Maturantët dhe studentët në ankth, nuk dihet fati i studimeve të disperzuara të UT në Shkup

Fati i studimeve të disperzuara të Universitetit të Tetovës në Shkup ende nuk është konfirmuar edhe pse studentëve iu është thënë që nga viti i ardhshëm akademik këto drejtime dhe studime nuk do të funksionojnë më, njofton Portalb.mk.

Studentët ankohen sidomos atë të vitit të fundit, se nëse nuk arrijnë të përfundojnë me provime në afatin e gushtit, do të duhet të shkojnë në Tetovë, gjithashtu grupet që tani më janë në vitin e dytë thonë se do të jetë shumë e vështirë që të transferohen në Tetovë, dukë pasur parasysh shpenzimet.

“Është e tmerrshme nëse ndodh diçka e tillë. Profesorët dhe administrata na thonë se nga viti i ri akademik s’do të ketë më studime të disperzuara në Shkup. Më kanë ngelur edhe pesë provime për të diplomuar dhe të njëjtat nëse nuk i marr në gusht do të duhet që për afatet tjera të udhëtoj në Tetovë, kurse nuk i kam kushtet financiare të paguaj rrugën, sidomos me praktikën e UT që profesorët në momentin e fundit vendosin të anulojnë provimin apo ta shtyjnë atë. Duhet të kenë konsideratë. Le të mbyllen pasi që të gjitha studentët aktual të kenë përfunduar studimet”, tha për Portalb.mk një student.

“Jam viti i tretë në këtë fakultet dhe kam edhe një vit studime, si është e mundur që të mbyllen studimet e disperzuara duke qenë që ende ka studentë, ende ka grupe që mbushin numrin e duhur për të ekzistuar. Është e tmerrshme, nuk është e drejtë kjo”, tha një student tjetër.

Gjithashtu edhe maturantët shprehen të revoltuar me këtë lajm duke thënë që drejtimet që kishte UT në Shkup nuk i ka universiteti “Nënë Tereza” dhe se atyre do të ju duhet ose të shkojnë në Tetovë ose në universitetet private, të cilat janë mjaft të kushtueshme.

“Po na mbyllin dyert. Drejtimet që kishte UT nuk i ka UNT, nuk e dimë se si do ja bëjmë, shumica prej nesh nuk janë në gjendje të regjistrohen në universitete private, të cilat janë mjaft të shtrenjta, por gjithashtu tani edhe në UT po të shkojmë do na kushtojë shumë, duke pasur parasysh rrugën. Do duhet të konsiderojmë universitetet maqedonase ose albanologjinë apo pedagogjinë, zgjidhje tjetër nuk na kanë lënë”, thonë maturantët.

Nga UT, zëdhënësi Selam Sulejmani për Portalb.mk sqaron se ende nuk është vendosur se a do bëhet mbyllja apo jo e këtyre studimeve.

“Përderisa nuk ka një vendim nga Universiteti, nga Senati i Universitetit për këtë çështje, konsiderohet se studimet do të vijojnë. Ne ende nuk e kemi shpallur konkursin për regjistrimin e studentëve në vitin e ri akademik. Kur të shpallet konkursi atëherë do të dihet se a do të regjistrojmë student të rinj apo jo. Si zakonisht ne konkursin e shpallim në gjysmën e parë të muajit gusht. Akoma nuk është asgjë e sigurt, as që do të mbyllen as që do të hapen. Duhet të pritet konkursi”, tha për Portalb.mk, Sulejmani.

Kurse nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), sqarojnë procedurën e mbylljes së studimeve të disperzuara.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës sjell vendimin për mbylljen e studimeve të disperzuara, në bazë të kërkesës së vetë universitetit. Nëse universiteti e sheh që nuk ka të interesuar për ato degë të disperzuara bën vetë mbylljen e tyre, siç ishte rasti vitin e kaluar me UT në Shkup”, tha për Portalb.mk, Goran Galevski, zëdhënësi i MASH.

Ndërkaq nga viti i ardhëm akademik në hapësirat momentale në të cilat janë studimet e disperzuara të UT në Shkup pritet të transferohen disa drejtime të Universitetit ‘Nënë Tereza’.

Ndryshe vitin e kaluar akademik në studimet e disperzuara të UT në Shkup nuk kishte konkurs për regjistrimin e studentëve, gjë që revoltoi maturantët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button