Sulmet kibernetike trazojnë botën

Kompanitë në të gjithë botën ende janë duke u përballur me efektet e një sulmi masiv kibernetik, i cili bllokoi sistemet kompjuterike, përfshirë edhe Qeverinë dhe disa firma ukrainase.

Duket se Ukraina ka qenë caku i sulmit të madh, i cili nisi më 27 qershor, pasi në këtë vend u sulmuan rrjetet kompjuterike, ueb faqet e bankave dhe kompanive tjera industriale, shërbimet postare, aeroporti ndërkombëtar i Kievit, dhe disa sisteme në centralin bërthamor në Çernobil, transmeton REL.
Mirëpo, cak i sulmit kanë qenë edhe shtete dhe kompani të tjera në të gjithë botën.

Ritmi i virusit është zvogëluar gjatë ditës së mërkurë, pasi softueri kërkon lidhje direkte në rrjetet kompjuterike, një faktor i cili mund të ketë limituar shpejtësinë e përhapjes së virusit në rajonet ukrainase, të cilat kanë më pak qasje në internet.

Sidoqoftë, shumë biznese në rajonin e Azi-Paqësorit, kanë njoftuar për probleme me të cilat janë përballur gjatë së sotme kur kanë tentuar të kryejnë operacionet e tyre me kompani evropiane të cilat po ashtu janë prekur nga ky virus.

Ngjashëm me sulmin masiv të muajit të kaluar nga virusi WannaCry, sulmi i ri është shpërndarë me anë të një mjeti që ekspertët kibernetikë besojnë se është krijuar nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA) në SHBA dhe është shpërndarë online nga një grup misterioz, që njihet si Shadowbrokers.

Gjatë sulmit, ky softuer e bllokon qasjen e përdoruesit të kompjuterit derisa të kryhet pagesa në valutën vituale të njohura si Bitcoin.

Kompania ruse kundër viruseve Kaspersky Lab, ka thënë se kanë zbuluar rreth 2000 sulme, shumica prej tyre në Ukrainë, Rusi dhe Poloni.

Kryeministri ukrainas, Volodymyr Hroysman, ka thënë se Ukraina është përballur me një sulm “të paparë” kibernetik mirëpo “ sistemet vitale” nuk janë prekur.

Banka Qendrore e Rusisë ka thënë se kanë qenë disa raste të izoluara që janë prekur nga ky virus.

Kompania Rosneft, e cila është njihet si një ndër kompanitë më të mëdha të karburanteve në Rusi, ka thënë se serverët e tyre janë sulmuar mirëpo ajo nuk ka ndikuar në prodhimin e karburanteve.

Edhe disa kompani siç janë WPP, kompani e reklamimit në Britani të Madhe apo DLA Piper, kompani ligjore në Shtetet e Bashkura janë prekur nga ky virus.

Këshilli për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë ka deklaruar se agjencitë qeveritare janë duke hetuar sulmin dhe se SHBA-ja është “e vendosur për t’i mbajtur përgjegjës aktorët e sulmit”.

Departamenti i SHBA-së për Siguri Kombëtare u ka thënë atyre që kanë qenë viktima të këtij sulmi, që të mos bëjnë ndonjë pagesë pasi nuk ka siguri se dokumentet do të rikthehen prapë.

Ky departament po ashtu ka njoftuar se janë duke monitoruar sulmin në bashkëpunim edhe me shtete të tjera.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një konference në Bruksel, ka thënë se sulmet kibernetike “theksojnë rëndësinë e rritjes së mbrojtjes nga këto sulme dhe se NATO është duke punuar pikërisht në këtë aspekt”.

Ekspertët e sigurisë besojnë se ndikimi këtij sulmi do të jetë me i vogël në krahasim me virusin WannaCry, i cili ka sulmuar me mijëra kompjuterë në të gjithë botën gjatë muajit maj.

Në të njëjtën kohë, BBC ka raportuar se hulumtuesit e sigurisë kanë zbuluar një “vaksinë” kundër sulmeve kibernetike, e cila është në formë dokumenti dhe mund t’i pengojë sulmet.

Mirëpo ekspertët kanë thënë se ende nuk kanë zbuluar diçka që mund pengojë virusin nga shpërndarja nëpër kompjuterët e cenueshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button