Shqipëri, shkrumbohen pyjet, 10 vatra zjarri në 24 orët e fundit

Përgjatë 24 orëve të fundit, 10 vatra zjarri ka patur në disa qytete si Vlorë, Shkodër, Durrës, Fier dhe Berat me dëme të mëdha materiale, shkruan Top Channel.

Shërbimet zjarrfikëse ndërhynë megjithë vështirësitë e terrenit. Në fshatin Bogovë ra një zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha. Për shkak të terrenit të vështirë malor, zjarrfikëset kanë punuar me mjete rrethanore për shuarjen e zjarrit. Për pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 1 hektar me shkurre dhe pisha. Mëngjesin e së mërkurës vatra e zjarrit u riaktivizua dhe zjarri është vënë nën kontroll.

Në Fier e Lushnje kanë rënë 4 zjarre në pyje ku u dogjën 7 hektarë shkurre, ferra, ullinj dhe pisha si dhe rrezikohej një qendër e banuar.

2 vatra zjarri ka patur në Vlorë, ku për pasojë u dogjën rreth dy hektarë sipërfaqe me shkurre, pisha dhe ullinj.

Në Malësi të Madhe ra zjarr dhe u dogj një sipërfaqe rreth 1 dynym me bimë medicinale.

Për fikjen e flakëve në të gjithë operacionet janë angazhuar mbi 50 forca zjarrfikëse, 14 automjete, 20 forca të pyjores si dhe banorët e zonës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button