Fiat Chrysler, synime për tregun global

Kompania Fiat Chrysler ka filluar një përpjekje globale për të rritur tregun për markat Alfa Romeo, Jeep dhe Maserati.

Në një prezantim maratonë, që zgjati 10 orë, shefi ekzekutiv Sergio Marchionne tha se, do të duhen 5 vjet – 2 më tepër se parashikimi paraprak – për të realizuar planin. Marchionne prezantoi një plan biznesi të pritur gjatë nga grupet e interesit, që ka për qëllim të gjallërojë emrat historikë të prodhimit të automjeteve dhe të bindë investitorët se është në gjendje të konkurrojë bindshëm me liderët e kësaj industrie, si Volksëagen dhe Toyota Motor.

“Në termat e modelit të implementimit të biznesit global, strategjia jonë do të jetë në gjendje të zgjidhë çështjen e mbikapacitetit në tregun europian. Ne do të përdorim kapacitetet tona për të zhvilluar markat Maserati dhe Alfa Romeo për tregun e brendshëm dhe ajo që është më e rëndësishme për eksport”, tha Marchionne.

Mes skepticizmit për rritjen e shitjeve globale me 60% dhe rritjen e fitimit neto 5-fish deri në vitin 2018, Marchionne u pozicionua midis citimit të filozofit Friedrich Nietzsche dhe prezantimit të raporteve financiare në selinë amerikane të kompanisë. Përveç një fushate agresive në Azi, Marchionne premtoi se do të rrisë shitjet edhe në amerikën e veriut sidomos të Chrysler që po gjendet nën presionin e Dodge.

Prodhuesi italian i automjeteve, i mbajti të hapura mundësitë për të financuar planin. Një nga opsionet janë edhe bonot e konvertueshme, por gjithsesi nuk është marrë asnjë vendim. Kompania Fiat Chrysler deklaroi se do të investojë miliarda dollarë për të ndërtuar modele të reja dhe parashikon se shitjet do të rritet me më tepër se 7 milionë automjete deri në vitin 2018, nga 4.4 milionë që ishin vitin e kaluar.

Lajme të ngjashme

Back to top button