Një selfie nga Radishani

Shfrytëzuesit e shumtë të rrjeteve sociale vështirë mund ta kenë evituar vërshimin e fotografive selfie (në anglisht, auto-fotografi e bërë me aparatin e telefonit celular), ku fokusi bie mbi personat në qendër të pamjes. Fotografia bëhet duke e mbajtur telefonin me dorë, ku ekrani shfrytëzohet si pasqyre për ta fotografuar veten, mundësisht në ndonjë ngjarje të rëndësishme ku prania është e domosdoshme (të paktën për t’i treguar tjerëve se ja, edhe unë jam këtu). Në të shumtën e rasteve, prapavija duket pak, meqë fshihet nga fytyra në fokus. 

Çka tregon fytyra e ngjarjes së fundit në lagjen Radishan të Shkupit, ku familja Zeqiri u detyrua të shpërngulet nga vatra e saj për në Gjermani, pas sulmeve të pareshtura? 

Sipas lajmeve në shqip, 16 pjesëtarë të familjes më të gjerë kanë vendosur të kërkojnë azil në Gjermani, meqë nuk ndjehen të sigurt në shtëpinë e tyre, cak i një sulmi vandal para një muaji. Terri i mediave u tejkalua vetëm falë kamerave private të sigurisë, që e kanë incizuar pjesërisht incidentin e fundit. Rasti u hesht pas paralajmërimit zyrtar për 6 procedime penale dhe pjesa tjetër e familjes pritet të lëvizë për në Turqi, pavarësisht tentimeve të pasuksesshme për zbutjen e rastit post-festum.  

Nëse një familje shpërngulet me dhunë, si pasojë e sulmeve dhe frikësimit në bazë të përkatësisë etnike ose fetare, për të krijuar kështu një territor të pastër homogjen, kjo përputhet me përkufizimin shkencor të pastrimit etnik. Fakt, pragu i tolerancës mund të jetë ngritur pas pastrimeve të dhunshme sistematike në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë, por masa e kufizuar e një rasti megjithatë nuk e relativizon esencën. 

Skena të këtilla nuk janë dëshmuar në Maqedoni që nga konflikti i vitit 2001, të paktën jo publikisht. Sot, pas trembëdhjetë viteve, ky rast i hedh në ujë krejt fjalimet për progres, integrim, pranvera dinjiteti e çka jo tjetër. Një familje që ik nga kërcënimet e vazhdueshme, e pambrojtur nga institucionet e sistemit ku nuk sundon ligji, duke kërkuar azil në Gjermani për të shpëtuar. E padenjë për shekullin XXI, aq më pak për një shtet kandidat për BE. 

Fati i një familjeje të vetme mund t’i duket dikujt si diçka e parëndësishme, por në të vërtetë, rasti i tejkalon sipas rëndësisë të gjitha “çështjet madhore” dhe projektet për të cilat më shumë dëgjojmë sesa që i shohim. Kur nuk mund t’i garantohet siguria një familjeje në shtëpinë e vet, çka mund të pritet për gjëra më të komplikuara? Mosinteresimi institucional dhe injorimi politik ndaj familjes Zeqiri lë pak për të pritur për rastet e panumërta të dajakut rrugëve dhe autobusëve të Shkupit. Për këto nuk mund të amnistohen institucionet dhe personat në pozita udhëheqëse – veçanërisht jo përfaqësuesit politikë dhe institucionalë shqiptarë, të cilët kanë përgjegjësi më të madhe si mbrojtës të vetëshpallur të interesave kolektive etnike. Për fat, ata nuk ndeshen me probleme të këtilla në Tetovë ose Kërçovë, që mbase mund të jetë arsyeja për injorim. 

Thellësia e hendekut të Maqedonisë shihet edhe në faktin që nuk ka pothuajse asnjë raportim për shpërnguljen e familjes Zeqiri në mediat në gjuhën maqedonase; duheshin dy ditë që lajmi të duket në vetëm dy-tre faqe interneti. Nëse disi mund të shpjegohet heshtja e mediave të kontrolluara, falë të cilave vendi radhitet në pozitën 122 sipas lirisë së shprehjes, nuk ka arsyetim pse shpërnguljes nuk i jepet asnjë rresht rëndësi nga mediat tjera maqedonase që mbajnë njëfarë distance për çështjet politike, por ja që nuk kanë interesim për imtësitë si kjo. 

Ka pak shpresë për ndonjë ndryshim pozitiv, nëse nuk është mësuar leksioni që shkelja institucionale – në këtë rast mbi kurrizin e shqiptarëve – i tejkalon shpejtë kufijtë etnikë, meqë kur sistemi nuk bazohet në ligje, shpejtë i kthehet bumerang atyre që e mbështesin atë, qoftë me përfshirje direkte ose të heshtur. Derisa nuk kuptohet kjo, nuk mund të ketë shoqëri të hapur për krejt qytetarët, pavarësisht ku jetojnë ose cilës shtresë sociale i takojnë. 

Episodi i fundit kur rreziku dhe mjerimi në vendlindje zgjidhet me kërkimin e azilit në Gjermani duhet ta përkujtojë Bashkimin Evropian për problemet e vërteta me të cilat ballafaqohet Maqedonia. Është mirë kur ka inkurajim për integrim evropian, por është edhe më e rëndësishme të ceken qartë çështjet kritike të cilat i nxisin qytetarët të integrohen në BE – në bazë individuale. Për fillim, mjafton të rishqyrtohet përshkrimi i dhënë në Progres raportin e fundit të Komisionit Evropian (fq. 12), ku thuhet që “partnerët e koalicionit kanë bërë përpjekje të përbashkëta për lehtësimin e tensioneve ndëretnike”. Kjo, lehtësim nuk është me siguri. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button