Takimi pas njëqind vitesh..

E takova pas njëqind vitesh, rastësisht. Tha se disa herë paska vrarë mendjen a jam unë ajo që vrapimthi ka kaluar afër çajtores ku ai rri në Çarshi. I them me të qeshur se aty ku ka burra shumë instinktivisht i ul sytë se ashtu më kanë mësuar..

Thotë që paskam ndryshuar nga koha kur ishim ekip në Fakultetin e shkencave të komunikimit në UEJL. Pa e pyetur se çka mendon saktë parapëlqej ta marr si kompliment e jo si dëshmi për atë se koha kalon, na shkel..etj. Intimisht mendoj se s’ka lidhje koha, por mënyra se si e perceptojmë veten dhe gjithçka rreth vetes, duke sjell ndër mend, për shembull, anegdotën me plakën e cila pyetjes se sa vjet ka i përgjigjeshka “140”, aq sa i rëndoka jeta e vet.

Kurdo që takoheshim me të derisa punonim bashkë në Universitetin me emërtim evropian më shumë qeshnim se sa që flisnim, edhepse kryesisht debatonim gjërat serioze, defektet dhe si të dilet prej tyre…zaten humori është humor i mirëfilltë kur flet për gjërat serioze, një lloj terapie se si të mbajmë hapur sytë e mendjes siq do thoshte miku im i ri Adnani, por gjithmonë duke mos marrë shumë seriozisht as veten e as botën se jetës i mjafton serioziteti i vet.. 
Më pyet se çka bëj, i them se kryesisht kënaqem, “ashtu edhe dukesh” thotë. 
Më pyet mandej se ku ndodhem tash, i them në Agjencinë për punësim dhe në moment, si shumë të tjerë para tij, mendon se jam e angazhuar atje me punë.

Siq e do rendi i takimit të pas shumë viteve, i kthehemi së kaluarës. Fakulteti ynë atëherë ishte i pari në rajon që solli shkencat e komunikimit si titullar i studimeve të dikurshme të gazetarisë. Kishim shumë studentë, përfshirë dhe ata nga Shqipëria dhe Kosova: ishin të kënaqur nga mësimdhënia pasi nuk u ligjëronin profesorë që kanë lexuar tre dhe kanë shkruar tetë  libra shkollorë. Të tillët kanë biografi që sot çmohet në sajë të titujve të “librave shkencorë” që i shkruajnë duke u dhënë studentëve detyrë shtëpie apo thënë me gjuhën bashkëkohore “projekte” që të përkthejnë pjesë nga autorë të huaj, me detyrimin që projektet ti dorëzojnë on-line ose me USB. Mandej profesori i mbledh këto në një tërësi si hap përfundimtar drejt botimit të gjepurave të veta. Ndonjëherë me rekomandimin e studentëve apo thjesht për t’u argëtuar i shfletoja këto myxheverë, shembull shkollor i dredhive dhe shkeljes së të drejtave autoriale me copy-past, literature kjo obligative për studentët të cilët para provimeve marrin t’i lexojnë dhe sado të koncentruar s’marrin vesh gjë se as që ka diçka aty për të marr vesh, kuptuar apo, hala më pak, për të mësuar. Profesori “jam talent e jo mahi” dhjetë vjet kryeson me drejtimin që tash quhet i komunikimit ndërkombetar, nëse nuk kuptoni se çka don të thotë kjo asgjë për t’u habitur se askush nuk kupton se çka don të thotë dhe ku do të angazhohen të diplomuarit dhe cila është nevoja e një titullimi të tillë. Ndërkohë nevoja për gazetarë të përgatitur me sagllam është më se e madhe se kurdoherë se kohërat janë për askund dhe askush më mirë se gazetarët nuk mund ta kanalizojnë pakënaqësinë dhe të ofrojnë cilësi që më së shumti bie në sy, e tillë është, apo, natyra e punës gazetareske. 

Ashtu, atë mëngjes me diell në Çarshi flasim me kolegun e dikurshëm për ish-kolegët tjerë me të cilët dikur punonim dhe përpiqeshim të mësonim studentët dhe mendoj se i mësonim si duhet, përgjithësisht i mësonim dhe edukonim si duhet se shkolla përherë i ka të dyja aspektet dhe përherë dominant është shembulli individual dhe mënyra se si ligjëruesit punojnë dhe jetojnë, eksperienca e tyre private dhe profesionale, aq më tepër se të rinjtë identifikohen me ata që ndalen para tyre si mësimdhënës. Secili prej nesh ka pasur arsimtarët e vet të preferuar ndikimi i të cilëve ndihet edhe pasi të dalim nga shkolla, prandaj shkolla në të gjitha stadet e veta është arsimim dhe edukim në kuptimin e gjerë të fjalës. 

I kujtuam ashtu kolegët që ashtu si ne të dy nuk ishin sa duhet të mirë për Fakultetin e dikurshëm që dikur ishte si duhet kurse tash është i privatizuar dhe korruptuar. Fakulteti nuk mundej të shndërohej në hijen e vet të dikurshme po të kishte vertikalet Brenda, prandaj strategjikisht u larguan me kohë: Kolegun I.I, i shkëlqyer në teorinë politike dhe me eksperiencë gazetareske, e përjashtuan me ndalesë që të hyjë në kampusin, krejt kjo për një gabim procedural që nuk ishte as përafërsisht mëkat për të cilin një institucion që pretendon të jetë institucion duhet të mbetet pa ligjëruesin cilësor. Këmbëngulës në kërkimin e së drejtës, ai i dha në gjyq dhe e fitoi rastin, fitoi, thonë, mjaft para, ama studentët humbën profesorin në ligjeratat e të cilit koha ikte fluturimthi pasi kishin çka të dëgjonin dhe çka të mësonin.
Shembull i dytë. 

Intelektualja kulmore, e mençur sa edhe modeste: as vetë si shoqe e ngushtë nuk e di saktë numrin e magjistraturave të saj, për doktoraturat rastësisht e di se janë dy deri tash, të shkruara në gjuhë të huaja, të mbrojtura në universitete prestigjioze… Ama..ka një ama të vogël: në Universitetin me emërtim evropian asaj i japin vetëm thërrime kurse me grupet shqiptare të studentëve më duket që nuk ka punuar gjaatë kohë. Të gjithë humbin, përveç egos së shpirtrave të imët atje ku karavani vazhdon.

  
Një ditë prej ditësh i paska ardhur fundi atje edhe këtij miku që e takova pas vitesh, rastësisht para se të ulem të shkruaj tekstin (asgjë e rastësishme nuk është, mjafton të hetojmë shenjat dhe të ecim pas tyre). Tregon miku se si qenka shpallur konkurs i hapur, respektivisht i mbyllur – kandidati, e keni parasysh, i zgjedhur edhe para se të paraqitet në konkurs. Ai me biografi më të ngjeshur se kolegu i pranuar, shkon të ankohet, i thonë se si banor i Zvicrës ku është shkolluar dhe ka ligjëruar është dashur të gjejë ndonjë link në ambasadën zvicerane.
A pse, pyet ai pa vërejtur logjikë në sqarimin. I përgjigjen se kolegu tjetër ka fituar konkursin pasi ka gjetur lidhje me Ambasadën amerikane.

Më tregon mandej se si tash ligjëron në Universitet tjetër, studentët i duken të kënaqur të kënaqur, por duke pasur parasysh se çfarë personalitetesh paraqiten para tyre dhe bëjnë sikur i mësojnë diçka, këtë nuk e merr si ndonjë satisfakcion. Kohë pas kohë angazhohet si ligjërues në atdheun e dikurshëm dhe sallat e mbushura në orët e tij i merr për mirënjohje që ia vlen. Dhe e di, pa mos e thënë ai vetë, se vazhdon të punojë vyeshëm, të lexojë në vazhdimësi dhe të jetë në hap me të rejat.

Mandej tregojmë anegdota se çfarë studentësh zaif kishim në mesin e të mirëve dikur dhe çfarë bilmezësh luajnë rolin e mësimdhënësve, muhabet zbavitës dhe i pikëllueshëm, humor i zi, si për shumë tema te ne.  

Mundem gjatë të flas për arsimin e lartë, si insajder, shtatë vite besnikëri Universitetit ku pjesa më interesante e orarit ishte ndejtja në bufe: shikon rrotull plot fytyra hijerënda me demek, a muhabeti i tyre kryesisht për politikë dhe kryesisht pa sens; nuk më kujtohet t’i kem dëgjuar të diskutojnë për dilema profesionale, teorike, metodologjike, ose mos dhëntë Zoti për art, kulturë, filozofi…

Mundem gjatë të flas për skriptat ku më shumë se gjithçka ka gabime përmbajtësore, logjike, gjuhësore dhe teknike…e kam parë njëherë kushërirën Emi, studionte Biznes administrim apo diçka të tillë, se si mban skriptën në dorë, citon kotësira që duhet t’i mësojë për provim saj dhe të gjithë kënaqemi së qeshuri, prap humor i zi.
Ika tash, më pret një mik, milioner i vërtetë. I vetmi që njoh. Atipik, prandaj shoqërohemi me sukses. Për miqësinë me të herën e ardhshme.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button