryshime të rëndësishme në mandatin, misionin, madhësinë dhe strukturën e FSK-së”.

Ndërsa, ministri në largim i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Haki Demolli gjatë fjalimit të tij tha se ushtarët e rinj dje ishin civilë të thjeshtë kurse sot janë ushtarë të mbushur me vendosmëri, entuziazëm dhe besim duke shtuar se “Fakt ky që neve na jep një shpresë për të ardhme më të sigurtë”.

“Ky vullnet i madh i juaji dëshmon se ju keni bërë zgjidhjen e duhur kur jeni përcaktuar për të shërbyer në FSK, për t’i shërbyer Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj pa dallime kombi, race apo gjinie. Me këtë veprim ju keni nderuar vetën dhe familjet tuaja”, tha Demolli.

Demolli duke falënderuar familjet e këtyre ushtarëve për mbështetjen e vazhdueshme theksoi se trajnimi bazik i rekrutëve është bërë sipas standardeve të ushtrive më moderne të botës.

Ndërsa njëri nga rekrutët e diplomuar, Stefan Gjukiç nga Zubin Potoku, që ndodhet veri të Kosovës, duke shpjeguar asyen pse i është bashkangjitur FSK-së tha se “Nevoja për t’u punësuar. Gjithmonë më ka pëlqyer jeta ushtarake, sepse babai im është polic dhe e dua këtë profesion”, tha Gjukiç.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button