Me sy të rrallë

Çdo mëngjes zgjohem duke ia pasur frikën natës që do të vijë
Fuqinë për t’i dalë botës para më duhen shekuj për ta mbledhur
Vetullat nuk u ngjajnë më maleve si më parë
Dridhen tani si gjethe të trembura në çdo vend, nga çdo fjalë!
Ky trishtim therrës duket se nga unë kurrë nuk do të dalë,
Sado që bota më thotë se një ditë do të buzëqeshem përsëri
Unë kam frikë!
Kam frikë se çdo qark i jetës
Do të sillet, do t’më sillet mbi kokë dhe çdoherë do të përfundojë ku është tani!
Çdo mëngjes ngrihem me frikën e natës që më tmerron
Dhe dua t’i mbyll përjetë të gjitha dritaret nga ku bota depërton!
Kam frikë se brenda shpirtit tim do të arrijë të shikojë,
Por bota s’ka ditur kurrë dhe kurrë s’do të dijë të kuptojë.
Fjalët kanë fuqinë që s’ka gjë tjetër në gjithësi,
Por sa mund fjalët të shërojnë
Kur zemra dhemb aq sa as vetë nuk e di.
Si mund një njeri të ngrihet çdo ditë në këmbë përsëri,
Të buzëqeshë para botës,
Bota hallet të mos ia dijë!
Të ecë e të vrapojë pas kësaj jete,
Një thes brenga duke bartur me vete!
Si mund të harrohet një buzëqeshje që tëndes i ka dhënë shpirt!
Pas dëshirës për vetëm terr në gjithçka përbrenda, a mund zemra të shohë dritë?!
Vallë a ka dhembje që plaket ndonjëherë?

Unë nuk e di nëse gjithçka që më kanë mësuar është gënjeshtër a sahi,
Por ka një të vërtetë që si emrin tim e di: Ti je aty në çdo lot që rrjedh,
Ti je me mua në çdo shpim që tejpërtej zemrës i del
Dhe përveç Teje nuk ka kush që shëron,
E kur Ti je pranë meje, çdo dhimbje si erë kalon!

Shqipe Palloshi
17 Shtator 2012

Lajme të ngjashme

Back to top button