Dy nisma brenda PD-së, kërkohet dorëheqja e Bashës

Humbja e thellë e partisë Demokratike në zgjedhje, u pasua nga dy kërkesa për dorëheqjen e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD-së, transmeton Top Channel.

Njëra nga deklaratat ka kërkesën për dorëheqjen e parevokueshme të Lulzim Bashës. Kjo është deklarata më e ashpër kundër tij dhe me e organizuar. Ajo është e konceptuar dhe e firmosur nga ish drejtuesit më të lartë të partisë Demokratike, ish ministra, ish deputetë, themelues dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar.

Mes emrave të njohur të kësaj deklarate janë Besnik Mustafaj, Ridvan Bode, Majlinda Bregu e Astrit Patozi. Mes 74 firmëtarëve ,mungonte emri i Jozefina Topallit, kritikja më e hershme dhe më konstante e Lulzim Bashës, transmeton Top Channel.

Emri i ish nënkryetares mungonte edhe tek deklarata tjetër, e cila ishte firmosur nga drejtues të rinj të partisë Demokratike, të promovuar në funksione të ndryshme drejtuese nga vetë Basha.

Ata e akuzojnë Bashën për përçarjen e partisë, me listën e deputetëve, me mënyrën e bërjes së fushatës pa simbolet e PD-së dhe duke u shmangur nga disa kauza të saj.  Pjesë e kësaj deklarate që kërkon dorëheqjen e kryetarit Basha, është edhe Jamarbër Malltezi, drejtues i Departamentit të Mjedisit dhe bashkëshorti i vajzës së ish kryeministrit Berisha.

Edhe pse mungonte në listën e kërkesave për dorëheqjen e kryetarit të PD-së, Jozefina Topalli ka reaguar në faqen e saj në FB, duke bërë thirrje që duhet me i dalë për zot partisë Demokratike.

“Në një kohë dramatike për Partinë Demokratike, pas një humbje katastrofale personale të Lulzim Bashës, ka një emergjencë për demokratët. Partisë Demokratike duhet me i dal zot”, shkruan Topalli në FB.

Më tej ajo nënvizon se në një kohë kur Lulzim Basha nuk pranon të marrë as përgjegjësinë që i takon, siç ndodh në çdo vend të botës perëndimore, atëherë demokratët duhet të marrin fatin në dorë, me protesta dhe forma të ndryshme demokratike, me synim kthimin e PD-së, demokratëve.

Ndërsa Majlinda Bregu në reagimin e saj në Facebook, ka bërë një paralelizëm se si funksiononte PD në ditë zgjedhjesh dhe si funksionoi për zgjedhjet e 25 qershorit.

“Sot nuk po çuditem me rezultatet e votimeve dhe minuset e mëdha që po vazhdon të marrë PD-ja. Po më çudit mbyllja e dyerve të selisë dhe gjumi që ka zënë gjithë atë godinë, ku në ditë zgjedhjesh, dritat nuk fikeshin kurrë e njerëzit gëlonin në ankthin e pritjes e kalkulimit të shifrave, që dilnin pas çdo kutie”, shkruan Bregu në reagimin e saj. Në fund Bregu shpreh keqardhje që PD tani ka mbetur edhe pa zë.

Sakaq, përkundër këtyre kërkesave dhe reagimeve nga eksponentë të rëndësishëm të PD, një grup të rinjsh janë mbledhur në orët e vona të mbrëmjes së të martës, para selisë së PD-së, për të përkrahur kryetarin Lulzim Basha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button