Nuk nënshtrohet gjuha shqipe

Vazhdimisht bëjnë presion mbi ne. Kërkojnë ta nënshtrojnë, ta ngulfasin fjalën shqipe. Ta mbështesin për muri. Ta bëjnë një gjuhë vetëm për përdorim familjar. Ata. Partia dhe rruga. Çirren nga lartësitë e tyre imagjinare. Nga hapësira e iracionalitetit. Insistojnë: nuk ka vend për barabarësinë e gjuhës shqipe me maqedonishten këtu! Shqipja kurrë nuk do të bëhet gjuhë zyrtare. Thonë.

Ia bëjnë qejfin vetes.

Mendojnë se janë aq të fuqishëm, se mund të realizohet axhamillëku i tyre partiak!  Dhe, axhamillëku i rrugës.

Jangllësh, efendëm! Greshka!

Gjuha shqipe nuk nënshtrohet. S’ia kanë dalë ta nënshtrojnë as kral as mbret, as sulltanë e perandorë, as gjeneralë e diktatorë, jo po e nënshtruakan turmat në rrugë!

Gjuha shqipe është shenjtëria e vetme të cilën të parët tonë e kanë ruajtur dhe e kanë përcjellë prej brezi në brez me mija vjet.

Ajo është fryma e kombit tonë.

Gjuha shqipe është një fije e pafund prej ari që i lidh çastet kur Afërdita, sapo fillon të rrjedhë koha në botë, del nga shkuma e detit me mëngjeset e para kur fëmijët tonë ulen tash para mësueses në bankat e klasës së parë.

Gjuha shqipe i ruan fjalët e para që na i ka thënë ëmbëlsisht nëna.

Në gjuhën shqipe i kemi dëgjuar përrallat e para për tre vëllezërit e për tri motrat.

Këngët e para që flasin për piptha të cilët bien nga qielli e në ajër çelin vetë.

Gjuah shqipe e ruan zanafillën.

Gjuha shqipe është një kopsht me lule në polenin e së cilave është ëmbëlsia dehëse e fjalës së nënës shqiptare.

Aty flasin shqip lulet, shpezët, fijet e barit, gurgullima e përroit të kulluar malor.

Aty rrinë të gjitha mrekullitë e këngëve të dashurisë.

Në këtë gjuhë janë strukur mrekullitë e të gjitha gjuhëve indoevropiane, krenaria, ndjenjat dhe fisnikëria jonë.

Aty i kemi ëndrrat, emrat e përrenjve, të arave, të grykave, të kreshnikëve, aty pushojnë Donika, Skënderbeu, Teuta.

Në gjuhën shqipe kanë folur Jeronim De Rada, Naimi, Buzuku, Fan Noli…

Kjo gjuhë “na jep nder, na e jep emrin shqiptar”.

Për gjuhën shqipe e kanë shpenzaur dhe e kanë dhënë jetën vajzat e djemtë më të mirë të kombit. Jetën e kanë dhënë – gjuhën jo!

S’ka njeri ndër shekuj që nuk ka menduar për lirinë e kësaj gjuhe të shenjtë!

Kurrë nuk e japim gjuhën tonë!

Këtë gjuhë me të cilën respektojmë çdo gjuhë e çdo kulturë tjetër.

Prandaj të kota janë britmat që kërkojnë nënshtrimin e asaj që nuk nështrohet, pra të kota janë insistimet për nënshtrimin e gjuhës shqipe.

Kot e kanë.

Gjuha shqipe është e lindur të jetë e barabartë me të gjitha gjuhët. Ajo nuk gjunjëzohet.

Shenjtëria nuk nënshtrohet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button