PËRRALLA MBI GOGOLIN SHQIPTAR

 

Statusi i Gjuhës shqipe në Maqedoni është temë debatësh, përpjekjesh e përplasjesh, tash e sa dekada. Çështja në fjalë ka mbetur e tillë shkaku i hegjemonizmit të pakuptimtë nga gjithë pushtetet e gjertanishme, që na kanë parë një dajm me sytë e ideologëve të shovenizmit serb. Madje, në periudha të caktuara (si ajo e paraleleve të përziera…), qëndrimi i pushtetarëve ndaj shqipes ka qenë edhe më dashakeq, ndanë gjithë përpjekjeve për të aktruar demokratët dhe për t’u dukur të drejtë, pa qenë fare të tillë, truk ky, të cilën Platoni, para gati tre mileniumesh, e konsideroi si kulm të padrejtësisë.

Diskriminimi i Shqipes ka qenë dhe është akoma shkak tensionesh të përhershme ndërmjet dy etnive më të mëdha të vendit, që ndikojnë dukshëm edhe në ngecjet në sferat tjera të jetës. Është momenti i duhur që këtë ta kuptojnë politikbërësit maqedonas të brezit të ri, që e kanë shansin ta riparojnë politikën e gabuar të së djeshmes, sepse ndryshe do ta rrezikojnë pakthyeshëm të ardhmen, që nuk mund të jetë më kurrë si e shkuara.

Këtë moment duhet ta kuptojnë edhe intelektualët maqedonas, që gjer më sot e kanë zbutur problemin edhe në rastet e dhunimit të vrazhdët të të drejtave tona legjitime.

Sigurisht, edhe ne shqiptarët duhet të flakim iluzionin se problemet e grumbulluara me dekada do të zgjidhen vetëm me entuziazmin që na kaplon me huxhume karakteristike pas çdo ndërrimi qeverie. Ky mekam i stërzgjatur duhet t’ua lëshoje vendin veprimeve praktike, fillimisht duke u thënë njëzëshëm boll justifikimeve të politikbërësve maqedonas, të cilët edhe aktualisht, synojnë prolongimin e zgjidhjes së statusit të Gjuhës shqipe, me pretekstin se nuk është akoma koha e duhur, se një pjesë e popullatës maqedonase akoma nuk është e gatshme ta mirëpresë zyrtarizimin e mirëfilltë të Shqipes, se mund të rebelohet sërish partia opozitare, se zyrtarizimi i Gjuhës shqipe do t’i prekë pakicat tjera, se shteti ka prioritete më të mëdha se riparimin e padrejtësive të bëra me vite në kurriz të shqiptarëve e më the e të thash.

Mbetet të besojmë se tani më e kanë të gjithë të qartë se mosrespektimi dhe mosnjohja e gjuhës dhe kulturës së fqiut të parë, aq më keq injorimi, përbuzja dhe shkelja e vijave identitar të tjetrit, më shumë se për një padrejtësi, flet për një mjerim kolektiv.

Mbetet të besojmë, se, më në fund, do ta kemi edhe Shqipen gjuhë zyrtare, sepse ne, në asnjë variant nuk jemi pakicë kombëtare, por një etni homogjene gjuhësisht e territorialisht, e ndarë padrejtësisht nga vorbullat e historisë, e cila nuk kërkon asgjë më shumë se ajo që i takon sipas të gjitha konventave ndërkombëtare, sipas ligjeve të cilitdo shtet mirëfilli demokratik dhe, në daçi, edhe sipas ligjeve të Zotit, që Shqipen e bëri kësmet për ne.

Mbetet të besojmë se qeveria e re e vendit do ta mbyllë përgjithmonë kapitullin e shpifur të përrallës së gogolit shqiptar që rrezikon maqedonasin.

Prandaj, qeveria e z. Zaev – të parit lider që pati guximin ta propagojë Shqipen zyrtare në gjithë territorin e vendit, nuk ka përse ta shtyjë për kohëra të pacaktuara zgjidhjen e statusit të gjuhës sonë. Nëse ka mbetur diçka për t’u bërë para aktit të shumëpritur të ngritjes së Shqipes në gjuhë mirëfilli zyrtare, ajo është kurimi urgjent i të sëmurëve nga albanofobia dhe i veshëve të tyre alergjikë ndaj kërkesave të drejta shqiptare, që nuk i bëjnë dëm asnjë etnie, asnjë gjuhe dhe asnjë kulture tjetër. Përkundrazi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button