“Reality Tv” në shenjën e Big brother

Në vitin 1990, Maureen Rees, një grua nga Wales-i, u shndërrua në një superstare në Mbretërinë e Bashkuar, pasi doli në një show të BBC me titull “Driving School”. Këto seriale paraqisnin eksperiencën e ngasjes së makinës me instruktor, të cilat inçizoheshin deri në fazën e hyrjes në test. Maureen ishte e paaftë në vozitje dhe shumë e dëshpëruar për moskalimin e testit. Me shumë mundime, arrin të kalojë testin në përpjekjen e saj të tetë me radhë, me një makinë automatike. Në fund të vitit 1997, Maureen u paraqit në shumë gazeta dhe show të tjerë televiziv, ku edhe u shndërrua në një fytyrë publike për një periudhë të caktuar! 

Manifestimi më mahnitës i kësaj kulture është popullarizimi i “reality show” gjatë dekadës së fundit, ku krejt papritur, ndërroi forma të ndryshme të imagjinatës popullore, duke arritur të bëhet zhanër shumë i preferuar me shumllojshëmri të formateve tërheqëse për publikun. Rrjedhimisht, edhe profitet e kompanive mediatike janë jashtëzakonisht të larta. Në pamje të parë duket sikur audienca është ajo e cila ka një kërkesë të caktuar ndaj mediave, ndërsa këto të fundit mundohen të plotësojnë detyrimet e tyre që kanë ndaj publikut me qëllim të krijimit të simpatisë e besueshmërisë. Të paktën kështu thuhet në teori. Mendoj se ka ardhur koha të themi se kjo nuk është e vërtetë. Në fakt ekonomia e medias nuk funksionon njësoj si ekonomitë e bizneseve të tjera. Nëse për kompanitë e tjera, tregu, si pikëtakim i ofertës me kërkesën, duhet të angazhohet për njëfarë balancimi dhe të punojë në drejtim të kënaqjes së dëshirës konsumatore, për median ka rregulla të tjera. Absolutisht nuk është në interes të drejtpërdrejtë të medias publiku që ajo synon, por prapëseprapë e synon fort atë. Në fakt, bizneset e mëdha të cilët duan të reklamohen në media, janë publiku i vërtetë dhe përcaktuesit kryesorë të agjendës mediatike. Ata investojnë shifra marramendëse për t’u dukur në publik dhe detyrimisht media është e lidhur fort me ta. Por për të qenë një medium sa më pranë këtyre bizneseve dhe për të përfituar sa më shumë reklama, duhet se s’bën, të ketë një audiencë të lartë. Çmimin më të madh që mund t’i paguajmë medias është koha dhe përkushtimi ndaj saj. Asgjë më tepër. Atëherë lind ideja e ofrimit të “reality show”, “game show”, “livesoap”, “docusoap”, (që në thelb janë të njejta), pra të fascinimit të publikut dhe hipnotizimin e tyre. Në fund ajo merr lekët, ndërsa ne “argëtimin”. Me dy fjalë, publiku përdoret si instrument për tërheqjen e reklamave. Big brother është shndërruar në një vendtakim ideal për trekëndëshin “audiencë – media – kompani biznesi”. i pari (publiku) ofron interes dhe përkushtim, e dyta egzaltim dhe emocion, e treta financim. Fjala bie në Shqipëri, të premten në darkë, një reklamë tridhjetë sekondëshe që transmetohet në kohën kur luan Big brother në kanalin përkatës, kushton rreth 15 000 euro. Ky çmim edhe mund të ndryshojë në varësi të prime time-it. Nëse nuk gaboj, gjatë asaj kohe të vlefshme televizive, transmetohen rreth tetë reklama, të transmetuara minimalisht nga tre here e më tepër, që i bie diku mbi 500 000 euro fitim për rreth dy orë e gjysmë transmetim. Nuk kanë shumë rëndësi shifrat konkrete sa ka rëndësi për të kuptuar se sa e dëshiruar, madje jetike është audienca për një televizion, sepse në këtë rast çmimin e një reklame nuk e vendos media, por publiku dhe në varësi të shikueshmërisë varion edhe çmimi. 
Tani besoj se del në sipërfaqe ai miti i interesit publik të cilin e kemi besuar, por që nuk ka shumë kuptim, ose të paktën me kalimin e kohës ka ndryshuar. Dakort, por si dhe sa mund të na argëtojë media nëpërmjet Big brother-it përshembull? Komentatorët e mediave ishin të shpejtë për të njohur shkallën në të cilën formate të tilla si Big brother por jo vetëm, duket se dramatizonin dhe normalizonin një model të qartë neoliberal, duke e paraqitur si një lloj skene parasociale, një shtëpi komplet artificiale, në të cilën sjellja e pjesmarrësve është e tillë për shkak të pjesmarrjes së tyre. Këtu nuk përjashtohen as formatet e tjera si X Factor, The voice of…, …Got talent, apo edhe ata që akoma nuk kanë arritur në Shqipëri si Survivor, Castaway, Deal or No Deal, Wipeout, The Money Drop, Your face Sounds Familiar, e të ngjashme. Çdonjëri nga këto na shërben shumë për të bërë analizën e efektit të “reality show”. Meqenëse Big brother në këtë rast është më aktuali dhe më i shikuari për momentin nga publiku shqiptar, pa ndonjë tendencë, do të fokusohemi tek ai. 
Ende pa hyrë në analizë, mendoj se duhet qartësuar vetë termi “reality” i cili është shumë i diskutueshëm, sepse në momentin që kemi ndërmjetësues kameran, nuk mund të flasim më për realitet por për krijimin e efektit të reales. Nëse në cepet e mureve të shtëpisë ku zhvillohet Big brother janë të vendosura me dhjetëra kamera (50 gjithsej), kjo më kalon në dorën e regjisorit i cili përzgjedh se cila nga ato do të japë transmetim, në ndërkohë që në të njejtin moment kur jemi duke parë një skenë të caktuar, mund të ndodhin shumë gjëra të tjera jashtë fokusit të kameras, ndryshe nga një skenë teatrale përshembull, ku jemi të vendosur përballë aktorëve dhe shikojmë çdo gjë.     
Big brother si i tillë, për herë të parë është shfaqur në Holandë, dhe shumë shpejt u adaptua nga shumë shtete të botës. Kompania më e madhe e produksionit të formateve me karakter argëtues “Endemol”, bën prodhimin dhe shitjen e këtyre formateve për të gjithë televizionet në mbarë botën që kanë dëshirë t’i blejnë dhe transmetojnë ato. Edhe publiku shqiptar, këtu e shtatë vite më parë, pati rastin të njihet me një show të tillë. Konkurentët apo pjesmarrësit që aplikojnë dhe bëhen pjesë e këtij show televiziv, zakonisht janë persona që jetojnë jashtë shtetit shqiptar, njerëz që kanë probleme familjare, arsimim të ulët, komunikim të brishtë me rrethin ku jetojnë, ndarje, divorce e kështu me radhë. Madje ka raste, kur Big brother bëhet shkak për ndërprerjen e një lidhjeje, ndarjen nga i fejuari apo e fejuara, vetëm për shkak të mosarritjes në ujdi me partnerin për t’u bërë pjesë e kësaj loje televizive. Madje rasti më eklatant që së fundmi u paraqit në media, ku një modele 24 vjeçare nga Anglia, dëshironte të abortojë fëmiun e saj vetëm për shkak të dëshirës së madhe për t’u bërë pjesë e Big brother UK, madje ajo kishte thënë: “Një abort do t’a nxisë karrierën time. Pas një viti, nuk do të kem një fëmijë e në vend të kësaj do të jem e famshme, duke ngarë një Range Rover rozë dhe do të blej një shtëpi të madhe…” Ka edhe raste të tilla që prindërit nuk janë takuar një kohë të gjatë me fëmijët e tyre dhe u rrjedhin lotët nga malli kur papritmas i shohin në Big brother. Ose edhe kjo tjetra që prindërit hutohen kur shohin të birin apo të bijën e tyre se është përfshirë në këtë show, pa dijeninë dhe pëlqimin nga ana e tyre. Kjo është sa i përket pjesës së kandidatëve, nga ana tjetër, edhe ne si publik nuk është se e kemi kollaj. 
Në një nga ditët e zakonshme, në një lokal të Tiranës, me të hyrë brenda, u ndesha me një numër të madh të rinjsh, kryesisht studentë të cilët kishin “montuar” kokat e tyre kah ekrani i televizorit dhe po shihnin Big brother. Meqenëse më bëri përshtypje ky dedikim serioz i një audience të avancuar (siç preferoj t’i quaj studentët), në këtë rast ata shikonin me ëndje televizorin ndoshta të pluhurosur nga jashtë por me një përmbajtje transfinite nga brenda. Andaj, disa personave u bëra ca pyetje në lidhje me Big-un. Për shembull një studente më tha se e ka të pamundur të shikojë këtë show në shtëpi, sepse ka një konflikt me babain e saj, i cili nuk lejon në asnjë mënyrë të shikojë Big brother, andaj, ajo kishte ardhur në këtë lokal. “Në shtëpinë tonë është një skandal i paparë kur fillon Big brother. Gjithmonë kam mosmarrëveshje me t’im at për këtë punë, sepse ai nuk më lejon të shikoj këtë kanal, ngase sipas tij, ky është emision degjenerues dhe i turpshëm për t’a parë bashkë me familjen…”, më tha studentja, adhuruese e Big brother. Shoqja e saj që shikonin bashkë, tha që nuk e imagjinon dot si do të rrijë pa Big brother pasi të përfundojë, madje ajo uronte që vitin e ardhshëm të ketë edhe një sezon të ri, sepse sipas saj, këtu bëhet fjalë për histori shumë interesante të protagonistëve. Një student tjetër, u tregua pak më “ironik”, duke thënë se Big brother stimulon shitjen e kartave të digitalbit që kushtoka 1000 lekë të reja për tre muaj, por që paraprakisht duhet patjetër të keshë një nga abonimet bazë (njëri nga ato kushton 18 000 lekë të reja për një vit).
Mbarëvajtja e Big brother, ashtu si edhe disa formate të tjera, është e lidhur ngushtë me pjesmarrjen aktive të publikut, ngase ata nëpërmjet votimit me sms (100 lekë një sms), vendosin për fatin e protagonistëve në shtëpinë e improvizuar se cili do të eliminohet apo do të arrijë të vazhdojë garën. Këtu ndeshemi edhe me një problem tjetër social, sepse kandidatët që gjenden në shtëpi, të mbyllur në mënyrë hermetike, duhet të aktivizohen në uljen dhe nënçmimin e personalitetit të tjetrit për të mbijetuar sa më gjatë vetë, gjithashtu duhet të kujdesen për të krijuar lidhje të reja dashurie më njëri-tjetrin (nuk e përcaktoj gjininë sepse ndodh të ketë lidhje edhe në mes dy homoseksualëve). Këtu përfshihen edhe çaste të caktuara intime, ku ka një ndeshje të drejtpërdrejtë me kodin etik dhe ligjin mbi median, por mbi të gjitha, me jetën dhe privatësinë e protagonistëve. Sipas Baudrillard (1983), ne jetojmë në kulturën e turpit, në të cilën distanca në mes hapësirës publike dhe private ka pësuar kolaps, dhe në të cilën “për të qenë dikush” involvon hapjen e të gjitha aspekteve të vetes në një horizont të hapur. 
Përveç dedikimit njëzetekatër orësh të dy kanaleve të digitalbit eksluzivisht për Big brother, ky rrjet mediatik i shfrytëzon edhe dritaret e tjera të informacionit (TV dhe gazeta) për të informuar publikun rreth ngjarjeve më pikante që kanë ndodhur gjatë javës në Big brother.  Ndërsa gjatë ndeshjeve sportive në Super sport, poshtë ekranit shfaqet një tekst që thotë: “Abonohu në Big brother”.
Ky show nuk është as i pari e as i fundit që kemi parë, madje studijuesit, sidomos ata të psikologjisë së medias, paralajmërojnë për formate shumë më të çuditshëm, siç mund të jetë transmetime të drejtpërdrejta nga salla operacioni ku shohim se si pacientët luftojnë për jetë a vdekje, dyluftim në mes njerëzve dhe kafshëve të egra ose edhe ruletë ruse ku dy persona rrijnë përballë njëri- tjetrit dhe më i shpejti qëllon mbi trupin e kundërshtarit, e për këtë ai shpallet fitues, merr shpërblim dhe konsiderohet hero nga publiku! Për sa kohë që njerëzit do të shprehin gadishmëri për të konsumuar kësi lloj spektaklesh (them se po sepse risitë gjithmonë të intrigojnë), patjetër edhe media me shumë kënaqësi do të kujdeset për të na i siguruar ato, me justifikimin gojëmbushur se publiku “vdes” për të parë skandale!

Lajme të ngjashme

Back to top button