HUMBJA E INTIMITETIT

I kemi humbur të gjithë ishujt ku mund të strehohemi për të shpëtuar nga bota e zhurmshme dhe për të qenë në paqe me mendimet tona.

E kemi humbur ishullin e vetmisë, ku mund t’i kthehemi vetvetes.

Kemi frikë nga vetvetja, prandaj duam që të strehohemi në turmë.

Në turmë shpëtojmë nga përgjegjësia personale.

Duam të na pëlqejë turma me besim të lëkundur, të cilës i duhet vetëm një agjitues i aftë dhe një parrullë e fuqishme për ta nisur aventurën e re.

Jetojmë nën diktaturën e kiçit, banalitetit, marrëzisë, përsëritjes, refrenit, trivialitetit, gjuhëresë.

Jemi pjesë e spektaklit të orkestruar, të filozofisë së provincës, me plot ekspozime plagësh, himnizime betejash të paqena dhe heroizmash të shpifur.

Në këtë botë heronjtë nuk i lind kauza e madhe për liri apo humanizëm, por një incident.

Kudo ku shkojmë nuk harrojmë ta marrim botën me vete, botën virtuale, që sot është bërë bota jonë.

Bashkë me këtë botë marrim marrëzitë e pafundme, frikën, panikun, gjithçka që nuk na duhet për të qenë vetvetja dhe për të qenë në paqe me mendimet tona.

Ne jemi siç duam dhe duam të jemi siç nuk kemi qenë asnjëherë.

Ne duam të mos jemi të vetmuar. Kemi humbur diçka të madhe – vetminë. E kemi humbur një botë që e kemi pasur vetëm tonën, pa dashur ta ndanim me të tjerët, botën e intimitetit, që duam ta kemi vetëm ne nën sundim.

Ne nuk kemi më intimitet. Jemi të zhveshur, cullak. Jemi pjesë e botës që na e kontrollon Vëllai i Madh, sikurse e ka parashikuar Oruelli.

Asgjë më nuk ka intime. Edhe fotografitë, që dikur ua tregonim miqve, si mënyrë për të ndarë me ta njëfarë afërsie, më nuk kemi nevojë t’ua tregojmë. Ja tregojmë gjithë botës virtuale, ua tregojmë “miqve” të rrjeteve sociale, që mbase asnjëherë nuk i kemi takuar.

Aty ku humbet intimiteti duhet të ikim. Po ne nuk mund të ikim nga kjo botë. Duhet vetëm të përshtatemi që të rrojmë pa kurrfarë intimiteti. Të rrojmë në botën ku marrëzia është bërë vlerë; në botën që çdokujt ja jep mundësinë ta ekspozojë shtazërinë.

Ka vetëm një mundësi për të shpëtuar: t’i kthehemi librit, por të flasësh sot për librin duket çmenduri…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button