5 dilema pas zgjedhjeve në Shqipëri

1. A do të qeverisë Rama suksesshëm. Tema kryesore e fushatës së PS-së këtë vit ishte kërkesa për shumicë të pastër parlamentare. Lënë anash premtimet e zakonshme që i bën secila parti para zgjedhjeve, argumenti qendror i Ramës ishte se nuk mund të qeverisë me sukses nëse është i detyruar të bëjë koalicione qeverisëse me parti tjera. Sipas tij ata pandërprerë do t’a kushtëzojnë dhe do të pamundësojnë reformat e duhura në vend.

Me mbi 95% të votave të numëruara duket se elektorati shqiptar ia ka dhënë Ramës mundësinë e kërkuar, “timonin” e tij të famshëm. Për herë të parë në histori një parti shqiptare mund të formojë qeverinë e vetme, pa patur nevojë për partnerë koalicioni. Por për PS dhe Ramën kjo njëkohësisht do të thotë përgjegjësi dhe barrë e madhe. Tani e tutje ata nuk do mund të arsyetojnë dështimet me nevojën për kompromis me partnerë iracionalë. Tani e tutje ata duhet të vënë në vend premtimet për të luftuar me sukses krimin, korrupsionin, kanabisin e të tjera.

Sidomos do të jetë interesant të ndiqet relacioni i Ramës me Metën. Nuk duhet harruar se si opozitar Rama nxorri njerëzit në rrugë pikërisht kundër korrupsionit të Metës. Më pas iu desh të bashkohet me të për të qeverisur. Por tani që atij nuk i duhet më Meta, elektorati socialist sigurisht pret që drejtësia përfundimisht të qërojë hesapet me të. A do mund të përballet drejtësia me të lirshëm; a do të mundësojnë socialistët rrethana të tilla? Kjo më tepër se çdo gjë tjetër do të definojë nëse Rama do të qeverisë me sukses ose jo. Përgjigjen gjithsesi do t’a japin votuesit shqiptarë në zgjedhjet e ardhshme pas katër viteve.

2. Pse dështoi dhe a mund të reformohet PD. Njëkohë parti më e madhe në Shqipëri, Partia Demokratike të dielën ka shënuar rezultatin më të dobët në historinë e saj. Tezat për këtë dështim janë nga më të ndryshmet. Sipas disa analistëve kjo ishte rezultat i lojërave të panevojshme të Bashës me “çadrën”. Një tezë tjetër është se PD dështoi ngase u lëkund nga qëndrimi i saj për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Shkak tjetër mund të ketë qenë butësia e treguar ndaj Ramës në fushatë, apo edhe tentimi për të reformuar partinë në minutat e fundit me listën e deputetëve, duke flakur anash disa figura të njohura të partisë. Është edhe sqarimi i zakonshëm se PS ka fituar duke ushtruar presion apo duke blerë vota.

Por thellë-thellë duket se arsye kryesore mbetet dështimi për të reformuar partinë katër vitet e kaluara. PD akoma mbetet parti nën hijen e themeluesit, kryetarit dydekadësh dhe ikonës së saj, Sali Berisha. Krijohet përshtypja se ajo nuk arriti të reformohet dhe të shndërrohet në parti të shekullit të 21-të, siç bëri PS kur doli nga hija e Fatos Nanos. Prandaj pyetje themelore për PD-në është nëse ajo do të bëjë këtë reformë në katër vitet e ardhshme, e gatshme për të rimarrë pushtetin në 2021. S’ka dyshim se hap i parë në këtë drejtim duhet të jetë largimi i Bashës, por me kusht që kryetari i ardhshëm mos të jetë përsëri vetëm një frontmen për Berishën.

3. Si do të mbijetojë më LSI. Në këto zgjedhje LSI ka shënuar rezultatin e saj më të mirë deri tani. Në të njëjtën kohë ajo për herë të parë nuk do të jetë çelësi i formimit të qeverisë së re. Dhe me këtë duket se LSI-së i është hequr arsyeja kryesore e ekzistencës së saj.

LSI doli si parti nga pakënaqësia e anëtarësisë së partisë socialiste me kryetarin e atëhershëm të tyre Fatos Nanon. Që atëherë tipari i saj kryesor ka qenë fakti se ajo përherë është pjesë e qeverisë, herë më PD-në e herë me PS-në. Në mungesë të një ideologjie dalluese nga dy partitë e mëdha, duket se futja në qeveri ka qenë vazhdimisht “premtimi i pathënë” i saj ndaj anëtarësisë. Mirëpo duket se LSI nuk do të jetë më pjesë e qeverisë, ndërsa ka mundësi që kryetari i saj, njëkohësisht dhe kryetar shteti, të futet në përplasje të mëdha me Ramën, ashtu siç bënë gjatë fushatës. A do të mund të mbijetojë LSI si opozitë dhe si do të riorientohet apo ripozicionohet ajo në spektrin politik? Kjo është njëra nga pikëpyetjet më të mëdha të skenës politike shqiptare në katër vitet e ardhshme.

4. A do të shndërrohet PS në parti hegjemone në Shqipëri. Fitorja e thellë e PS-së në zgjedhjet e së dielës është vetëmse kulminacion i një vargu suksesesh të saj elektorale. Nuk duhet harruar se ajo pati numër më të madh votash edhe në zgjedhjet e vitit 2009 megjithëse ngeli në opozitë. Më pas ajo triumfoi në vitin 2013 dhe në dy palë zgjedhjesh lokale të ndërmjetme.

Seria e këtillë e fitoreve gjithnjë e më të thella dhe paaftësia e opozitës për t’i bërë konkurencë serioze është e rrezikshme për të ardhmen e Shqipërisë, por edhe të vetë PS-së. Komoditeti i skajshëm i një partie në pushtet lehtë mund t’a shtyjë atë drejt tendencave autoritare, siç kemi parë të ndodhë në disa vende tjera të rajonit. A ka rrezik që Shqipëria të shndërrohet në tjetër vend autoritar dhe Rama në tjetër diktator tipik ballkanik, i dehur nga sukseset e tij elektorale? Kjo më së shumti do të varet nga sjellja e tij në pushtet katër vitet e ardhshme dhe nga kapaciteti i anëtarësisë së PS për t’i bërë ballë Ramës kur duhet, e për të ruajtur demokracinë e partisë përbrenda.

5. A po shkon Shqipëria drejt një sistemi dypartiak. Pas rritjes së mëtejme të LSI kjo pyetje për momentin duket qesharake, por janë disa rrethana që e bëjnë atë relevante për katër vitet e ardhshme. Së pari, sado e dobësuar, PD përsëri fitoi 42-43 deputetë, që do të thotë se ajo akoma ka brendin e saj të njohur që përherë i siguron relevancë në skenën politike shqiptare. E dyta, LSI do të jetë në terren të panjohur si opozitë dhe mund të pësojë fluks të madh ikjesh së anëtarëve drejt dy partive të mëdha. Dhe e treta, me përjashtim të PDIU e cila megjithatë është parti specifike që kurrë nuk do të bëhet parti e madhe, duket se janë asgjësuar totalisht opcionet tjera politike. Nëse PD arrin të rimëkëmbet dhe LSI nuk mban kondicionin në opozitë, Shqipëria ngadalë mund të kalojë në sistem dypartiak, e ndarë në mes me vija të qarta ideologjike. Përsëri përcaktuese do të jenë katër vitet e ardhshme dhe kapacitetet e PD dhe LSI si opozitë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button