Mendje e mbyllur

Besa Arifi, profesore e asociuar në Universitetin e Evropës Jug-Lindore

Besa Arifi

Shoqëria jonë vazhdon te vuajë nga sindromi i përhershëm ballkanik i mendjes së mbyllur. Nuk është aspak rastësi që të gjitha vendet ballkanike gjenden përafërsisht në të njejtën gjendje sa i përket sundimit të së drejtës, lirisë dhe demokracisë. Poashtu, nuk është aspak rastësi që të gjitha migrimet që bëhen nka kjo pjesë e botës, bëhen në drejtim të perëndimit, ku e kanë cakun të shkojnë shumica e të rinjve në Ballkan. Nuk është aspak rastësi që në Ballkan ligjet vlejnë në mënyrë selektive ndërsa drejtësia dhe barazia e plotë qytetare është vështirë të arrihet, bile shpesh duket edhe e pamundur. Kjo për shkak se shumica prej nesh kanë mendje të mbyllur dhe standarde të dyfishta brenda vehtes. Është shumë e vështirë të realizohet drejtësia në një vend ku shumica dërmuese e popullit, dhe si pasojë edhe njerëzit që i përfaqësojnë ata në pushtet, kanë standarde të dyfishta dhe qasje jo vetëm konzervative por njëherit edhe të izoluar ndaj realiteteve shoqërore.

Sindromin e mendjes së mbyllur gjatë kësaj jave vazhduam ta shohim tek gjykatat. Fiks para një jave, Prokuroria Speciale Publike doli me 17 aktakuza për 18 lëndë, drejtuar kundër 94 personave fizikë dhe 7 personave juridikë në këtë shtet. Kjo Prokurori kërkoi paraburgim për 18 persona dhe këto kërkesa i bazoi në Ligjin e Procedurës Penale i cili parasheh që paraburgimi mund të kërkohet kur ka rrezik që i akuzuari mund të arratiset, mund t’i asgjësojë ose ti falsifikojë provat, mund të ndikojë tek dëshmitarët, ekspertët, bashkëpunëtorët, mund ta përsërisë vepërn penale ose kur i njejti qëllimisht e prolongon ose e eviton paraqitjen përpara gjykatës. Është më se e qartë që për shumë nga personat e akuzuar nga PSP shumica e këtyre reziqeve janë relevante dhe prandaj kërkesat për paraburgim që ngriti PSP janë jo vetëm të bazuara por tejet të domosdoshme.

Gjykata u prononcua në shkallë të parë lidhur me këto kërkesa. Sa prej tyre pranoi? Zero! Sa kërkesa për paraburgim të ngritura nga PSP gjer tani ka pranuar kjo gjykatë? Gati asnjë. Ah po, pranoi kërkesën për paraburgim për Sead Koçanin, por të njëjtin e liroi nga paraburgimi as më pak e as më shumë vetë Gjykata Supreme, sipas kërkesës së vetë Prokurorit Shtetëror, i cili e pa të arsyeshme të kërkojë dhe të fitojë lirim nga paraburgimi për personin e arratisur!

Dhe gjykata vazhdon tani të mos i pranojë këto kërkesa për paraburgim. Ishte e qartë kur këtë e bente gjatë regjimit të kaluar dhe gjatë kontrollit direkt dhe të fuqishëm të VMRO-së gjer sa ishte në pushtet. Por tani që ndryshimi i pushtetit ka ndodhur, dhe presioni politik i cili ishte aq i fuqishëm më herët tani nuk e ka më fuqinë e dikurshme, tani cili është problemi? Tani problemi është mendja e mbyllur. Në fakt gjithmonë problem ka qenë ky. Sepse, ashtu si që ka thënë Gandi: “Liria dhe robëria janë gjendje mendore”. Ai që është rob në shpirt nuk mund të bëhet i lirë edhe kur t’i hiqen prangat, ndërsa atë që është i lirë në shpirt nuk ka pranga që e robërojnë.

Kjo robëri e shpirtiti nuk shihet vetëm tek gjykatat. Të mos harrojmë, pushtetarët tanë që ne i zgjedhim dhe të cilët ne na përfaqësojnë, janë reflektim i gjendjes sone shpirtërore dhe qasjes që ne e kemi lidhur me lirinë, robërinë dhe standardet e dyfishta. Ndërsa standarde të dyfishta kemi plot.

Mjaftoi një deklaratë e deputetit Branko Manojlovski me të cilin ai kërkoi trajtim të barabartë dhe mosdiskriminim të personave jo hetero-seksualë dhe të gjithë u alarmuan. Deputeti më i moshuar në parlament, dha një sqarim shumë mendje-hapur për barazinë mes njerëzve dhe mos-diskriminimin dhe u mbajti leksion të gjithë të tjerëve, edhe atyre shumë më të rinj se ai, për atë se si njerëzit duhet të kenë mbrojen e barabartë nga drejtësia dhe se si askush nuk ka të drejtë të diskriminojë askend. Kjo deklaratë për Manojlovskin i cili ka jetuar diku tjetër dhe ka punuar me persona të racave të ndryshme, me meshkuj e femra, me homoseksualë e heteroseksualë, me njerëz të feve të ndryshme, është diçka shumë normale. Sepse mendja e hapur dhe lirimi nga standardet e dyfishta janë karakteristika të njerëzve që vërtetë kanë jetuar me dallime shumëngjyrëshe, dhe jo të njerëzve që këtë laramani e kanë pranuar vetëm formalisht, dhe vetëm aq sa ju duhet.

Nuk është aspak në rregull kur standardet e dyfishta i përdor dikush që ka qenë paraprakisht i diskriminuar në bazë të ndonjë karakteristike të tij. Kështu, nuk është aspak në rregull kur dikush që deri dje ka reaguar dhe ka kundërshtuar faktin që dikush me urrejtje e ka quajtur “shqiptar i mallkuar” sot të kategorizojë një komunitet si “njerëz të mallkuar tri herë nga Zoti”. Është kulmi i standardit të dyfishtë kur do të thoni që “klet shiptar” është diçka e papranueshme për ju, por njëherit, të thuhet “klet peder” është tërësisht OK! Urrejtja është urrejtje pavarësisht ndaj kujt shprehet, dhe është gjithmonë e papranueshme, në të gjitha format e saj. Sepse të thuash që homoseksualët janë të mallkuar nga Zoti është po aq liri e shprehjes sa edhe të thuash që shqiptarët si popull janë të mallkuar, ashtu si që na quajnë disa. Kjo nuk është liri e shprehjes, kjo është gjuhë e urrejtjes që askush nuk ka të drejtë ta përdorë, dhe për të cilën ekziston edhe përgjegjësi penale. Prandaj, derisa nuk i zgjidhim problemet që i kemi në vehte lidhur me standardet tona të dyfishta, derisa nuk e kuptojmë se ashtu së nuk është në rregull urrejtja ndaj nesh, poashtu nuk është në rregull të shprehim urrejtje ndaj të tjerëve, është e kotë të presim të vijë drejtësia. Sepse drejtësia e një vendi është reflektim i standardeve të vetë popullit të atij vendi.

Le të mos harrojmë që bota ku jetojmë është një botë shumëngjyrëshe dhe laramane. Le të mos harrojmë që pikërisht revolucioni shumëngjyrësh (ku morrën pjesë edhe shqiptarët, edhe maqedonasit, edhe romët, edhe personat LGBT, edhe shumë të tjerë) e solli ndryshimin në Maqedoni. Dhe le të mos harrojmë që çdo ndryshim i mëtejshëm pozitiv nuk është i mundur pa atë laramani shumëngjyrëshe, ashtu si që është shumëngjyrësh edhe flamuri që komuniteti LGBT e përdor, mbi të cilin shkuan thjeshtë: Paqe!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP