Gjergj Kastrioti – Atdheu, Krishterimi dhe Islami

Disa fakte që Gjergj Kastrioti nuk luftonte Islamin dhe nuk mbronte Krishterimin

Nga 

1. Gjergj Kastrioti u lind nga nëna ortodokse Vjosavë (Vojsava) Tribalta, e bija e Gërgur Tribaltës nga Gradeci – Pollog, princ i Pollogut, i shpallur në kishën e Leshës (Leshkë/Leshok) – Tetovë, në dinastinë e Thopiajve dhe nga i ati katolik – Gjon Kastrioti, i biri i Pal Kastriotit me prejardhje nga një familje fisnike e Matit, princ i zonës përreth Krujës.

2. I rritur në gardën e Perandorisë Osmane, i shkolluar në shkollën e içogllanëve të Edrenesë, ai që në ekspeditat e para u shqua si një ushtar i zoti ku fitoi në fillim edhe titullin bej, duke vijuar deri në emërtimin sanxhakbej. Në oborrin e Sulltan Muratit II ai pranoi bektashizmin, një tarikat ky Islamik Sufi. Bektashinjtë shërbenin si misionarë të fesë islame dhe kapelanë të jeniçerëve në Perandorinë Osmane. Nuk duhet harruar që pashallarët dhe të tjerët që posedonin tituj perandorakë, pranonin bektashizmin islam si bindje të tyre besimi, duke përfituar  autoritet drejtpërdrejt nga Perandoria. Ndërkaq Islami, si bindje fetare masive tek shqiptarët do të paraqitej më vonë, i cili, vetëm pas shekullit 19 do të bëhet besim dominues.

3. Në nëntor të vitit 1443, pas disfatës dhe shpartallimit të forcave osmane në betejën e Nishit nga ushtria hungareze dhe polake, të komanduar nga Janosh Huniadi, Gjergj Kastrioti do t’i jepte fund mbrojtjes perandorake dhe do të kthehej në vendin e lindjes. Gjatë kthimit ai ndaloi disa ditë në Dibër, sipas gojëdhënave të fshatarëve të Rekës së Epërme (pjesa e sipërme e Dibrës, e banuar me shqiptarë ortodoksë) thuhet se Gjergj Kastrioti qëndroi në konak disa ditë në këtë krahinë, ku në fshehtësi mblodhi krerët e vendit dhe u tregoi planin e veprimeve. Ai kishte vendosur nga dy garnizone të vogla nën kontroll në kështjellën e Kalkandelenit (Tetovë) dhe në kështjellën e Sobrit (f.Orash, Tetovë). Më pas vendosi roje në pozicionet kyçe të rrugëkalimeve dhe dërgoi në drejtim të Krujës një grup luftëtarësh, duke i fshehur në pyjet dhe grykat pranë saj. Me të arritur në Krujë, u paraqit para autoriteteve osmane si subash i riemëruar i Krujës, titull që u përvodh nga pashai i Dibrës. Në mbrëmjen e 27 nëntorit të vitit 1443 ai sulmoi garnizonin osman, me ç’rast  Kruja çlirohet. Më 28 nëntor të vitit 1443, në kështjellën e saj do të valonte flamuri i Kastriotëve. Ushtarët osmanë dhe dizdari u lanë të lirë që të largoheshin nga Shqipëria për në Stamboll.

4. “Juve ndofta ju shkoi nga mëndja që e kisha harruar vëndin, edhe nderin, edhe lirinë, kur ju ktheva prapa të helmuar, pa ju dhënë asnjë shpresë dhe pa ju treguar asnjë ndjenjë bujare dhe shpirtmadhe”. Këto fjalë Gjergj Kastrioti do t’i thoshte pas çlirimit të Krujës para krutanëve më 28 nëntor të vitit 1443. Dëshmi që kjo figurë kishte dashuri të veçantë ndaj atdheut dhe popullit të tij, duke dëshmuar mbi planin sekret të rikthimit e duke vijuar më pas, citoj “Lirinë mund ta kishit fituar me trimërinë tuaj, se nuk ju mungojnë burrat, po ju pëlqeu ta prisni nga dora e ime, ndonëse vonë, se kështu ndofta desh vetë i madhi Zot. Se është me të vërtetë çudi që trima kryelartë si ju, të rritur në liri, duruat kaq kohë robërinë e barbarëve, duke pritur të më shikoni një ditë në krye tuaj. Po vallë, a e meritoj këtë titull të bukur të çlironjësit që kini mirësinë të më jipni?”. Këtu bënë të qartë se Perandoria Osmane ishte barbare, e huaj, që kishte pushtuar tokat e etërve dhe të të parëve të tyre dhe njerëzit që jetonin në këto vise nuk ishin asgjë më shumë se robër. “Lirinë s’jua solla unë, po e gjeta këtu, në mes tuaj. Posa shkela këmbën këtu, posa dëgjuat emrin, rendët që të gjithë, më dualët përpara kush e kush më shpejtë, sikur t’ishin ngritur nga varret etërit, vëllezërit, bijtë tuaj, sikur të kishte zbritë nga qielli vetë Perëndia. Më pritët me aq dashuri dhe gëzim, më sollët aq shërbime të çmuara e pa numër, sa më bëtë më tepër ju robin tuaj sesa unë të lirë ju. Këtë mbretëri, këtë qytet, nuk ua dhashë unë, po ju gjeta t’armatosur, lirinë e kishit kudo, në krahëror, në ballë, në shpata e në ushtat.” Nuk e di në ka shpjegim më të qartë se ky citat për misionin që kishte marrë për detyrë Gjergj Kastriot.  Thirrja për liri është totale, në frymën e atdhedashurisë dhe aspak fetare e aq më pak krishtere. Duke përfunduar fjalimin para banorëve të Krujës me mllefin ndaj pushtuesve, ai vulos bindjen për çlirimin e Arbënis. Citoj “Ngrehni pra flamurin përpara dhe rrëfehuni burra si ngahera. Perëndia, si gjer tani, ashtu edhe paskëtaj, do të na ndihmojë dhe do të na nxjerrë faqebardhë”.

5. Që kishte diversitet fetar në familjen e Kastriotit është dëshmi edhe përkatësia fetare islame e Hamza Kastriotit, nipit të Gjergj Kastriotit, bashkëluftëtar dhe këshilltar i tij. Hamza Kastroti për shkak të tradhëtisë, u kap i gjallë dhe u dërgua në paraburgim në Napoli, i akuzuar si tradhtar ngase synonte fronin e Gjergj Kastriotit. Ai kaloi në anën e Sulltan Mehmetit të II dhe u caktua për të udhëhequr trupat osmane në luftë kundër Arbërisë, në Betejën e Ujëbardhës, së bashku me Isak Evrenoz Beun. Ai u lirua më vonë dhe shkoi me gruan e tij dhe fëmijët në Stamboll, ku vazhdoi t’i shërbejë Perandorisë Osmane.

6. Besëlidhja Arbnore e Lezhës (2, mars, 1444) ishte lidhje apo kuvend i princërve arbërorë (shqiptarë), organizator i së cilës ishte Gjergj Kastrioti. Qëllimi i kësaj besëlidhje ishte që tokat e fisnikëve dhe princërve shqiptarë të bashkohen dhe të formojnë një fuqi unitare dhe të përbashkët , duke rimëkëmbur Mbretërinë e Arbrit. Princat që morën pjesë në këtë kuvend ishin: Gjergj Arianiti,  Andrea Topia (Thopia), stërnip i Karol Thopisë, princ i krahinës midis Krujës dhe Durrësit i shoqëruar nga dy djemtë e tij dhe nga i nipi Tanush Topia, Teodor Korona Muzaka, princ i Beratit dhe disa princër të tjerë të Myzeqesë, Gjergj Stres Balsha, princ i krahinës midis Krujës dhe Lezhës, Pal dhe Nikollë Dukagjini, principata e të cilëve zgjatej nga Drini në Kosovë gjer në kufi të Serbisë, Lek Zaharia Altisferi princ i Danjës, Pjetër Spani, princ i Malësive të Shoshit e të Shalës i shoqëruar nga të katër djemtë e tij, Lek Dushmani princ i Zadrimës, Stefan Çernoviçi (Gjurashi) princ i Malit të Zi. Nuk munguan as përfaqësues të republikës së Venedikut si vëzhgues. Mes të tjerash në këtë kuvend u vendos: krijimi i një Besëlidhje Arbërore në krye me Skënderbeun, formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm dhe krijimi i një arke të përbashkët për të përballuar shpenzimet e luftës. Perandoria Osmane për arbnorët ishte armiku më i fuqishëm dhe më i ashpër, e cila kishte sjellë pasoja serioze për vendin. Kështu, Perandoria Osmane nuk ishte armike për shkak të ndarjes apo për shkak të bindjeve të ndryshme fetare.  Ajo, edhe po të ishte perandori e krishterë, arbnorët përsëri do ta kishin armikun më të madh.

7. Tragjedia e Dejës do ta bënte Venedikun një armik tjetër të Gjergj Kastriotit. Në shtator të vitit 1444, Venediku do të merrte kështjellën e Dejës ose Danjës, për të forcuar pozitat e veta dhe do vriste të zotin e saj princ Lekë Zaharinë. Me vrasjen e princit të Danjës, arbnorët do të kishin para një armik tjetër të fuqishëm dhe atë që i takonte botës krishtere. Nuk duhet harruar se Lekë Zaharia ishte edhe pjesëtar i lidhjes së princërve arbnorë dhe Venediku një fuqi që pretendonte në territoret arbnore. Në vitin 1447, Gjergj Kastrioti do të shpallte edhe zyrtarisht luftën me Venedikun duke thirrur Kuvendin e Lidhjes për të marrë vendim për luftën, ku në pranverë të vitit 1448 Gjergj Kastrioti dhe Gjergj Arianiti do të shpartallonin forcat e Venedikut. Dobësimi i Venedikut nga njëra anë dhe në anën tjetër përballja e ushtrisë së Janosh Huniadit, mikut më të madh të Gjergj Kastriotit në luftën me Perandorinë Osmane, në betejën e Fushë Kosovës do të bënte që më 4 tetor të 1448 të nënshkruajë traktat për paqe mes Venedikut dhe Arbërisë. Por sidoqoftë, ushtria arbënore nuk arriti të marrë pjesë në betejën e 18 tetorit (1448) në Fushë Kosovë dhe kështu Huniadi do të humbiste betejën. Edhe pse u nënshkrua traktati i paqes mes Venedikut dhe Arbënisë, paqja me Venedikun u arrit vetëm në 1463, pesë vjet para se te vdiste Gjergj Kastrioti. Kur flasim për Venedikun, nuk duhet harruar edhe marërveshjet mes Venedikut dhe Perandorisë Osmane për të shpërbërë Besëlidhjen e Lezhës dhe shpallja e një shpërblimi nga Venediku për vrasjen e Gjergj Kastriotit. Në këtë rast paraqiten dy fuqi të kohës. Njëra i takonte Islamit e tjetra Katolicizmit Perëndimor, fuqi që bashkëpunonin për shpërbërjen e Besëlidhjes, copëtimin e tokave dhe sundimin e popullit autokton.

8. Islami në Evropë do të depërtonte shumë më herët se Perandoria Osmane. Spanja që nga viti 711 ishte Emirat i varur drejtpërdrejt nga Kalifati i Damaskut, e cila në vitin 756 do të shpallej si Emirat i pavarur. Që nga viti 929 deri më 1031 Spanja ishte një mbretëri islamike e emëruar Kalifati i Kordoves. Pas vitit 1031 Kalifati i Kordoves do të shkatërrohej për shkak grindjeve të brendshme, ku më vonë do formoheshin mbretëri të pavarura myslimane Tafia në territorin e Kalifatit të Kordovës. Spanja, e sunduar nga islami, do të çlirohej në vitin 1571, ndërsa deri në vitin 1609, 33 % e popullatës në Spanjë ishte myslimane. Nuk duhet mohuar se Islami përfshinte edhe vende tjera të Evropës, diku më pak, diku më shumë, e diku aspak. Islami në tokat Arbnore do të paraqitej me ardhjen e Perandorisë Osmane , e cila nuk ishte besim i masave por besim i shërbyesve të Perandorisë Osmane. Këtu nuk duhet ngatërruar periudhat historike.  Për këtë periudhë, më lejoni të them se islami ende nuk kishte depërtuar tek popullata, por do të shfaqej fuqishëm vetëm pas shekullit 19.  Me keqardhje them se, shumë emocionalisht dhe pa e menduar fare, nuk e vërejmë sistemin politik të kësaj periudhe dhe nuk duam ta pranojmë periudhën e transformimit fetar. Por sidoqoftë, Gjergj Kastrioti çliroi Arbërinë nga okupatori Osman dhe ndihmoi shtetet fqinje që të jenë të lira gjatë kësaj periudhe. Nuk ndërpreu islamin nga Evropa, por Perandorinë Osmane e cila ishte armik i Arbnorëve, Unë nuk e di, në cilin vend të botës armiqtë mund të quhen miq?! Për ta qartësuar armiqësinë ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Arbërisë, duhet thënë se turqit osmanlinj kishin mundësi dhe mënyra të ndryshme për të kapërcyer në Evrop,  dhe se nuk ishte Gjergj Kastrioti ai që e ndalonte këtë gjë: a) kalimi nëpërmjet Greqisë b) kalimi nëpërmjet mbretërisë serbe e malazeze, c) kalimi nëpërmjet detit Egje, Jon deri në Adriatik, d) kalimi nga Rumania, dh) kalimi nga vendet aleate të Afrikës, ndërkaq Islami kishte depërtuar më herët në Evropë. Nuk do të ishte keq të kujtohet edhe urdhri i sulltan Muratit II- Gazi për heqjen e kokave të çdo Arbnori që do ta takonte ushtria Osmane gjatë luftës me Arbëninë.

9. Shpallja e shtetit feudal të Arbërisë, e njohur si Principata e Arbërit është shteti i parë shqiptar i formuar në periudhën mesjetare, konkretisht në vitin 1190 nga Progoni. Dinastia e Progonit sukses më të madh do të kishte gjatë udhëheqjes nga princi Dhimitër Progoni 1208–1216 dhe pas udhëheqjes të Gulamit 1255 principata e Arberit do të shpërbëhej. Me 1389 Perandoria Osmane filloi pushtimin e Arbërisë.

10. Besimi është hyjnor, por edhe individual. Mund të zgjedhësh të jesh mysliman, katolik, ortodoks, mund të jesh dhe budist po deshe, protestant e bektashian në fund. Çdo besim lidhet me Zotin dhe çdo fe, Zoti e solli për besimtarët e vetë (sipas besimtarëve). Mundë të jesh edhe ateist, ashtu si është Evropa e re. Gjeneratave të reja në shtetet evropiane nuk u intereson për besimet.  Sipas statistikave të fundit,  ata janë përcaktuar fundamentalisht në ateizëm. Sipas besimeve të ndryshme, atdheu është toka që caktoi Zoti për një grup njerëzish. Para se të bënte Zoti njeriun, Ai krijoi tokën dhe caktoi atdheun, krijoi gjuhën që flet  dhe fali çdo të mirë për popullin vendas që kishin prejardhje të përbashkët, vendi ku ushqehesh dhe ku po nga ajo natyrë thith ajër dhe pinë ujë, atdheu është vendi ku janë varet e të parëve. Sipas shkencës atdheu është një territor i caktuar, i përbërë me popullsi brenda. Ky popull përcaktohet nga karakteristikat e ngjashme biologjike ose fizike dhe gjenetike, karakterizohet nga socio-kultura, ekonomia, zakonet e traditat, gjuha dhe historia e përbashkët, mitet dhe marrëdhëniet shoqërore e familjare. Kombi është përcaktim i ri politik që lindi pas shekullit 19 për shtetet etnike me përbërje të pastër të popullsisë, apo bashkësi e qëndrueshme njerëzish që karakterizoheshin me tiparet e atdheut. Sot, termi komb nënkupton shtetin. Nëse besimi është individual, atdheu na takon të gjithëve. Po e përsëris! Atdheu është i shqiptarëve!

Lajme të ngjashme

Back to top button